Qumështi i orizit – Risia e shëndetshme

1.7k 0

Qumështi i orizit, njësoj si qumështi i sojës apo i bajameve është një produkt i sigurt për ata që vuajnë nga intoleranca e laktozës. Qumështi i orizit përmban pak yndyrë, gjë që e bën një zëvëndësues shumë të mirë të qumështit të zakonshëm.

Çfarë është qumështi i orizit?

Qumështi i orizit përgatitet nga orizi i zier, shurupi i orizit kaf ose niseshteja e orizit. Prodhuesit e produktit që shitet në treg shtojnë edhe substanca të tjera për trashjen e lëngut. Qumështi i orizit ëmbëlsohet me sheqer, por disa tregtarë shtojnë vanilje për ta bërë qumështin të ngjashëm me atë të lopës.
Qumështi i orizit është zakonisht më i ëmbël sesa ai i lopës. Ai është mjaft popullor mes vegjetarianëve dhe veganëve sepse nuk përmban produkte ose nënprodukte shtazore.

Vlerat ushqyese të qumështit të orizit

Qumështi i orizit përmban më shumë karbohidrate se qumështi i lopës. Megjithatë, në ndryshim me qumështin e lopës, qumështi i orizit nuk përmban laktozë ose kolesterol. Këto karakteristika e bëjnë qumështin e orizit të shëndetshëm për zemrën.

Qumështi i orizit nuk përmban të njëjtën sasi kalciumi ose proteinash si qumështi i lopës. Duke qenë se qumështi i orizit nuk përmban shumë proteina, përdoruesit e tij duhet të gjejnë alternativa të tjera për marrjen e proteinave në dietën e tyre ushqimore. Shumë prej markave tregtare të qumështit të orizit zgjedhin ta pasurojnë atë me kalcium. Kjo është arsyeja përse qumështi i pasuruar i orizit përmban të njëjtën sasi kalciumi me qumështin e lopës. Qumështi i orizit shpesh pasurohet me niacinë, vitaminë B12, vitaminë A, vitaminë D dhe hekur.

Të dhënat e AgroWeb.org tregojnë se në një filxhan mesatar me qumësht orizi gjenden 140 kalori ndërsa në një filxhan me qumësht lope gjenden 185 kalori. Një filxhan me qumësht të skremuar lope përmban 97 kalori. Një filxhan me qumësht orizi përmban 3 gramë yndyrë ndërsa një sasi e ngjashme e qumështit të lopës ofron 11 gramë yndyrë. Megjithatë, qumështi i orizit përmban më shumë yndyrë në krahasim me qumështin e skremuar të lopës një filxhan i të cilit ka më pak se gjysmë grami yndyrë.

Nëse keni zgjedhur të zëvëndësoni qumështin e lopës me atë të orizit, atëherë ju sugjerojmë të zgjidhni qumësht të pasuruar me kalcium, vitaminë A dhe D, sepse do të merrni të njëjtën sasi vitaminash dhe mineralesh si në rastin e qumështit të lopës.

Si të përgatisni qumështin e orizit në shtëpi

Përbërësit:
• 1 filxhan çaji me oriz, këshillohet oriz kaf por edhe nëse preferoni të bardhë nuk është problem
• 4 gota ujë
• Erëza aromatike sipas dëshirës

Shënim: Sasia e orizit dhe ujit varet në varësi të orizit që përdorni dhe preferencës për një qumësht të hollë ose të trashë.

Metoda:
1. Lajeni orizin përpara se ta gatuani
2. Shtoni ujin dhe orizin në një tenxhere dhe ziejeni deri sa orizi të jetë zbutur. Mos e kulloni lëngun.
3. Hidheni masën në një mikser dhe përziejeni deri sa lëngu të jetë i njëtrajtshëm
4. Kullojeni lëngun me një napë
5. Shtoni aromat e preferuara

Metodat e përftimit të qumështit të orizit janë të ndryshme:

• Aromat dhe erëzat që përdorni mund të përfshijnë shurupin, mjaltin (jo në rastin e një diete vegane), ëmbëlsues, pluhur kakaoje etj;
• Orizi kaf mund të zëvëndësohet me orizin e bardhë dhe përftoni një lëng më të hollë
• Sasia e ujit varion nga rezultati përfundimtar i qumështit dhe preferencat për lëng të hollë ose të dendur

Si mund ta përdorni qumështin e orizit
Qumështi i orizit mund të përdoret në pije ose gatime. Ai është ideal për përgatitjen e salcave të bardha, dhe mund të përdoret si zëvëndësues i qumështit në kuzhinë. Shija e tij e veçantë e bën këtë qumësht të përshtatshëm për gatimet e ëmbla ose edhe ato me kripë.

Si ta ruani qumështin e orizit
Mënyra më e mirë për ta ruajtur qumështin e orizit është në frigorifer. Hidheni në një enë qelqi, por mos e mbani pranë ushqimeve me aroma të forta sepse qumështi ka tendencën të përthithë aromat e pranishme. Nëse e ruani në frigorifer, ky qumësht mund të qëndrojë për disa ditë./AgroWeb.org