Shpëtoni Liqenin e Ohrit

415 0

“Kushdo thotë që liqenet e Zvicrës janë më të bukurit në Evropë, duhet të shohë liqenin e Ohrit dhe të bëjë krahasimin”, thoshte Volter, një ndër iluministët më të mëdhenj të Francës dhe të Evropës. Por nëse Volteri do të jetonte sot dhe do të shihte se si liqeni i bukur do të trasformohet në resorte luksi dhe plazhe me rërë të bëra vetë, me shumë gjasa do t’i tërhiqte këto fjalë.

Liqeni më i vjetër në Evropë, pjesë e trashëgimisë kulturore të UNESCO-s ku jetojnë mbi 350 specie që nuk gjenden në asnjë vend tjetër të botës, është i kërcënuar seriozisht nga ndërtimi i një kompleksi të ri turistik në zonën e quajtur Studenishte (kallamishte). Kjo zonë është një nga habitatet e fundit të ligatinave në Maqedoni dhe që shërben si një sistem mbrojtës i krijesave të lashta e të panumërta që jetojnë në liqen. Shkatërrimi i saj mendohet të ketë pasoja katastrofike në liqenin e Ohrit, i cili nuk është thjesht dhe vetëm një liqen.

Ohri është një pafundësi spektakolare speciesh. Ndërsa për shumicën e liqeneve, sedimentimi bën të mundur që jetëgjatësia të shkojë deri në mijëra vjet, në liqenin e Ohrit për shkak të kushteve specifike gjeologjike, speciet mund të mbijetojnë deri në 5 milion vjet. Me fjalë të tjera, një proçes evolucioni që është i pamundur në kushte normale, po ndodh pikërisht në këtë moment në ato ujëra të bukura, të cilat tanimë rrezikohen seriozisht, siç dhe paralajmërojnë biologët. Kjo pritet të ketë ndikim edhe në pjesën shqiptare të Liqenit të Pogradecit, duke qenë se ndajnë të njëjtin ekosistem.

Plani i kryetarit të Bashkisë së Ohrit, Nikola Bakraceski, për të tharë 75 hektarë dhe për të ndërtuar shtëpi luksoze dhe një port jahtesh është ndeshur me një kundërshti të fortë nga biologë, ambjentalistë dhe nga qytetarët.

“Liqeni i Ohrit është si Kupa e Gralit për biologët nga e gjithë bota”, është shprehur Christian Albrecht, nga Universiteti Giessen në Gjermani për revistën “New Scientist”. “Liqeni nuk është aq i vjetër sa liqenet e mëdha në botë si Baikal apo Tanganyika, por po përballet me një krizë të biodiversitetit”.

“Këto plane zhvillimore do të shkatërrojnë në mënyrë të pakthyeshme këtë ekosistem të rëndësishëm", thotë Albrecht. Deri më tani autoritetet nuk i janë përgjigjur lutjeve të biologëve dhe shkencëtarëve. Një nismë qytetare e quajtur SOS Ohri ka nisur një peticion për të ruajtur habitatet unike, të cilat do të ndikojnë shumë edhe pjesën shqiptare të liqenit.

"Nëse merret në konsideratë madhësia, Ohri i takon të jetë liqeni me biodiversitet më të lartë në botë. Unë jam i shqetësuar seriozisht për të ardhmen e specieve të saj endemike. Shumë prej tyre janë të kufizuara në disa metra katrorë të liqenit. Këto plane të zhvillimit do ta shkatërrojnë këtë ekosistem të rëndësishëm ", tha Albrecht i cili ishte pjesë e një ekipi ndërkombëtar, të cilët kanë shpuar deri në 600 m sedimentin e tokës së liqenit për të hartuar historinë e liqenit. Kombinimi i jetëgjatësisë dhe stabilitetit mendohet të jetë arsyeja e zhvillimit të kaq shumë specie endemike.

Kallamishtja, e cila do të shkatërrohet nga ndërtimi i kompleksit, përbën të vetmet ligatina ose sisteme të “tokave të lagura”, në brigjet e liqenit. Ato janë gardianet e liqenit, duke e mbrojtur atë nga ujërat e zeza dhe mbetje të tjera që derdhen nga Ohri. Këto ligatina janë gjithashtu strehë e disa specieve të rralla, përfshirë zvarranikët e njohur si Triturus Macedonicus dhe katër lloje fluturash të rralla të cilat janë në rrezik. Ohri është një skenë e jashtëzakonshme që mbart miliona vite të evolucionit, që mrekulloi edhe Volterin vetë. Ky i fundit e konsideronte Ohrin si liqenin më të bukur të Evropës. Ky liqen është në rrezik të madh nëse hapat e mëposhtëm do të vihen në zbatim:

Projektet e Qeverisë së Maqedonisë përfshijnë:

1. Tharja e Ligatinave (Studenchishte) që është thelbësore për mbijetesën e liqenit për të ndërtuar komplekse banimi në bregdet.

2. Pastrimin e zonës nga kallamet e mbetura dhe mbulimin e saj me platforma betoni, që mundësojnë ndërtimin e resorteve turistike.

3. Prishjen e zonës së vetme të mbrojtur në breg të liqenit, duke vënë në rrezik Burimet e Shën Naumit që furnizojnë liqenin me ujë, vetëm për shkak të këtyre komplekseve turistike.

4. Ndërtimin e një rruge 14 kilometra në Parkun Kombëtar Galičica duke shkatërruar kështu 50 hektarë të parkut.

5. Lënia e një pjese të madhe të Parkut Kombëtar pa mbrojtje dhe ndërtimin e një kompleksi skish prej 400 hektarësh që do të përfshijë një hotel gjigant dhe një zonë rezidenciale.

Ekspertët që morën pjesë në Vlerësimin Mjedisor paralajmëruan që realizimi i këtyre projekteve do të ketë një ndikim negativ në biodiversitetin, tokën dhe ujin, pasojat e të cilit janë të pakthyeshme. Nuk do të ketë më asnjë masë shtesë që mund të merret për të rregulluar dëmet, ndërkohë statusi i dhënë nga UNESCO do të jetë në rrezik.