Sëmundja e Patates – Masat e Ndërmarra Për të Luftuar Këtë Problem

1.3k 0

Ndryshimet klimaterike favorizojnë tenjën e patates, një sëmundje kjo që dëmton dhe ul ndjeshëm prodhimin e patates, që është një ndër kulturat bujqësore kryesore në qarkun e Korçës.

Bashkia e Maliqit bën të ditur se inspektorët e bujqësisë e hasën këtë sëmundje një vit më parë, në momentin kur kishte përparuar, ndaj këtë vit dolën më shpejt në inspektim, kryesisht në zonën e Normanit, që njihet për prodhimin më të lartë të patates, ku dhe konstatuan sëmundjen e tenjës.

Drejtori i Bujqësisë Maliq, Arben Dulellari tha për ATSH-në, “se duke pasur parasysh dëmtimet që solli kjo sëmundje vitin e kaluar në prodhimin e patates, këtë vit inspektorët filluan kontrollet më herët në terren në disa zona. Aktualisht po punojmë me fermerët për t’i informuar ata mbi rrezikun e sëmundjes dhe llojet e preparateve që duhet të përdorin”.

“Janë mbi 130 ha tokë e mbjellë me patate ku do të ndërhyjmë për të luftuar këtë sëmundje”, tha Dulellari./Burimi:ATSH