Kikirikë Kontrabandë Kalojnë Në Veri të Shqipërisë

211 0

Tre persona janë arrestuar mbrëmë në Pikën Kufitare të Murriqanit në Shkodër pasi një sasi me kikirikë është lejuar të kalojë kontrabandë në territorin shqiptar.

Burime nga Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër njoftojnë se është arrestuar doganieri që ka lejuar kalimin e mallit pa asnjë kontroll, gjithashtu është arrestuar edhe përgjegjësi i turnit të Doganës Murriqan, si edhe sipërmarrësi që kishte pronësinë e mallit.

Sasia e mallit që kaloi kontrabandë përfshinte 19 thasë kikirikë dhe produkte të tjera të cilat janë lejuar të kalojnë kufirin pa asnjë kontroll nga doganieri i kontrollit fizik të mallrave në Pikën Kufitare të Murriqanit.

Pse kikirikët vazhdojnë të bëjnë lajm në media?

Shqetësimi i konsumatorëve vendas me të drejtë përqendrohet tek fakti se sa të sigurta janë pikat doganore shqiptare për kalimin e mallrave të dëmshme. AgroWeb.org raportoi në fundvitin e kaluar se Kroacia, përmes autoriteteve të saj të Kontrollit të Cilësisë të Ushqimit ka urdhëruar largimin dhe sekuestrimin e menjëhershëm nga tregjet e saj të një sasie të papërcaktuar të kikirikëve kinezë.

Foto të mallit të kaluar kontrabandë në Pikën Kufitare Murriqan nga Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër

Ngarkesat me kikirikë nga Kina kanë udhëtuar për në Kroaci nëpërmjet Egjiptit dhe pas ekzaminimeve të hollësishme, autoritetet kroate kanë gjetur nivele të rrezikshme të aflatoksinës në një sasi prej 9,2 mikrogramë për kilogram. Niveli i rrezikut që njoftohet nga Autoritetet e Kontrollit të Ushqimit Kroate cilësohet si ‘SERIOZ’.

Por situata me tregtimin e kikirikëve të dëmshëm me substancën helmuese aflatoksinë në Evropë është rënduar edhe më tepër në fillimin e 2017. Vetëm gjatë muajit shkurt, specifikisht në 3 Shkurt 2017, Italia ka bllokuar një sasi kikirikësh nga Kina të ardhur nga Egjipti.

Në 6 Shkurt, Italia bllokon të tjerë kikirikë nga Irani, ndërsa Britania bllokon sasi me kikirikë nga Kina. Në 8 Shkurt 2017, autoritetet e Maltës sekuestrojnë të tjera ngarkesa nga Kina.

Në datën 10 Shkurt Spanja bllokon 3 anije të ndryshme me ngarkesa kirikikësh nga Kina, ndërsa Greqia ka bllokuar 2 ngarkesa me kikirikë të dëmshëm në datën 10 Shkurt 2017./AgroWeb.org