Pyjet dhe kullotat ndërrojnë pronar

922 0

Nga dita e sotme të gjithë pyjet dhe kullotat e vendit do t’i kalojnë 100% në menaxhim pushtetit vendor. Projektligji i cili do të kalojë sot për miratim në Parlament, ka kaluar jo pa konfuzion në lidhje me pronësinë e pyjeve dhe ne lidhje me fondet dhe investimin, të cilat do t’i kalojnë të gjitha qeverisjes lokale.

Por nga ana tjetër ky kalim i pyjeve dhe kullotave nga menaxhimi i qeverisjes qendrore në atë lokale do të ketë dhe shumë avantazhe, pasi do të jetë më e lehtë që të monitorohet përdorimi i burimeve. Fakti që tani pyjet dhe kullotat do t’i përkasin pushtetit vendor i bën njerëzit e këtyre zonave më të afërt me pasurinë e tyre natyrore, duke bërë që të zbatojnë ligjin dhe të implementojnë politikat më të mira lokale për të zhvilluar dhe mbrojtur këto pasuri natyrore, që në 20 vite i kemi shkatërruar.

1.4 milionë hektarë të pyjeve shqiptare janë prerë në mënyrë makabre ose djegur në 26 vitet e fundit që nga rënia e regjimit komunist. Sipas të dhënave bëhet fjalë për një mesatare prej 2.5 milionë pemësh të prera çdo vit.

Për ta ndaluar këtë masakër të madhe muajin e kaluar Parlamenti kaloi një moratorium që ndalon prerjen e pemëve për qëllime industrie apo eksporti. Për Ministrin e Mjedisit Lefter Koka, ky vendim ekstrem për lënien në fuqi të moratoriumit erdhi si pasojë e dështimit të masave të deritanishme për të shmangur humbjen e pyjeve, gjë që përbën edhe një prej arsyeve kryesore për përmbytjet masive në vitet e fundit.

Moratoriumi 10 vjeçar pritet të vazhdojë me pyllëzimin e zonave të degraduara, një proces jashtëzakonisht i rëndësishëm. “Ne e kemi mirëpritur këtë Moratorium dhe shpresojmë shumë që të ketë efekt në pyllëzimin e vendit Moratoriumi është rruga drejt zhvillimit të qëndrueshëm të pyjeve”, është shprehur ambjentalisti Xhemal Mato.

Shqipëria është një nga vendet e pakëta evropiane që regjistron reduktim të zonave të pyllëzuara në dekadat e fundit si pasojë e bujqësisë, kullotjes dhe përdorimit të druve për ngrohje.

"Deri në vitin 2017 do të mbillen jo më pak se 4 mijë hektarë pyje, ose jo më pak se 10 milionë fidanë pyjorë. Do krijohet një sistem monitorimi me kamera online, në pikat kyçe dhe akset rrugore kryesore për zonat pyjore. Krijimi i një portali online në nivel kombëtar ku do të regjistrohen dhe të publikohen transaksionet e lëndës drusore dhe shfrytëzimi deri në konsumim, si dhe përmirësimi i kuadrit ligjor do të ndikojnë në parandalimin e djegieve të qëllimshme që synojnë ndryshimin e destinacionit të fondit pyjor”, ka theksuar ministri i Mjedisit.

Ndërkohë që për Kryeministrin Edi Rama, Moratoriumi 10 vjeçar për pyjet ishte e vetmja përgjigje naj shfrytëzimit barbar të tyre. “Kjo është kostoja e tmerrshme e shumë viteve shfrytëzim barbar. Moratoriumi është e vetmja përgjigje për të pasur një ripërtëritje të të gjithë pyjeve dhe për të rivendosur ekuilibrat natyrorë, pa të cilët nuk ka pritë, nuk ka shtet që e mbron dot, popullin nga uji.

Ndërkohë dhe mbjellja e fidanëve për të siguruar gjithë mbrojtjen në pikat kritike dhe për tu shtrirë në të gjitha fashat e shkretuara nga sëpata e gjithë këtyre viteve, do të vazhdojnë intensivisht. Gjatë viteve të qeverisë së kaluar janë dhënë 3 leje në ditë për shfrytëzim pyjesh dhe gjithsej 2600 leje shfrytëzimi për pyje, që është një çmenduri më vete.

Ndërkohë që ne në 2 vjet kemi njohur 24 kontrata. Do të bëjmë dhe një tjetër hap me lumenjtë për të vendosur rregulla strikte. Shumë shpejt do të kalojmë dhe paketën për Kodin Penal kundër krimit mjedisor. Me gjithë këto masa, në harkun e 5 viteve, gjerat do të vihen në kontroll të plotë dhe do të fillojë rigjenerimi dhe në harkun e 10 viteve Shqipëria do të ketë një pamje krejt tjetër, përsa i përket ekuilibrave të natyrës”, ka thënë Rama.

Ekuilibra, të cilat do të duan shumë fidanë që të rekuperojnë dëmin e madh të shkaktuar. Sipas një investigimi të Balkan Investigative Reporting Network në Shqipëri vetëm në vitin 2012 janë prerë në mënyrë të paligjshme 46 milion metra kub pemë, ekuivalente me 11,600 hektarë, një zonë sa madhësia e Tiranës.

Humbja e madhe e pyjeve dhe kullotave që ka pësuar vendi ka një ndikim të madh në cilësinë e jetës së gjithsecilit. Me kalimin në menaxhim të pushtetit vendor, pyjet dhe kullotat do të kenë një shans të dytë, duke na rikthyer mushkërinë e gjelbërt që aq shumë na ka munguar. /Agroweb.org/