Reforma në sigurinë ushqimore, nga retorika në aksion

333 0

Bujqësia është shtylla kurrizore e ekonomisë shqiptare, de facto dhe de jure. Statistikisht ajo përbën vetëm 20% të GDP, por ama ka të punësuar rreth gjysmën e popullsisë. Për t’i dhënë bujqësisë atë çka i takon me të drejtë bujqësisë, si një nga kolonat më të rëndësishme të ekonomisë e bashkangjitur kjo dhe me sigurinë ushqimore si një e drejtë themelore njerëzore, duhet që ajo të vendoset në qendër të politikave të qeverisjes, të shoqërisë civile dhe agrobiznesit shqiptar. Arsyet janë dy. E para është se siç dhe e përmendëm më lart është motorri i zhvillimit të ekonomisë. Dhe së dyti sepse nga bujqësia do të varet dhe fati i anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Bujqësia dhe Siguria Ushqimore përbëjnë 2 prej kapitujve kryesorë që qeveria shqiptare duhet të përmbushë duke kryer reforma konkrete në mënyrë që dyert për në BE të na hapen.

Aktualisht Shqipëria nuk është një gjendje që të eksportojë mish dhe produkte blegtorale për shkak të mungesës së gjurmueshmërisë së tyre, drejt tregjeve të BE. Ndalimi që Bashkimi Evropian i ka bërë këtyre produkteve shqiptare, të cilat janë vlerësuar me nivel të lartë rreziku, i kanë shkaktuar jo pak ekonomisë tonë, duke qenë se ekportet luajnë një rol të rëndësishëm në ekonomi, duke ndikuar drejtëpërsëdrejti në punësim dhe në balancimin e defiçitit.

Si pjesë e diskutimit të reformave për integrimin në BE, Lëvizja Evropiane në Shqipëri (EMA), me mbështetjen e Ministrisë së Bujqësisë, javën e kaluar mbajtën një tryezë të rrumbullakët pikërisht mbi reformën në sigurisë ushqimore. Për zëvendës ministrin e Bujqësisë, Alban Zusi kjo reformë është thelbësore: “Integrimi i vendit varet shumë nga kjo reformë. BE i ka vënë një theks të madh sigurisë ushqimore, të cilën dhe ne duhet ta marrim me shumë seriozitet”. Por në të njëjtën kohë, sipas zv ministrit Zusi, duhet të hiqet një herë e mirë mendësia se gjithçka duhet të zgjidhet nga shteti. “Kjo reformë është rasti kur përfshirja e sektorit privat, shoqërisë civile dhe auditit të huaj do të përbëjnë çelësin e suksesit”.

Zv ministri i Bujqësisë, Alban Zusi gjate diskutimit me ekspertë dhe drejtues të lartë të sektorit bujqësor dhe fermerë mbi reformën në sigurinë ushqimore. 

Dhe në fakt risia e kësaj reforme do të jetë pikërisht delegimi i përgjegjësive tek sektori privat. Reforma kryesisht do të konsistojë në linearizimin dhe vertikalizimin e përgjegjësive për çdo sektor dhe për çdo hallkë. Çfarë do të thotë se çdo deformim në standadet e sigurisë ushqimore apo çdo situatë problematike do të ketë një institucion përgjegjës që do të zgjidhë situatat problematike që lidhen me mosregjistrimin e kafshëve, moskontrollin e lëvizjes, të mos vaksinimeve dhe një menaxhimi më të mirë e më të plotë të sëmundjeve pasi klinika të caktuara do të mbulojnë rajone të caktuara gjeografike me kontrata dhe përgjegjësi të qarta.

Integrimi i vendit varet shumë nga kjo reformë. BE i ka vënë një theks të madh sigurisë ushqimore, të cilën dhe ne duhet ta marrim me shumë seriozitet

Prej kohësh siguria ushqimore ka vuajtur pasojat e mungesës së reformës, duke u kthyer gati në një lojë ping pongu, duke ia kaluar fajin sa njërës palë sa tjetrës. Agim Rrapaj, Kryetar i Këshillit të Agrobiznesit Shqiptar, shprehu shqetësimin në lidhje me mungesën e implementimit të ligjeve të cilat janë aktualisht në fuqi. “Kanë kaluar 25 vjet dhe faji është hedhur sa në një degë në tjetrën. Nëse nuk zbatojmë këto ligje dhe reforma ne jemi prapë në vend numëro”, vuri në dukje Rrapaj duke theksuar urgjencën me të cilën duhet të kryhet kjo reformë, e cila do të zhbllokojë dhe eksportet e produkteve blegtorale shqiptare.

Por as nga importet situata nuk shfaqet dhe aq rozë. Për Drejtorin e AKU, Afrim Bakaj situata është shumë kritike, veçanërisht në zonat kufitare, ku mungesa e infrastrukturës e bën të pamundur që të bëhet kontrolli i produkteve blegtorale në vend. “Ne nuk kemi as kushtet minimale për të kontrolluar produktet e importit”, tha Bakaj.

Çka e thënë ndryshe do të thotë zero siguri ushqimore. Por në thelb çdo të thotë siguri ushqimore. A ju ka rastitur t’ia bëni ndonjëherë këtë pyetje vetes? Po për konsumatorin e zakonshëm çfarë nënkupton? Zakonisht ne ndalojmë vetëm tek shpjegimi që nënkupton se në tavolinat tona kemi ushqim të sigurtë ose jo. Dhe kaq. E vërteta është që njohuritë tona për sigurinë ushqimore janë tejet të vakëta.

Në vitin 1996, Forumi Botëror i Ushqimit përcaktoi se siguria ushqimore ndodh “kur të gjithë njerëzit në të gjitha kohërat kanë akses të mjaftueshëm në ushqim të bollshëm, të sigurtë me vlera ushqyese, në mënyrë që të kenë një jetë të shëndetshme dhe aktive”.

Por me të drejtë, edhe pasi ta keni lexuar termin ekzakt, sërish mund të ngrini pyetjet se cila është lidhja e drejtpërdrejtë që ka siguria ushqimore me ju. Atëherë ju mjafton të dini parashikimet për vitin 2050 për ta kuptuar këtë. Bota në këtë vit parashikohet të arrijë rreth 9.6 bilionë njerëz dhe natyrshësm lind pyetja me çfarë do të ushqehen gjithë këto njerëz, duke marrë në konsideratë mënyrat me të cilat ne sot prodhojmë ushqim dhe abuzojmë me burimet e konsumit?!

Sipas FAO, kjo është një çështje shume serioze, pasi të varfrit, duke mos pasur të ardhura nuk do të mund të sigurojnë dot më as ushqimin. Por edhe në rastet kur disa vende kanë furnizim të bollshëm me ushqim, nëse ai është i infektuar, mund të çojë në një sërë sëmundjesh. Bota aktualisht i ka burimet dhe teknologjitë për ta zhdukur urinë dhe për të siguruar në një kohë të gjatë sigurinë ushqimore, përmes politikave të duhura dhe investimeve në këtë sektor. Edhe Shqipëria i ka këto burime dhe ky është momenti që ne të kalojmë nga retotorike tek hapat konkretë.

Reforma nuk duhet parë thjesht si një tufë me ligje nga të cilat kuptojmë pak ose aspak, por vënia në vijën e parë të politikë bërjes, do të bëjë që ajo të ecë me hapa të shpejtë, duke rritur sigurinë ushqimore në vend. De facto.