Sallata Iceberg, barishtja më e re në treg

3.3k 0

Sallata Ajsberg është një kultivar i ndryshëm i sallatës jeshile, gjethet e së cilës janë të forta, rriten në formën sferike dhe e bëjnë sallatën t’i ngjajë lakrës. Por jo, nuk është aspak një lakër, por tamam një sallatë e gjelbër në formën e lakrës.

Kjo sallatë është e ndryshme nga sallata marule që jemi mësuar të blejmë në Shqipëri, jo vetëm për shkak të ngjyrës së zbehtë, por edhe formës së tejzgjatur.

Sallata Ajsberg ka nisur të kultivohet në Shqipëri, si një alternativë e sallatës tradicionale jeshile, jo vetëm për të plotësuar nevojat tregun vendas dhe për eksport, por edhe për faktin se bëhet fjalë për një varietet të fortë me një jetëgjatësi më të madhe në aspektin e freskisë.

Agrobizneset vendase, kryesisht ato të Divjakës dhe të Lushnjës kanë nisur t’i dedikojnë këtij produkti, hapësira gjithmonë e më të mëdha kultivimi, falë kërkesave të eksportit, por edhe atyre të tregut vendas.

Sallata Ajsberg fillimisht gjeti vend në tregun shqiptar si produkt i importuar nga supermarketet e huaja që operojnë në Shqipëri dhe më pas vendin e importeve, po e zë produkti vendas i këtij kultivari.

Nëse keni vënë re një sallatë në formë gjatoshe me gjethe të puthitura mirë dhe me ngjyrë të çelët, atëherë me siguri keni parë sallatën Ajsberg.

Kjo sallatë ka një shije të butë, të mprehtë dhe kërcet në përtypje. Ajo përbën një zgjedhje shumë të mirë për disa kombinime sallatash dhe paninesh. Nëse e përzieni me barishte të tjera, sallata Ajsberg do të jetë një shtesë e këndshme për gatimet tuaja.

Kjo sallatë e ruan freskinë për shumë kohë në frigorifer, rrjedhimisht shpërdorimi dhe prishja e saj është minimale, gjë që e bën sallatën Ajsberg një zgjidhje ekonomike.

Sallata Ajsberg është një burim i mirë fibre, kaliumi, kalciumi, vitamine A, vitamine C dhe hekuri. Ajo përmban pak kalori falë nivelit të lartë të ujit.

Gjethet e gjëra dhe të trasha përmbajnë më shumë ujë se çdo barishte tjetër. Ngjyrat e sallatës Ajsberg variojnë nga lloji i kultivarit, vendi dhe mënyra e rritjes. Gjethet e jashtme kanë ngjyrën e të gjelbrës së detit apo të limonit jeshil, ndërsa gjethet e brendshme kanë nuance të lehta të të verdhës në limitet e të bardhës të padukshme.

Të gjitha gjethet kanë një formë perfekte të zgjatur, ndaj mund të konsiderohet si e vetmja barishte që nuk e gjen në formë tjetër.

Ndjesia e kërcitjes që merr kur kafshon sallatën Ajsberg vjen nga niveli i konsiderueshëm i ujit në gjethe. Përveç kësaj, sallata Ajsberg është praktikisht pa kalori dhe plot fibra, ndaj ju nuk duhet t’i ndaheni asaj. Do të ndiheni të ngopur dhe aspak në faj për ngrënien e tepërt.

Sallata Ajsberg përmban sasi të konsiderueshme të disa substancave që shërbejnë si antioksidantë në organizëm. Disa prej substancave të tjera që gjenden tek sallata Ajsberg janë pranuar shkenërisht të kenë ndikim pozitiv kundër manifestimit të panikut dhe ankthit. Kjo sallatë shpesh e zhvlerësuar përbën kështu një trajtim alternativ për menaxhimin e stresit.

Vlerat shëndetësore të sallatës Ajsberg

Humbni në peshë: Sallata Ajsberg ka një sasi të lartë uji dhe ka pak kalori. Ndaj ajo do t’ju vijë në ndihmë në përpjekjet për të humbur në peshë.
Ofron shëndet të mirë: Sallata Ajsberg është e pasur me vitaminë A që është një vitaminë e rëndësishme për shëndetin e syve, rritjen dhe zhvillimin e kockave dhe forcimin e sistemit imunitar.
Parandalon difektet në lindje: Sallata Ajsberg është një burim i mirë i folatit. Ushqimet e pasura me folat ndihmojnë nënat shtatzënë në parandalimin e difekteve të fetusit.
Kundër mpiksjes së gjakut: Sallata Ajsberg përmban gjithashtu vitaminë K, që ndihmon në prodhimin e proteinave të nevojshme për trupin kundër mpiksjes së gjakut./AgroWeb.org