Rrushi Italian dhe Portokallet nga Afrika e Jugut Me Pesticide

558 0

Kohë të errëta për produktet italiane që eksportohen në vendet e Bashkimit Evropian. Pasi Gjermania futi në listën e zezë domatet qershiza të Italisë, një tjetër goditje vjen ndaj eksporteve ushqimore italiane në BE.

Në 16 nëntor 2016, Austria urdhëroi zyrtarisht rrjetin e saj të shitjeve për një kontrroll të hollësishëm të rrushit italian në tregun e saj, për shkak se, ekzaminimet e kryera në shtator treguan për nivele të rrezikshme të pesticidit klorpirifos (chlorpyrifos) në rrushin italian. 

Bëhet fjalë për një prezencë të madhe të pesticidit klorpirifos, prej 0.138 miligram për kilogram, pra dyfishi i sasisë së këtij pesticidi të gjendur në mollët e importuara nga Polonia, të cilat u bllokuan pak kohë më parë nga Republika Çeke. Kliko për njoftimin zyrtar.

Gjithashtu, po në 16 nëntor 2016, Norvegjia përmes Autoritetit të Kontrollit Ushqimor urdhëroi tërheqjen e menjëhershme nga tregu të portokalleve nga Afrika e Jugut. Sipas raportimeve të AgroWeb.org, kontrollet laboratorike të këtyre portokalleve konfirmuan praninë në sasi të rrezikshme të pesticidit Metidation (Methidathion) prej 0.12 miligram për kilogram. Kliko për njoftimin zyrtar.

Rreziqet e rrushit italian dhe portokalleve të Afrikës së Jugut janë klasifikuar si "SERIOZE" nga Qendra e Alarmit të Komisionit Evropian dhe të gjitha vendet e BE-së janë në alarm dhe gatishmëri të plotë për dërgesat e këtyre produkteve të rrezikshme.

Për fat të keq, të dyja këto produkte janë ndër produktet e importuara edhe në vendin tonë. Shqipëria importon rrush nga Greqia dhe Italia, si edhe portokalle nga Afrika e Jugut nëpërmjet Greqisë. AgroWeb.org po e ndjek çështjen nga afër për të marrë informacion nga Autoritetet Doganore Shqiptare dhe nga zyrtarët e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit.

Këshilla më e mirë për konsumatorin vendas është të konsumojë sa më shumë produkte shqiptare, veçanërisht portokallet, të cilat janë ndër produktet më të mira të këtij sezoni në Shqipëri./AgroWeb.org

Rreziqet e chlorpyrifos gjetur në rrushin e Italisë

Klorpirifos është një substancë toksike për njerëzit. Sipas kërkimeve të AgroWeb.org, ekspozimi ndaj kësaj substance ka ndikim në sistemin neurologjik, shkakton çrregullime të shumta dhe dëmton imunitetin. Ekspozimi gjatë shtatzanisë vonon zhvillimin mendor të fëmijëve. Gjithashtu fëmijët janë më të predispozuar të preken qoftë edhe nga dozat më të vogla të kësaj lënde toksike.

Rreziqet e pesticidit Metidation gjetur në portokallet e Afrikës së Jugut

Methidathion është një përbërës me vlera shumë të larta toksike që mbart në etiketën e tij fjalën RREZIK. Ky përbërës është helmues për njerëzit, për shkak të kapacitetit të tij për të ndërhyrë në enzimat që lidhen me frymëmarrjen dhe me aktivitete të tjera të sistemit nervor. Simptomat e helmimit akut nga pesticidi metidation përfshijnë të përziera, të vjella, dhimbje barku, diarre, jargëzim, dhimbje koke, marramendje, dridhje të muskujve, vështirësi në frymëmarrje, shikim të turbullt dhe dhimbje dhe ngushtim në gjoks. Ky helmim akut mund të shkaktojë probleme të mëdha dhe serioze në frymëmarrje, duke përfshirë edhe paralizë të muskujve të frymëmarrjes./AgroWeb.org