Qindra Kilogramë Mish Bllokohen në Thertore – Të Pasigurta Për Shëndetin

491 0

Qindra kilogramë mish i destinuar për konsum të përditshëm janë bllokuar dje nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit nue qytetin e Durrësit pasi rezultuan të pasigurta për shëndetin.

Përmes një njoftimi për shtyp, AKU ka bërë të ditur se sasia e konsiderueshme e mishit që është bllokuar përbënte rrezik për shëndetin e konsumatorëve.

Kjo pasi, sipas AKU kushtet ku therreshin kafshët e gjalla dhe pritej mishi ishin tejet jashtë standardeve higjenike duke rrezikuar kontaminimin e mishit.

Por AKU zbuloi se në të njëjtën hapësirë ku therreshin kafshët e gjalla dhe pritej mishi, subjekti përgatiste në mënyrë të jashtëligjshme në po të njëjtin ambjent produktin ushqimor të sallamit.

Në këto kushte, AKU ka bllokuar gjithë aktivitetin duke bllokua rproduktin e gjendur në të ndërsa ka gjobitur subjektin.

 Produkte të Pasigurta

 “Në vijim të informacionit të ardhur në platformën e komunikimit të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, nga qytetarë të përgjegjshëm që njoftojnë raste të cënimit të sigurisë ushqimore, Drejtoria Rajonale e AKU-së Durrës ushtroi kontroll në subjektin Ramiz Shala (Katundi i Ri, Durrës) për therjen e paligjshme të kafshëve të gjalla dhe tregtimin e produkteve ushqimore të pasigurta.

 Nga kontrolli i ushtruar rezultoi se subjekti kryente procesin e therjes së kafshëve të gjalla në mënyrë të paligjshme në një ambjent të improvizuar, ngjitur me njësinë e tregtimit të mishit.

Ambjenti ishte tejet i amortizuar, i vogël në hapësirë dhe nuk plotësonte asnjë normë të kritereve higjeno-sanitare apo teknike-teknologjike për procesin e therjes së kafshëve të gjalla.

 Mbetjet teknologjike të procesit të therjes të kafshëve të gjalla (ujërat, gjaku etj), përfundonin në kanal duke mos u grumbulluar dhe u trajtuar në ndonjë ambjent të posacëm, duke kontaminuar mjedisin përreth.

Në të njëjtat mjedise të papërshtatshme ku kryhej therja e kafshëve të gjalla, subjekti përgatiste në mënyrë të paligjshme edhe produkti ushqimor “Sallam”, për të cilin nuk kishte asnjë dokumentacion në formën e kartës teknologjike apo etiketë mbi përbërësit dhe procesin e përgatitjes së tij.

Në subjekt u evidentuan 257 kg  produkte ushqimore (mish dhe nënprodukte të tij) të pacertifkuara dhe të pavulosura nga veterineri zyrtar, si dhe pa dokumentacionin përkatës (specifikisht 219 kg mish gjedhi, 14 kg mish deleje dhe 24 kg sallam)” citohet në njoftimin e  AKU.

Për shkeljet e evidentuara, AKU vendosi masat administrative

Sipas njoftimit të shpërndarë për mediat, AKU vendosi:

Gjobë në vlerën 100,000 lekë për therje të kafshëve të gjalla në mënyrë të paligjshme,

Gjobë në vlerën 150,000 lekë për mungesën e gjurmueshmërisë së produkteve ushqimore,

 Konfiskim të produkteve ushqimore (të cilat do t’i nënshtrohen procesit të asgjesimit) dhe mjetete punës (çengela, thika etj) me të cilat është kryer aktiviteti i paligjshëm,

Bllokim i ambientit të improvizuar dhe të përdorur për kryerjen e procesit të paligjshëm të therjes së kafshëve të gjalla.

 Autoriteti Kombëtar i Ushqimit falenderon dhe fton çdo konsumator të përgjegjshëm, që nëpërmjet raportimeve, të bëhet pjesë e sfidës sonë të përbashkët dhe të kontribuoj cilësisht në suksesin e betejës për sigurinë ushqimore” thuhet në njoftimin për media të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit./AgroWeb.org