Sfidat e Bujqësisë Organike

407 0

Të paguash 400 lekë të reja për një dorë sallatë mund të duket e ekzagjeruar, por njerëzit janë të gatshëm të paguajnë 10, 20 apo deri 40% më shumë për produkte të caktuara, nëse ato janë të prodhura në mënyrë organike. Kjo, jo vetëm sepse bujqësia organike është në modë, por edhe sepse ushqimi organik sipas perceptimit të konsumatorëve ka më shumë vlera ushqyese, është më miqësor ndaj mjedisit dhe shumë herë më i shëndetshëm se ushqimet e zakonshme.

Shqipëria është një burim i shkëlqyer për produktet organike, duke qenë se është një vend i bekuar me tokë bujqësore pjellore, mot të ngrohtë dhe klimë të butë. Por megjithatë sërish ky sektor mbetet në fazë inkubatori. Ne kemi rreth 100 prodhues dhe 0.01% e të gjithë tokës së punueshme përdoret për bujqësinë organike. Në nivel rajonal, Shqipëria është ndoshta vendi me sipërfaqe më të vogël përsa i përket bujqësisë organike. Sipas të dhënave të Albinspekt aktualisht ka vetëm 38 ferma organike të çertifikuara.

Ndërkohë që tregu për produktet organike është akoma shumë i vogël, sezonal, i fragmentarizuar dhe tejet i personalizuar. Çka pengon përfshirjen e tregëtarëve dhe të shitësve, llogjika e biznesit e të cilëve është e bazuar në vëllime të mëdha dhe në furnizim të përhershëm përgjatë të gjithë vitit dhe jo vetëm në sezon. Përshembull në zonën e Durrësit një fermer i perimeve organike bën dhe rolin e grumbulluesit, të tregëtarit dhe të shitësit me pakicë duke patur një tezgë ku shet produktet tij në treg. Ndërkohë që në zona të tjera përshembull si në Vlorë, Shkodër apo Tiranë prodhuesit e produkteve organike bashkëpunojnë ngushtësisht me dyqanet e shitjes me pakicë apo restorante për të siguruar dërgesa më të shpeshta.

Burimi: AlbInspekt

Pavarësisht gjithë pengesave sektori organik në Shqipëri ka një dinamikë zhvillimi. "Bujqësia organike është tani një realitet me ndikim pozitiv për prodhuesit, konsumatorët dhe mjedisin, dhe jo vetëm për gjeneratat e sotme por edhe për gjeneratat e ardhshme", thekson Prof Enver Isufi i Institutit të Bujqësisë Organike. Edhe në aspektin ligjor rruga për bujqësinë organike është e hapur, pasi që prej vitit 2004 Shqipëria ka një legjislacion për Bujqësinë Organike (viti 2004), megjithëse u deshën disa vite që ai të implementohej.

Në vitin 2007, qeveria e asaj kohe njohu potencialin e madh të bujqësisë organike si një një pjesë e rëndësishme e zhvillimit të sektorit bujqësor në vend, duke e bërë pjesë të një strategjie kombëtare. Sipas ministrit aktual të Bujqësisë, Edmond Panariti, Shqipëria ka një perspektivë të shkëlqyer për rritjen e produkteve organike, pasi vendi ka potencial për të pasur 200 ferma organike.

Duke qenë një vend i vogël me reliev malor dhe me një gamë të gjerë të zonave agro-ekologjike, zonat rurale kanë një avantazh të dukshëm për zhvillimin e kësaj bujqësie, që është dhe shumë miqësore ndaj mjedisit. Në këto zonat bujqësia varet shumë nga puna fizike e fermerëve pasi është e pa prekur nga modernizimi dhe inputet kimike. Kjo bën që produktet organike në këto zona të kënë një cilësi shumë të lartë.

Për këtë arsye, tregu i eksporteve të produkteve organike, është i lidhur dhe mbështetet kryesisht tek burimet natyrore që rriten në zonat rurale të vendit. Më të rëndësishme janë bimët mjekësore dhe aromatike, kërpudhat, gështenjat dhe frutat e egra. Këto kultura kanë të bëjnë me 250.000 hektarë tokë të çertifikuar organike për grumbullimin e produktëve të egra, duke përfshirë mijëra grumbullues në zona të ndryshme rurale. Nëpërmjet ndërmjetësve, këta fermerë më pas arrijnë të kontaktojnë me kompani nga vende të ndryshme të Bashkimit Evropian, ku më pas produktet organike shqiptare tregëtohen me një çmim disa herë më të lartë. Kjo si pasojë dhe e mungesës së ruajtjes, dhoma frigoriferike apo përpunimit, siç është rasti i vajërave esencialë nga bimët medicinale.

Por mundësi të shkëlqyer eksporti kanë dhe ullinjtë e Tiranës, Beratit dhe Jugut, gështenjat e Tropojës, luleshtrydhet organike, mollët e Korçës e të Dibrës apo rrushi organik, fiqtë, shegët e shkëlqyera të Shkodrës, produkte të cilat çelin dritare mundësish për zhvillimin e bujqësisë organike. Pasi nëse do të duam të shohim larg, duhet të shohim drejt bujqësisë organike.