Yngve Engstrom: Luftoni korrupsionin që të shpëtoni ekonominë

157 0

Reforma në drejtësi është padyshim një çështje e nxehtë në Shqipëri. Është politike. Është sociale. Por është edhe ekonomike.

Për Yngve Engstrom, Përfaqësuesin e lartë të Bashkimit Evropian dhe Shefi i Bashkëpunimit i Delegacionit të BE-së në Shqipëri, kjo është një nga reformat më ambicioze që ka ndërmarrë vendi që nga rënia e komunizmit dhe korrupsioni, një nga problemet më të mëdha që prek ekonominë shqiptare.

Në fakt, nuk është shumë e vështirë për të kuptuar se një vend që ka korrupsion të lartë, ka pak të ngjarë të ketë një ekonomi të begatë.

Korrupsioni paralizon rritjen e biznesit, duke e tkurrur kthimin e investimit tek investitorët, ndërsa gëlltit mundësinë për një konkurrencë të ndershme dhe i fut frikën investitorëve të huaj duke i mbajtur larg.

Bashkimi Evropian ka qenë shumë i drejtpërdrejtë përsa i përket rëndësisë së reformës në drejtësi, duke kërkuar rezultate konkrete dhe duke e bërë të qartë se kjo reformë nuk është sa për të kaluar klasën që Shqipëria të hyjë në BE, por kërkohen rezultate reale.

Administrata e dobët dhe korrupsioni çojnë në humbje të mëdha të potencialit të rritjes ekonomike, ruajnë varfërinë, shpërdorojnë burimet kombëtare, frenojnë investimet dhe ndikojnë në cilësinë e jetës së njerëzve.

Në një intervistë ekskluzive për AgroWeb, Yngve Engstrom flet hapur për ecurinë e reformës si një komponent i rëndësishëm dhe pjesë e pesë përparësive kyçe për Shqipërinë për hapjen e negociatave të anëtarësimit. Engstrom shpjegon gjithashtu se pse reforma në drejtësi është mbi të gjitha ekonomike dhe si po e pengon korrupsioni zhvillimin ekonomik të Shqipërisë.

Por, flet edhe për sektorët që Bashkimi Evropian sheh më me prioritet për zhvillim: që nga bujqësia, transporti, mjedisi dhe infrastruktura energjetike. Vetëm për sektorin bujqësor, Bashkimi Evropian përmes fondeve IPA ka parashikuar akordimin e një fondi prej 71 milion Euro për periudhën 2016-2020.

Por fokusi i BE, do të jenë edhe Ndërmarrjet e Vogla e të Mesme dhe promovimi i turizmit, si sektorë kyç që do të nxisin zhvillimin ekonomik dhe do të ndihmojnë vendin të ecë përpara në rrugën e integrimit në BE.

Këto dhe shumë të tjera, Engstrom i shpjegon në këtë intervistë të gjatë të dhënë për AgroWeb.

Ekonomisti gjerman Rudi Dornbusch thoshte: “Pyetjet e komplikuara zakonisht kanë përgjigje të lehta dhe të gabuara”. Do ta nis duke ju bërë një pyetje të lehtë. Si e shihni perspektivën e Shqipërisë në vitin 2016?

Nëse prisni një përgjigje të lehtë, kjo mund të mos jetë e mundur! Ju pyesni për perspektivën, por ende nuk kemi kaluar as një të tretën e vitit 2016. Perspektiva e Shqipërisë për vitin 2016 varet nga performanca e saj e mëparshme, të paktën që nga vitit 2015, si dhe nga angazhimet e saj afatshkurtra dhe afatmesme.

Nga pikëpamja makroekonomike do të thosha se Shqipëria po i stabilizon politikat e saj ekonomike bazuar në një rritje pozitive të PBB-së prej rreth 2.7% në 2015, që sipas parashikimeve të qeverisë pritet të rritet në 3% – 3.5% në vitin 2016. Ajo planifikon gjithashtu një politikë monetare të qëndrueshme, që synon të ruajë objektivin e inflacionit prej 3% dhe një defiçit fiskal që planifikohet të reduktohet nga rreth 4% në 2015 në 2.2% në 2016.

Megjithatë, Shqipëria vazhdon të përballet me sfidat e konsolidimit fiskal dhe të forcimit të menaxhimit të financave publike (MFP). Masat për të luftuar korrupsionin, për të siguruar të drejtat/titujt e pronësisë, për të reduktuar përqindjen e lartë të huave të këqija – të gjitha këto janë sfida që duhen trajtuar gjatë vitit.

Ndërkaq, është arritur njëfarë progresi në reformimin e administratës publike, në menaxhimin e financave publike dhe në riorganizimin e qeverisë vendore përmes reformës së administratës territoriale. Megjithatë, nevojiten më shumë përpjekje për të rritur efikasitetin e administratës publike dhe për të përmirësuar dhënien e shërbimeve për njerëzit e zakonshëm.

Të zgjedhësh të jesh pjesë e BE-së do të thotë të përvetësosh një grup të tërë vlerash. Do të thotë të zgjedhësh paqen, sigurinë, shtetin ligjor dhe një ekonomi të tregut të lirë, që nënkupton konkurrencë. Opinioni i përgjithshëm i BE-së është që konkurrenca në Shqipëri pengohet nga të metat në shtetin ligjor, nga titujt e paqartë të pronësisë, nga mungesa e forcës punëtore të specializuar dhe të aftë, si dhe nga një ekonomi gjerësisht informale. A nënkupton kjo se kemi ende shumë rrugë për të bërë në lidhje me konkurrencën?

Po, mendoj se keni të drejtë në vlerësimin tuaj. Shqipëria sigurisht që duhet të bëjë hapa për të garantuar sigurimin e një ekonomie tregu funksionuese, si dhe për të rritur kapacitetet e saj për të përballuar trysninë konkurruese dhe forcat e tregut në rajon dhe në Bashkimin Evropian.

Lidhur me këtë, pjesë të legjislacionit shqiptar duhen afruar me legjislacionin e BE-së, për t’u pasuar me zbatimin e duhur. Në Raportin e tij Shqipëria 2015, Komisioni Evropian raportoi se: “Shqipëria ka njëfarë niveli përgatitjeje lidhur me kapacitetin për t’i bërë ballë trysnisë konkurruese dhe forcave të tregut në Bashkimin Evropian. Është bërë njëfarë progresi, në veçanti lidhur me transportin dhe infrastrukturën e energjisë. Megjithatë, nevojiten investime të mëdha në kapacitete njerëzore dhe fizike për të përmirësuar aftësinë konkurruese të vendit”. Përmirësimi i kapitalit fizik dhe nxitja e inovacionit janë elementë me rëndësi për rritjen e produktivitetit dhe të konkurrencës.

Reforma në drejtësi është një nga reformat më të rëndësishme që ndikon drejtpërdrejt në ekonomi.

Rruga drejt anëtarësimit në BE është një tërheqje unike për qeverinë për të kryer reforma dhe transformime strukturore që nuk mund të përcaktohen pa këtë udhë. A shihni progres në këto reforma, apo po qëndrojmë në vend numëro?

Një shembull i fuqishëm i rolit që mund të ketë për Shqipërinë aspirata për anëtarësi në BE është reforma e drejtësisë në vazhdim. Kjo është një kërkesë e qartë dhe pjesë e pesë përparësive kyçe për Shqipërinë për hapjen e negociatave të anëtarësimit.

Prej shumë muajsh tashmë Shqipëria është angazhuar në një prej reformave më ambicioze që prej fundit të komunizmit. Është krijuar një komision i posaçëm në Parlament me një grup ekspertësh të veçantë të nivelit të lartë që ka parashtruar një numër ndryshimesh kushtetuese që pritet të rrisin përgjegjshmërinë dhe efikasitetin e gjyqësorit.

Synimi i përgjithshëm është lufta kundër korrupsionit, depolitizimi i institucioneve, rritja e ekuilibrit të pushtetit dhe ngritja e një sistemi tek i cili qytetarët besojnë dhe mbështeten. Është një synim shumë ambicioz që BE e ka mbështetur fuqimisht në nivel teknik dhe diplomatik. Paketa kushtetuese është shqyrtuar nga Komisioni i Venecias dhe së fundmi draft opinioni i tij final iu paraqit komisioneve të posaçme. Tani jemi në fazën përfundimtare të miratimit të reformës, që shpresojmë se do të mbështetet nga partitë politike dhe do të votohet në Parlament.

Puna e bërë deri tani është vlerësuar nga Raporti i fundit i Komisionit Evropian për Shqipërinë. Por vota në Parlament do të jetë vetëm fillimi i vetë reformës. Miratimi i ligjeve zbatuese do të jetë kyç, ashtu siç do të jetë angazhimi i fuqishëm i gjithë institucioneve të përfshira për të mbështetur reformën dhe zbatimin e saj.

Qeveria ka treguar gjithashtu angazhim për të reformuar menaxhimin e financave të saj publike. Ky është një proces kyç dhe shumë ambicioz reformash në mbarë administratën publike. Ai përfshin gjithë aspektet dhe gjithë ciklin që lidhet me përdorimin e fondeve publike, jo vetëm për punën e Ministrisë së Financave, por edhe të gjithë institucioneve që kanë një rol. Ndonëse kjo është një fushë në përmirësim të vazhdueshëm në të gjitha vendet, Shqipëria ka disa mënyra të qarta dhe të lehta për të reduktuar humbjet dhe për të përmirësuar efikasitetin, në mënyrë që të shpenzohet më shumë me më pak fonde.

Buxheti kombëtar është mjeti politik më i rëndësishëm që ka një qeveri për të zbatuar përparësitë e vendit.

Është gjithashtu e rëndësishme që publiku të kuptojë më mirë se si planifikohet dhe shpenzohet buxheti. Duhet të ketë gjithashtu një mekanizëm që publiku të shprehë mendimet e veta dhe të thotë fjalën e tij, si dhe të vëzhgojë performancën e administratës publike. Zbatimi efektiv i masave të transparencës mund ta vendosë publikun në një pozicion më të fortë për ta bërë qeverinë dhe administratën publike më të përgjegjshme lidhur me performancën dhe shërbimet që ato sigurojnë.

Një tjetër fushë kyçe e fokusit tonë është reforma e administratës publike, që nëse zbatohet plotësisht mund të përmirësojë profesionalizmin e administratës dhe efikasitetin e operimit në mënyrën se si i siguron shërbime publikut. Kjo përfshin organizimin efektiv të shërbimeve publike, në mënyrë që të përcaktohen role dhe procedura për përmirësimin e shërbimeve që ato ofrojnë. Reformat do të garantojnë gjithashtu që nëpunësit civilë dhe nëpunësit publikë të rekrutohen sipas aftësive dhe njohurive të tyre dhe të menaxhohen në mënyrë efikase për të siguruar performancë më të mirë.

Çfarë shihni si sfidën kryesore për të nxitur rritjen ekonomike në Shqipëri?

Unë i përmenda disa nga sfidat në përgjigjen time të pyetjes suaj të mëparshme. Do të doja gjithashtu të përmendja Programin për Reformën Ekonomike të Shqipërisë 2016-2018. Ky dokument i qeverisë do të shtrojë udhën për të trajtuar disa nga sfidat e rritjes ekonomike dhe konkurrencës përmes politikave dhe kuadrit legjislativ, si dhe të përmirësimit të mjedisit të biznesit. Ai mbulon masat dhe reformat në fushat e menaxhimit të financave publike, industrisë (energji dhe transporti), zhvillimit sektorial (bujqësia dhe turizmi), mjedisit të biznesit, zhvillimit teknologjik dhe inovacionit, punësimit dhe tregut të punës, arsimit dhe politikave të përfshirjes sociale.

Për më tepër, ka shumë vend për ta zhvendosur punësimin në sektorë më produktivë dhe për t’i diversifikuar produktet e eksportit dhe tregjet.

Në përputhje me reformat e menaxhimit të financave publike dhe reformën e administratës publike, një tjetër fushë kyçe për rritjen potenciale ekonomike është identifikimi dhe trajtimi i fitimeve efikase përmes menaxhimit të fondeve publike apo administratës. Administrata e dobët dhe korrupsioni çojnë në humbje të mëdha të potencialit të rritjes ekonomike, ruajnë varfërinë, shpërdorojnë burimet kombëtare, frenojnë investimet dhe ndikojnë në cilësinë e jetës së njerëzve.

Shqipëria duhet të minimizojë humbjet nëse dëshiron të ketë një shans për të qenë më konkurruese në rajon dhe në Evropë.

Bashkimi Evropian është partneri më i madh i Shqipërisë në biznes. Cilët janë sektorët që BE i sheh me përparësi dhe që kanë premisat më të mëdha për rritje? Për shembull, Shqipëria ka nevoja të mëdha për investime në bujqësi, transport, mjedis apo në infrastrukturën e energjisë.

Bashkimi Evropian ka miratuar strategjinë e tij të zhvillimit të quajtur Evropa 2020, që është strategjia e zhvillimit të BE-së për këtë dekadë. Në një botë në ndryshim BE dëshiron të bëhet një ekonomi inteligjente, e qëndrueshme dhe përfshirëse. Këto tri përparësi reciprokisht fuqizuese duhet ta ndihmojnë BE-në dhe Shtetet Anëtare që të arrijnë nivele të larta punësimi, produktiviteti dhe kohezioni social.

Në mënyrë specifike Bashkimi Evropian ka përcaktuar pesë objektiva ambicioze – për punësimin, inovacionin, arsimin, përfshirjen sociale dhe klimën/energjinë – që do të arrihen në vitin 2020. Çdo Shtet Anëtar ka miratuar objektivat e veta kombëtare në secilën prej këtyre fushave. Masat specifike në nivele të BE-së dhe në nivele kombëtare e përforcojnë strategjinë.
Shqipëria, së bashku me vende të tjera të Ballkanit Perëndimor, po merr pjesë në ushtrime të ngjashme përmes Këshillit Rajonal të Bashkëpunimit dhe ka miratuar planin e saj të veprimit për zbatimin e strategjisë SEE 2020.

Asistenca e BE-së për Shqipërinë është miratuar bazuar në dokumentet dhe përparësitë kombëtare, në përputhje me angazhimet e saj në kuadrin e Marrëveshjes së Stabilizimit dhe Asociimit.

Përmes IPA-s BE siguron mbështetje të drejtpërdrejtë në fushat e bujqësisë, transportit dhe mjedisit, si dhe të energjisë përmes Kapacitetit Zbatues të Ballkanit Perëndimor dhe nismave të tjera rajonale në kuadrin e procesit të Berlinit dhe të programit të ndërlidhjes. BE-ja është angazhuar që t’i dedikojë fonde të mëdha mbështetjes së investimeve parësore. Mbështetja për projektet rajonale në Ballkanin Perëndimor pritet të rritet në 1 miliard Euro gjatë periudhës 2014-2020.

Që prej marsit 2016, ËBIF (Kuadri i Investimeve për Ballkanin Perëndimor) po financon zbatimin e 41 projekteve me një vlerë totale granti prej afërsisht 57 milionë Euro (përfshirë vlerën e grantit të projekteve rajonale). Këto projekte përfshijnë vlerësime studimesh, përgatitje të planeve për projekte investimesh në infrastrukturë, veçanërisht në sektorët e energjisë, transportit, mjedisit dhe në atë social në Shqipëri me fokus tek ato projekte që u përmbahet udhëzimeve TEN-T dhe TEN-E – siç përcaktohet në Procesin e Berlinit.

Veç kësaj, ËBIF është angazhuar për sigurimin e granteve për të mbështetur bashkëfinancimin e investimeve në projekte rajonale, nga të cilat Shqipëria ka përfituar një grant prej 15 milionë Euro që në dhjetor 2015; si dhe për projektin për Lidhjen e Energjisë Elektrike për

Ndërlidhjen e Energjisë, Seksioni i Rrjetit në Shqipëri i linjës mes Shqipërisë dhe Maqedonisë, bashkëfinancuar dhe vënë në zbatim nga KfW.

Turizmi është nga sektorët që BE sheh me potencial

Zhvillimi i SME dhe promovimi i turizmit kanë gjithashtu një potencial të veçantë për rritje. A është ky sektor një element me rëndësi i mbështetjes së BE-së për të forcuar qeverisjen ekonomike të Shqipërisë?

Komisioni Evropian i konsideron Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme (NVM) dhe sipërmarrjen si kyç për të siguruar rritjen ekonomike, inovacionin, krijimin e vendeve të punës dhe integrimin social në BE. Në BE ato përfaqësojnë 99% të të gjithë bizneseve. Gjatë pesë viteve të kaluara ato kanë krijuar rreth 85% të vendeve të reja të punës dhe kanë siguruar dy të tretat e punësimit total të sektorit privat në BE. Për të vlerësuar mjedisin e biznesit, ne në BE përdorim Aktin e Biznesit të Vogël që është një kuadër gjithëpërfshirës për politikat e BE-së për NVM. Ai synon të përmirësojë përqasjen ndaj sipërmarrjes në Evropë, të thjeshtojë mjedisin rregullator dhe politik për NVM, si dhe të heqë barrierat e mbetura për zhvillimin e tyre.

Ekonomia e Shqipërisë dominohet nga NVM dhe prandaj politikat që do të stimulonin zhvillimin e një mjedisi të favorshëm për to do të sillnin kontribut të mëtejshëm për rritjen dhe punësimin, për konkurrencën dhe inovacionin. Shqipëria është gjithashtu pjesë e vlerësimit të Aktit të Bizneseve të Vogla dhe i fundit pritet të prezantohet tani në pranverë.

BE siguron mbështetje përmes Instrumentit kombëtar për Asistencë para Anëtarësimit, si dhe përmes instrumenteve rajonalë financues si Zhvillimi i Ndërmarrjeve në Ballkanin Perëndimor & Kapaciteti i Inovacionit, si dhe të tjera. Shqipëria duhet të thithë sa më shumë asistencë teknike dhe financiare nga këto kapacitete.

Bujqësia është një nga sektorët më me shumë rëndësi për ekonominë shqiptare.

Fondet e BE-së po vërshojnë në bujqësinë shqiptare me nënshkrimin në Bruksel të një marrëveshjeje prej 71 milionë Euro për periudhën 2016-2020 për mbështetjen e sektorit të bujqësisë në Shqipëri. Sipas marrëveshjes, shuma totale e përcaktuar për vitin 2016 do të jetë 13 milionë Euro, ndërsa vlera do të rritet në periudhën 2019-2020 me një total prej 16 milionë Euro në vit. A është investimi në bujqësinë shqiptare prioritet nga ana e BE-së?

Po, në fakt, sektori bujqësor është me rëndësi shumë të madhe në Shqipëri dhe unë jam krenar të them se BE-ja e ka mbështetur atë që në fillim të viteve ‘90. BE është donatori më i madh në bujqësi, në zhvillimin rural, në veterinari, në sigurinë e ushqimit dhe peshkim. Në periudhën 2007-2020, rreth 120 milionë Euro iu dedikuan veprimtarive të ndryshme në këto fusha.

Thjesht për t’ju krijuar një përshtypje më të mirë të asaj çka është arritur deri tani me mbështetjen e BE-së dhe që vazhdon, ja disa nga rezultatet kryesore:

• Agjencia e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural (ARDA është agjencia paguese për IPARD dhe subvencionet kombëtare) është forcuar dhe përgatitur për të menaxhuar zbatimin e granteve “IPARD-like” për prodhuesit dhe përpunuesit bujqësorë;

• Është ngritur Fondi për Garantimin e Kredive Rurale (RKGF me KfW), që u jep mbështetje për hua fermerëve përmes garancive bankare;

• Nëntë zyrat/laboratorët rajonale të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit dhe Laboratori Qendror Veterinar në Tiranë janë ndërtuar/rehabilituar; janë kryer vaksinime në masë (për shembull kundër brucelozës te ripërtypësit e vegjël; si dhe kundër tërbimit te dhelprat e kuqe); ndërgjegjësimi për mbrojtjen e konsumatorëve po rritet;

• Është ngritur Sistemi i Monitorimit të Anijeve të Peshkimit;

• Përgatitja e strategjisë ndërsektoriale për bujqësinë dhe zhvillimin rural, programi për Zhvillimin Rural 2013-2020, dhe strategjia e peshkimit – të gjitha këto janë dokumente strategjike që çelin të ardhmen e sektorëve të bujqësisë dhe të peshkimit në vitet e ardhshme;

• Përmirësimi i më shumë se 600 km rrugë rurale (me kontributin e donatorëve të tjerë) dhe i sistemeve të furnizimit me ujë;

• Mbështetje për zonat e prekura nga përmbytjet në vitin 2015, duke siguruar kompensim për fermerët dhe duke i nxitur ata të aplikojnë me projekte për rindërtimin e kapaciteteve bujqësore.

Mbështetja e BE-së është e rëndësishme dhe në periudhën afatgjatë bën një diferencë të vërtetë në jetët e përditshme të shqiptarëve.

IPARD

Mendoj se do të ishte e dobishme për audiencën tuaj të kuptonte më shumë për mundësitë në kuadrin e IPARD (Instrumenti për asistencë para anëtarësimit për zhvillimin rural). Siç e përmendët, është nënshkruar marrëveshja IPARD dhe financimi i BE-së për periudhën 2016-2020 është 71 milionë Euro. Megjithatë, duhet të mos harrojmë se me kontributin kombëtar dhe atë të fermerëve, i gjithë buxheti është përafërsisht 180 milionë Euro. Kjo është një mundësi e madhe për sektorin bujqësor shqiptar dhe sidomos për fermerët.

Më lejoni t’ju them se çfarë do të thotë në terma praktikë dhe se çfarë kemi arritur ndërkaq me zbatimin e granteve “IPARD-like”:

-Në sektor janë futur teknologji dhe teknika moderne; prodhuesit dhe përpunuesit bujqësorë aplikojnë me projekte që përmbushin kërkesa më të rrepta dhe i sjellin më shumë vlerë të shtuar sektorit dhe shoqërisë; rritja e konkurrencës së sektorit të bujqësisë dhe përpunimit bujqësor.

Në kontekstin e tri thirrjeve “IPARD-like” fermerët dhe agro-përpunuesit shqiptarë paraqitën 255 aplikime gjithsej me një investim total të aplikuar prej 46 milionë Euro dhe një grant /total të aplikuar prej 24 milionë Euro. Kjo tregon kërkesën e lartë për investime kapitale në sektorin agro-bujqësor, si dhe interesin e madh të fermerëve për skemën e granteve “IPARD-like”. Janë nënshkruar gjithsej 88 kontrata për një kontribut total të BE-së prej 6 milionë Euro. Këto janë para të vërteta që i shkojnë prodhimit dhe përpunimit bujqësor.

Aksesi ndaj financimit ka qenë për një kohë të gjatë një sfidë e madhe për fermerët. Çfarë i mban investitorët larg sektorit bujqësor shqiptar dhe cila është asistenca e BE-së për zhvillimin e sektorit?

Në fakt ne e kuptuam se kishte njëfarë perceptimi se sektori bujqësor ishte me shumë risk dhe prandaj nuk synohej nga bankat. Në fakt puna me “ferma në ajër të hapur” dhe varësia nga kushtet klimaterike dhe të motit ishte thelbësore. Ja pse ne kemi vendosur të synojmë

veçanërisht kreditë rurale përmes garancive dhe Fondi i Garancive të Kredive Rurale është ngritur përmes një projekti të BE-së të bashkëfinancuar nga autoritetet kombëtare.

Ndaj, fermerët shqiptarë do të kenë ndërkaq mundësi të përfitojnë nga shërbimet e siguruara për garantimin e huave. Do të doja gjithashtu ta inkurajoja sektorin bujqësor që të përdorte mirë jo vetëm Fondin, por të gjitha mundësitë në kuadrin e programeve dhe të projekteve të BE-së./Agroweb.org

 

*Yngve Engström

Shefi i Bashkëpunimit i Delegacionit të BE-së në Shqipëri

Yngve Engström ka qenë pjesë e Komisionit Evropian që nga viti 1996 dhe ka më shumë se 20 vite eksperiencë në çështjet e integrimin, në ekonomitë në tranzicion, qeverisjen e mirë dhe prokurimin public, bashkëpunimin e financave ndërkombëtare dhe menaxhimin e buxhetit.

Që nga viti 2013, Mr Engström ka funksionin e Shefit të Bashkëpunimit të Delegacionit të BE-së në Shqipëri