Rakia e Rigonit, Tradita e Rrallë Përmetare

1.2k 0

Rakia e rigonit është një nga pijet më unike dhe më të lashta të zonës së Përmetit në jug të Shqipërisë. Kjo pije përgatitet nga rigoni i bardhë që rritet në këtë zonë. Rakia e rigonit kërkon shumë kohë përgatitjeje, por mbetet një nga suveniret më të kërkuara të zonës.

Nevojiten 50 litra ujë dhe 10-15 kg rigon që futen në një fuçi druri. Pas dy ose tre ditësh, rigoni i bardhë fillon të fermentohet, një proces që bie lehtë në sy. Lëngu i krijuar duhet përzier rregullisht me kalimin e ditëve deri sa të mos formojë bulëza.

Ky proces zgjat rreth 10 ditë. Pas mbarimit të fermentimit, përzierja është gati për procesin e zakonshëm të përgatitjes së rakisë. Rakia e rigonit i nënshtrohet një procesi të vetëm fermentimi.

Përgatitja e rakisë së rigonit është një nga traditat më të lashta përmetare. Kjo pije karakteristike, konsumohej zakonisht gjatë stinës së dimrit dhe përdorej për të kuruar problemet me frymëmarrjen.

Kjo pije kryesisht përgatitet në sasi të vogla në krejt krahinën e Dangëllisë. Rakinë nuk mund ta blini në treg, sepse ajo përgatitet për përdorim shtëpiak. Ngjyrën e ka transparente, por jo rrallë ndeshet edhe ngjyra e verdhë e karamelizuar si një specialitet më vete.

Kjo traditë duket të jetë drejt shuarjes, falë ndryshimeve demografike dhe migrimit. Brezat e rinj kanë humbur interesin ndërkohë ata që nuk e kanë harruar zanatin e kësaj rakie të barishtes së egër janë pakësuar në numër.

Rigoni shqiptar, Gëzimi i Malit

Kjo bimë që mban emrin e “Gëzimi i Malit” rritet në Shqipëri gjatë gjithë vitit. Vendlindja e rigonit është në fakt Evropa lindore, por ajo është përhapur ndjeshëm në shumë zona të botës. Shqipëria është një vend me fat që ka këtë bimë të egër si në veri ashtu edhe në jug

Rigoni ka 42 herë më shumë fuqi antioksidantësh se mollët.

Një studim i mjekësisë ndërkombëtare subjekt i të cilit ishte edhe kopra, trumza, rozmarina dhe mentja, zbuloi që rigoni përmbante nga 3 në 20 herë më shumë antioksidantë se çdo barishte apo erëz tjetër. Ndaj edhe pija e përftuar nga rigoni merr vërtet trajta mjekësore.

Sipas studimit, fuqitë antioksiduese të rigonit ia kalonin atyre të vitaminës E apo edhe frutave, perimeve, frutave të thata dhe hudhrës.

Rigoni kundër baktereve

Vajrat esencialë që gjenden në këtë erëz përfshijnë thimolin dhe karvakrolin dy substanca që parandalojnë rritjen dhe zhvillimin e baktereve.

Sipas të dhënave këto dy prej përbërësve kryesorë të vajit eterik të rigonit të Shqipërisë janë në një nivel më të lartë në bimët e jugut. Të dhënat shkencore mbi ushqimet e pasura me vlera e rendisin rigonin si një burim të pasur fibre e cila largon kripërat biliare dhe toksinat që shkaktojnë kancer në zorrën e trashë.

Një funksion i tillë e detyron organizmin të shpërbëjë kolesterolin që të prodhojë kripëra të tjera. Rigoni klasifikohet si një burim i shkëlqyer i vitaminës K, manganit dhe një burim i mirë i hekurit dhe kalciumit./AgroWeb.org