Rikthehet Gripi i Shpendëve – Ministria e Bujqësisë bllokon importin

743 0

Alarm për rrezikun e mbërritjes në Shqipëri të gripit të shpendëve. Ministria e Bujqësisë deklaron se Shqipëria është e rrezikuar dhe ka urdhëruar nga sot 23 Nëntor, 2016 bllokimin e importit të shpendëve nga vendet e prekura.

Ministria e Bujqësisë ka urdhëruar Autoritetin Kombëtar të Ushqimit, i cili ka në strukturë të tij, Pikat e Inspektimit Kufitar (PIK), për ndalim e importit të shpendëve të gjallë nga vendet e prekura.

Në Tetor 2016, autoritetet në Austri, Kroaci, Danimarkë, Gjermani, Hungari, Poloni, Rusi, Zvicër dhe Holandë kanë raportuar ngordhje në zogjtë e egër, për shkak te virusit H5N8 të influencës aviane. Shumica e shpërthimeve të virusit është parë të ndodhin në shpendët e egër (rosa, pulëbardha), por gjithashtu kanë ndodhur edhe në rosat e fermave dhe pulat e gjelat në rritje ekstensive.

Për këtë arsye, Ministria e Bujqësisë, është e detyruar që të marrë masa parandaluese dhe për këtë arsye, nga vendet e sipërpërmendura, ku është shfaqur ky virus, Shqipëria ka ndaluar nga sot, importin e shpendëve.

Ministria e Bujqësisë deklaron se Shqipëria është e rrezikuar për shkak të shtegëtimin të shpendëve të egër drejt lagunave.

Ndërkohë, Ministria e Bujqësisë, iu bën thirrje fermerëve në të gjithë vendin, që të lajmërojnë Shërbimin Veterinar në rast konstatimi të shpendëve të ngordhur.

Influenca aviane e njohur gjithashtu si “Gripi i shpendeve” shkaktohet nga virusi i influencës “Tipi A”, i cili mund të prekë disa specie (pulat, gjelat, pulat afrikane, shkurtat etj), si dhe shpendë shtëpiakë e të egër; disa shtame shkaktojne mortalitet të lartë. Virusi është izoluar gjithashtu nga disa gjitarë, duke përfshirë njerëzit, minjtë, macet dhe qentë.

Historikisht, në të gjithë botën, kanë ndodhur shpërthime të Influences Aviane dhe kanë qenë të lidhura me rrugët migratore të zogjve të egër.

Në vitin 2006, ka pasur shpërthime në disa vende të Evropës, përfshirë edhe Shqipërinë.

Tipi i virusit që shkaktonte shperthime në Shqipëri ishte H5N1, Influenca aviane me një patogjenitet të lartë (HPAI), i cili mund të prekë edhe njerëzit, duke shkaktuar dëmtime serioze. Në këtë mënyrë, viruset e Influencës aviane prekin prodhimtarinë e shpendëve dhe shëndetin publik dhe në zogj, HPAI mund të shkaktojë shenja të rënda klinike ose mortalitet të lartë. Zakonisht, shenjat e para të një shpërthimi janë ngordhjet në zogjtë e egër dhe atyre të fermave.

Masat e kontrollit janë ai i lëvizjeve në vend, dezinfektimi, deratizimi, dezinsektimi, gjurmueshmëria, karantina, eleminimi i të gjitha kafshëve të prekura, asgjësimi nën mbikqyrjen zyrtar e të karkasave, produkteve dhe mbetjeve të tyre, survejancë brenda zonës së kontrollit ose zonës së mbrojtjes, kontrolli i rezervuarëve, kafshët e egra, zonimi etj. Ndërsa vaksinimi është i ndaluar dhe nuk duhet kryer asnjë trajtim për kafshët e prekura.

Fermereve u kërkohet që të përmirësojnë higjienën në ferma dhe masat e biosigurisë për të ulur rrezikun e futjes së HPAI ne njësitë e tyre të shpendarisë. Viruset e Influencës aviane prodhojnë lehtesisht variante të reja patogjenike dhe vaksinimi nuk përdoret si një metodë kontrolli praktike./AgroWeb.org