Shqipëria drejt Hartës së Produkteve Bujqësore

1.7k 0

‘Ne nuk do të financojmë projekte jashtë sensit të zhvillimit rajonal. Nuk do të shpërndajmë fonde kuturu për kultura apo investime që nuk përputhen me planin kombëtar të zhvillimit të bujqësisë.’ Me këto fjalë, pak muaj më parë Kryeministri Edi Rama e cilësoi formalizimin dhe rajonalizimin e bujqësisë si sfidën e rradhës, teksa përuroheshin mjediset e reja të zyrave të AZHBR-së. Për Kryeministrin Rama përmbushja e kësaj sfide ndikon në rritjen e punësimit dhe të eksporteve, duke nxitur fokusimin e rajoneve në ato kultura që jan&eueuml; më të efektshme dhe të dobishme, për arsye të terrenit apo klimës.
Hapi i parë është ndërmarrë. Bujqësia po shkon drejt formalizimit të një harte të rajonalizimit të produkteve. Përmes kësaj harte Qeveria u sugjeron fermerëve kulturat që duhet të mbjellin bazuar në terrenin, kushtet dhe klimën e zonës së tyre dhe garanton mbështetje për ta përmes skemave kombëtare të subvencionit.
Kryeministri Edi Rama në takimin e prezantimit të kësaj inisiative, tha se kjo hartë do të ndihmojë në tejkalimin e një prej problemeve më të mëdha të bujqësisë shqiptare që është fragmentimi i parcelave.

Harta e Bujqësisë do të nxisë prodhimin e produkteve rajonale bujqësore cilësore, që favorizohen nga kushtet e zones, çka do të ndikojë në rritjen e eksporteve

Ndërsa Ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti u shpreh se organizimi i prodhimit bujqësor përmes rajonalizimit vendos një raport transparent mes fermerit dhe Qeverisë, duke përcaktuar se cilat kultura bazuar në këtë hartë do të jenë prioritare dhe cila do të jetë forma e mbështetjes së tyre.
Të pyetur nga agroweb, përfaqësuesit e Drejtorisë së Prodhimit Bujqësor dhe Politikave Tregtare në Ministrinë e Bujqësisë thanë se harta do të jetë së shpejti e përfunduar, ndërkohë që për realizimin e saj kanë punuar ekspertët më të mirë të fushës në bashkëpunim me Universitetin Bujqësor të Tiranës.

Të mos mbjellim gjithçka për të mbetur prapa në gjithçka

E gjithë Europa ka në organizim të prodhimeve bujqësore. Komisioni Europian përmes Institutit Europian të Statistikave (EUROSTAT) pasqyron mbulimin e tregut Europian me kultura bujqësore sipas vendeve të origjinës, thënë thjesht pasyron cili vend mbulon tregun europian me mollë, portokalle, patate, drithëra e të tjera. Përmes në politike orientuese BE-ja nxit anëtarët e saj në prodhimet bujqësore më të favorshmet e zonës së tyre. E parë në aspektin kombëtar, harta rajonale e bujqësisë shqiptare do të shërbejë që fermerët të fokusohen në prodhimin e atyre produkteve bujqësore që favorizohen nga kushtet e zonës, duke marrë kështu produkte cilësore që do të rrisin eksportin.
Duke dhënë një shembull konkret, Kryeministri Rama tha se nëse në një territor të caktuar qeveria nxit vetëm mollën, atëherë, vetvetiu, në mënyrë të natyrshme, fillon edhe një ndryshim i situatës së fragmentimit të tokës. Pasi, pa pasur nevojë të bashkohen në forma legale të komplikuara, njerëzit bashkohen pikërisht tek investimi në të njëjtën kulturë. Kështu, i gjithë procesi sjell pastaj maksimizimin e përfitimit nga i njëjti territor, sado i fragmentuar të jetë ai. Po ashtu, rritja e eksporteve është një instrument që nxit krijimin e një marke prodhimi shqiptare dhe që, sigurisht, e forcon fermerin shqiptar.

Sfida e përthithjes së fondeve për bujqësinë

Prapambetje alarmante. Kështu e përkufizoi Kryeministri Rama situatën e përthithjes së fondeve europiane për bujqësinë, nëse shohim volumet mundshme që mund të thithim si vend nga mbështetja europiane.
Ndaj ai e cilësoi këtë si sidë të dyfishtë; Sfida jonë, tha z. Rama nuk është thjeshtë të rrisim buxhetin, por sfida jonë është të arrijmë që ta bëjmë sistemin të aftë të absorbojë çdo qindarkë të këtij buxheti. Sepse, nuk e kemi luksin që të mos realizojmë fondet e vëna në dispozicion. Sikundër, s’e kemi fare luksin, që të kemi nivelin skandaloz të absorbimit të fondeve europiane, që kemi pasur në të gjitha vitet pararendëse.