Risia e Verës Shqiptare – Chardonnay nga Mamurrasi

1k 0

Shqiptarët njihen për verën e tyre tradicionale, por kujt mund t’i kishte shkuar ndër mend se në Mamurras, në këtë cep të kësaj qyteze të vogël, do të ndodhej një nga vreshtaritë më të mëdha në vend: 16 hektarë me vreshta që mbërrijnë deri në brigjet e lumit Mat. Nga të cilat prodhohet edhe Chardonnay, produkt shqiptar.

Pronari i kësaj cope të vogël parajse në mes të asgjëkundit, Spahi Jahja ka lënë biznesin e sigurt të tregëtimit të bimëve medicinale për t’iu futur rrugës plot pasiguri të biznesit të vreshtarisë dhe verëtarisë. “Mund të duket çmenduri dhe me siguri që është. Por e mira është që biznesi i vreshtarisë ashtu si vera, bëhet më i mirë me kalimin e kohës”, thotë Spahiu ndërsa merr frymë thellë dhe fshin djersët nga balli, jo aq nga sikleti i biznesit ku është futur, sa nga moti tejet i ngrohtë. “Eshtë vapë, shumë vapë, por ky nuk është domosdo një lajm i keq, përkundrazi është shumë i mirë për vreshtat e mia. Do të kem rrush të shkëlqyer për këtë vit, nga i cili do të prodhoj verë po aq të mirë”, thotë pa e fshehur gëzimin ndërsa në fytyrë i lexohet qartë, madje me gërma kapitale: “Po, është e vështirë, por unë ja dola”.

Jahja kujdeset që cilësia e rrushit në vreshtat e tij jetë në nivelet më të larta, pasi vetëm kështu mund të konkurojë në treg.

Biznesi i verës nuk është shaka, por tejet i vështirë, edhe kur ke 16 hektarë me vreshta dhe arrin ta shesësh të gjithë prodhimin. Spahi Jahjas i janë dashur plot shtatë vjet që të marrë fitime nga vreshtaria. Në vit ai arrin të prodhojë 140 ton rrush, nga të cilat 60 ton janë rrush industrial (i cili përdoret për prodhimin e verës) dhe 80 ton për rrush tavoline që përdoret për konsum. Ai e shet të gjithë rrushin e tavolinës në qytetet përreth: Tiranë, Shkodër, Lezhë, ndërkohë që rrushin industrial një pjesë e shet tek disa kantina në vend, si Arbri, Lundra apo Miqësia dhe më shumë se gjysmën e përdor për të prodhuar verë në kantinën e tij.

Pasi, si mund të kuptohet një vreshtari pa kantinën e saj? Hapi tjetër pas vreshtës për Jahjan ishte pikërisht hapja e kantinës. Në aspektin konstruktiv nuk kërkon ndonjë investim gjigand, por pajisjet e teknologjisë së lartë janë ato që bëjnë ndryshimin dhe ambjenti i degustimit të verës duhet të jetë tërheqës për vizitorët. “Kjo sigurisht që nuk ka ndodhur sa hap e mbyll sytë. Ka kërkuar kohë dhe investime. Dhoma frigoriferike përshembull ka kërkuar një investim të madh, veçanërisht në prodhimin e verës së bardhë”. Në vit kantina e tij arrin të prodhojë 20.000 litra verë.

Në vreshtën e tij ai ka mbjellë disa nga llojet më të mira të rrushit që nga Chardonnay tek Merlot apo Sauvignon blanc

Investimi

Edhe pse jo çdo njeri ka ambicien e Jahjas, rregulli i parë është se nëse do të prodhosh si 20.000 litra verë apo edhe 10.000, do të duhen para, shumë më tep&eumeuml;r nga çfarë keni llogaritur në fillim. Nëse do të nisësh nga e para një vreshtë, do të duhen nga dy deri në katër vjet përpara se vreshti të prodhojë produkt për konsum, ndërkohë që procesi i verëtarisë kërkon një a dy vite të tjera. “Të duhet të përgatitesh të investosh shumë dhe të mos presësh kthim të investimit në vitet e para”, tregon Jahja, i cili i ka investuar të gjithë kursimet e tij në ato 16 hektarë vreshta.

“Ka momente, ku të duket sikur po mbytesh dhe ke marrë fund”, thotë ai duke iu referuar përmbytjeve të viteve më parë, që i shkatërruan të gjithë prodhimin e një viti duke e lënë duarbosh. “Dhe ka momente, kur ti sheh të gjithë këtë dhe lumturia ështe e papërshkrueshme”, thotë ai me një buzëqeshje të madhe, ndërsa shpjegon të gjithë llojet e ndryshme të rrushit që ka në vreshtë që nga Chardonnay tek Merlot apo Sauvignon blanc dhe për verën e mirë që pret të prodhojë këtë vit.

“Por sërish ky është një biznes i vështirë”, të thotë si për t’u siguruar se kjo nuk është një punë e lehtë dhe të investon në vreshtari ndonjëherë është “si të futesh para në një vrimë të madhe. Por besoj se ky është dhe rrisku që merr kur investon në një biznes të tillë, kur një pikë shi mund të shkatërrojë të gjithë prodhimin e një viti. Por nëse do të kthehesha prapë në kohë, po besoj se do ta bëja sërish me të gjithë sfidat që më është dashur të kaloj. Biznesi i verës s’është i lehtë, por unë prodhoj verë të mirë dhe kjo më nxjerr faqebardhë”, thotë Jahja ndërsa pi një gllënjkë nga Chardonnay dhe menjëherë e kupton se vërtet ai ja ka dalë të ketë sukses.

Vera e tij shitet në tregun lokal, por me interes për t’u eksportuar gjithashtu edhe në tregun e huaj. “Unë kam verë të shkëlqyer, por kam një pikë të dobët. Dhe kjo është marketing. Deri më tani kam punuar me njerëz që kam njohur dhe më kanë njohur, por në mënyrë që të zgjerohem në treg do të më duhet një strategji shumë e mirë marketingu”, thotë ai me të drejtë, sepse para se ta mbushësh gotën me verë, më parë duhet të joshesh nga pamja dhe etiketa e verës. Jo vetëm për të, por edhe për prodhuesit e tjerë të verës shqiptare, ka ende rrugë për të bërë./AgroWeb.org