Shija Perfekte e Kungulleshkave të Pjekura me Hudhra e Domate

1k 1

Kungulleshkat janë padyshim ndër perimet më të lehta në çdo recetë gatimi, të pasura në vlera ushqyese e shije fantastike gjithashtu.

Pavarësisht recetës së përgatitjes, kungulleshkat i japin shije çdo gatimi.

AgroWeb.org ju përcjell më poshtë dy receta fantastike të kungulleshkave të marinuara me hudhra dhe një tjetër e përgatitur në furrë me domate.

Këto dy receta janë një mënyrë fantastike për t’u ushqyer shëndetshëm.

Dy Receta Fantastike në Përgatitjen e Kungulleshkave

Kungulleshka të pjekura me domate

Përbërësit për 4-5 persona

1 kg kungulleshka

2-3 filxhanë kafeje vaj ulliri

6-7 kokrra domate

100 gr djathë i bardhë

1 lugë gjelle gjalpë i freskët

1 lugë gjelle miell

Kripë

Piper

Përgatitja

Kungulleshkat pastrohen, lahen dhe priten në feta të rrumbullakëta. Spërkaten në kripë, kalohen në miell dhe skuqen lehtë ose piqen pak në furrë.

Në vijim, AgroWeb.org ju udhëzon që në një tavë të lyer me vaj ulliri vendoset një shtresë me kungulleshka, pastaj feta domatesh dhe spërkaten me pak djathë të bardhë të thërrmuar.

Vendosen përsëri kungulleshka, pastaj feta domatesh, pak djathë të thërmuar dhe mbulohen me feta kungulleshkash.

Kur vihen fetat e domateve hidhet kripë dhe piper.

Nëse dëshironi, vendosjen e kungulleshkave dhe fetave të domateve mund t’i vendosni në tavë edhe njëra pas tjetrës në formë spirale si në foto.

Në fund spërkaten me pak djathë të thërmuar dhe pak gjalpë dhe futen në furrë të piqen.

Kungulleshka me Hudhra

Përbërësit

(Përbërësit më poshtë janë për 4-5 persona)

8 kungulleshka mesatare

6-7 thelpinj hudhra

2 filxhanë kafeje vaj ulliri

Kripë

Piper

Përgatitja

Kungulleshkave u hiqen bishtat.

Pasi lahen dhe fshihen u bëhen dy ose tre prerje për së gjati.

Në prerjet e krijuara vendosen kripë dhe thelpinj hudhrash.

Më pas kungulleshkat spërkaten me kripë dhe vendosen në një tenxhere të cekët ose në tigan.

U hidhet vaj ulliri, mbulohen me kapak dhe lihen të zjejnë në zjarr të ngadaltë.

Herë pas here kthehen nga të dyja anët në mënyrë që të spërkaten me yndyrën e tyre.

Kur vendosen në pjatë priten përgjysmë, për së gjati dhe spërkaten sërish me yndyrën e tyre./AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.