Rikthimi historik i djathit shqiptar

1.4k 0

I freskët që të shkrin në gojë. I fortë me vrima që të bën t’i rrotullosh sytë nga kënaqësia. Dhie. Lope. Deleje. Shqiptarët me 11.5 kilogramë për frymë në vit renditen në vendet me konsum të lartë të djathit në botë. Qoftë i bardhë apo kaçkavall me vrima, djathi është kurdoherë në tavolinën e shqiptarit. “Bukë e djathë” dhe zemër të bardhë do të thoshin në Gjirokastër, qytetin që siç thoshte Kadare “duket sikur është ngritur për të zgjuar ide të mëdha".

Dhe një e tillë duket të ketë qenë pikërisht ajo e prodhimit të djathit. Do të ishin çobenjtë çamë që mes ecejakeve mes Shqipërisë e Greqisë do të sillnin nga vendi fqinjë traditën e bërjes së djathit të bardhë dhe kaçkavallit.

Por për një gjirokastrit krenar si Çobo Sejfo, kjo teori nuk qëndron. “Grekët e kanë marrë djathin nga ne. Ne kemi qenë të parët që e kemi prodhuar. Madje e kemi tregëtuar të parët në Greqi”, të thotë Sejfo me theksin e tij të fortë prej gjirokastriti.

Ai është nga ata burrat babaxhanë me të cilin e ke të vështirë të argumentosh, për më tepër kur nga pas ka 40 vite eksperiencë në baxho. Ai jeton me djathin dhe e shpreh këtë me shumë krenari.

“Në fakt zona e Gjrokastrës njihet për cilësinë shumë të lartë të djathit. Dhe ata janë shumë krenarë për këtë”, thotë për AgroWeb, teknologia Drita Decolli. Por jo vetëm Gjirokastra ka të drejtë të mburret me djathin: Vlora, Korça dhe Tepelena prodhojnë gjithashtu djathë të shkëlqyer.

Sekreti është i gjithi tek aroma dhe shija, që vjen dhe nga fakti se delet dhe dhitë rriten në kullota të gjelbra, me ujë e ajër të pastër. “Të gjithë këto elemente e pasurojnë qumështin me përbërës të shëndetshëm, për më tepër që ekspertiza dhe teknologjia e bëjnë djathin tonë cilësisht të krahasueshëm me djathin grek feta”, thotë Decolli.

Që djathi shqiptar është i një cilësie të lartë, këtë e tregojnë dhe dokumentet historike. Në vitet ’30 përshembull djathi ynë krahasohej me djathin zvicerian.

Sipas të dhënave historike, prodhimi i djathit cilësor ka qenë traditë e fortë në Shqipëri. Sipas vjetarit statistikor të vitit 1930, ka pasur eksporte të rëndësishme shqiptare të djathit në SHBA dhe Britani të Madhe. Gjiza eksportohej kryesisht në Egjipt ndërsa gjalpi ka qenë një produkt i rëndësishëm dhe shqiptarët kishin një pozicion të vlerësuar në tregun grek dhe atë turk.

Eksportet shqiptare të djathit vlerësoheshin për faktin se ishin të lira dhe njëkohësisht me cilësi të njëjtë me djathin zviceran.
Eksportet shqiptare të djathit në SHBA arritën deri në 1 mijë tonë në vit. Eksportet shqiptare në total arritën deri në 12 milionë franga ari në vitin 1932, nga vetëm 2 milionë që kishin qenë në vitin 1920. Por pas krizës së madhe botërore, SHBA-ja dhe Britania e Madhe vendosën barriera tregtare për mallrat e importit dhe djathi shqiptar humbi dy tregje të rëndësishme.

Në të njejtën kohë, sipas historianëve, ish Bashkimi Sovietik hodhi në shitje me çmime të ulta, djathë dhe gljalpë në të gjithë Ballkanin dhe Turqi, për të përmirësuar pozicionin e saj të jashtëm valutor. Kjo gjë solli daljen e gjalpit shqiptar nga tregu i Greqisë dhe Turqisë dhe eksportet shqiptare ranë në vetëm 3 milionë franga në vitin 1923.

Sot, rreth 30% e qumështit të prodhuar në Shqipëri përdoret për prodhimin e plot 13 mijë tonëve djathë që përbën 4.7 kilogram/frymë. Megjithatë, duke qenë se shumica e blegtorëve akoma punojnë në tregjet informale, niveli i vërtetë i djathit të prodhuar në vend mendohet të jetë 34,000 ton ose 11.5 kg djathë për frymë në vit.

Djathi Feta është një produkt i rrallë dhe i shtrenjtë në tregun e Bashkimit Evropian. Ky djathë prodhohet nga qumështi i bagëtive si dhitë apo delet. Në vitin 2011, Greqia i kërkoi Bashkimit Evropian që emri “feta’ të kthehej në monopol të prodhuesve dhe eksportuesve Grekë, me justifikimin se ky lloj djathi prodhohej në këtë vend.

E vërteta është që vendet e pasura nuk e marrin mundimin të prodhojnë sasi të mëdha të këtij djathi për përdorim masiv, për shkak të kompleksitetit në rritjen dhe mjeljen e bagëtive. Danimarka e kundërshtoi kërkesën e Greqisë duke qenë se ky vend ishte gjithashtu një prodhues i djathit Feta. Çështja vajti deri në gjykatë dhe Greqia fitoi, gjë që tregon rëndësinë e madhe të tregëtisë së këtij djathi.

Shqipëria prodhon rreth 1,131,156 ton qumësht në vit dhe 12 përqind e tij vjen nga bagëtitë e imëta Një pjesë e këtij qumështi përdoret për prodhimin e djathit sidomos në zonën e Jugut. Problemi deri më tani qëndron në faktin që nuk ka pasur përpjekje të mjaftueshme për të reklamuar këtë produkt të rrallë dhe interesant si në tregun vendas ashtu edhe për eksport. “Cilësia e këtij djathi, sidomos atij të prodhuar në jug të vendit është shumë e lartë, për shkak të traditës në prodhim dhe klimës së mirë. Në këto zona, prodhuesit nuk përdorin qumështin pluhur. Ju siguroj për këtë” Drita Decolli tha për AgroWeb.
I gjithë djathi që prodhohet në vend, së bashku me të importit, që shkon në shifrën e 1 ton, konsumohet brenda vendit pa mundur të eksportohet. Kjo edhe për shkak se Shqipëria nuk është në gjendje që të eksportojë mish dhe produkte blegtorale për shkak të mungesës së gjurmueshmërisë së tyre drejt tregjeve të BE-së.

Ndalimi që Bashkimi Evropian i ka bërë këtyre produkteve shqiptare, të cilat janë vlerësuar me nivel të lartë rreziku, i kanë shkaktuar jo pak ekonomisë tonë, duke qenë se ekportet luajnë një rol të rëndësishëm në ekonomi, duke ndikuar drejtpërdrejt në punësim dhe në balancimin e defiçitit.
Djathi është një nga produktet më të kërkuara sot në botë dhe djathi Made in Albania për cilësinë dhe traditën e gjatë do të mund të konkuronte fort në tregun ndërkombëtar. Ashtu si në vitet ’30, kur i bëri amerikanët dhe britanikët të binin kokë e këmbë në dashuri me djathin shqiptar./AgroWeb.org/