Shqiperia, ernergji nga era

2.8k 0

Njerëzit e njohin prej kohësh fuqinë e erës: e vlerësojnë kur i freskon në pikun e zhegut dhe i tremben kur ajo bëhet e dhunshme në kohë stuhie, madje madje edhe i kanë thurur këngë. Por mbi të gjitha njerëzit kanë mësuar ta shfrytëzojnë energjinë e erës; që nga anijet me vela, tek mullinjtë e erës e prej gjysëm shekulli edhe për të prodhuar energji elektrike prej saj.

Shqipëria deri më tani e ka parë erën thjesht në aspektin freskues dhe jo në atë fitimprurës. Por me një vendim të fundit, qeveria shqiptare duket se do ta ndryshojë këtë fakt, duke i hapur rrugë ndërtimit të parkut të parë të energjisë së erës, në Kurbin. Sipas vendimit të publikuar në Fletoren Zyrtare, pas miratimit nga Këshilli i Ministrave, parku i energjisë nga era do të ketë një fuqi të instaluar prej 36 megavat me 12 turbina dhe lartësi prej 92 metra dhe do të ketë një jetÑ‘gjatÑ‘si prej 20-30 vjet, ndërkohë që vlera e investimit kap shifrën e 54 milion euro. Sipas vendimit, parku do të ndërtohet në Fushë Kuqe, një fshat në rrethin e Kurbinit, i cili njihet dhe si një nga pikat me erë të fortë në vend, duke favorizuar kështu dhe realizimin e investimit.

Ky vendim vjen menjëherë pas nxjerrjes së ligjit të ri për energjinë elektrike, për t’iu ofruar mbështetje investimeve në energjinë alternative, duke plotësuar në një farë mënyre boshllëkun ligjor për energjinë e rinovueshme.

Ndërtimi i fermës së erës, e cila do të pajiset me turbina të Siemens, njëkohësisht pritet të hapë dhe vende të reja pune, përgjatë 8 muajve në të cilët pritet të ndërtohet. Sipas vendimit, punimet do të nisin menjëherë pasi kompania që do të merret me zbatimin e projektit do të paraqesë pranë Ministrisë së Energjisë një raport të detajuar teknik dhe pasi të jetë miratuar dhe plani mbi ndikimin që mund të ketë ndërtimi i këtij parku në mjedis.

Për sa i përket energjisë së rinovueshme jo hydro, Shqipëria është shumë mbrapa po të krahasohet me vendet e tjera të rajonit, edhe pse vendi ynë ka potencial të madh për të ngritur parqe ere deri në 2000 MW. Duke qenë kaq afër me detin, por në të njëjtën kohë duke qenë edhe një vend malor, në disa zona rikthimi i investimit të turbinave me erë, parashikohet të jetë relativisht i lartë. Sipas të dhënave të bëra publike nga Shoqata Shqiptare e Energjisë, parashikohet që deri në vitin 2025, 4% e totalit të sasisë së energjisë elektrike e prodhuar në Shqipëri (rreth 400 GWh/në vit) do të prodhohet nga era. Zonat me potencial më të madh për energjinë e erës janë identifikuar në zonën e bregdetit, ku parashikohet që të merret 0.7% e prodhimit total kombëtar të energjisë elektrike. Shpejtësia mesatare vjetore e erës në këto zona është 4-6 m/s (lartësia 10 m), ndërkohë që dendësia vjetore e energjisë është 100-250 W/m2. Ky potencial konsiderohet relativisht i ulët, por që mund të përmirësohet, duke përdorur lartësinë 50 metra për turbinë, në mënyrë që arrihet një shpejtësi prej 6-8 m/s, dhe densitet të energjisë prej 250-600 W/m2. Ndërkohë që turbinate që do të ndërtohen në Kurbin do të jenë mbi kë të mesatare, duke kaluar lartësinë e 92 metra.

Energjia e erës sa e re dhe e vjetër

Njerëzimi prej mijëra vitesh ka përfituar nga avantazhet e fuqisë së erës. Përdorimi i parë i energjisë së erës mendohet të ketë ndodhur në vitin 5000 (para erës sonë), ku njerëzit nisën të përdornin barka me vela për të lunduar në lumin Nil. Persët nga ana tjetër kanë përdorur mullinj ere për 400 vjet, që nga viti 900 (pas erës sonë) për të bluar grurin. Mullinjtë e erës mund të jenë zhvilluar në Kinë në vitin 1 të erës sonë, por dokumentet e para vijnë vetëm pas vitit 1219. Banorët e Kretës kanë përdorur historikisht mullinj ere për të pompuar ujin për të ujitur të mbjellat. Ndërkohë që turbinate e e para elektrike të erës janë përdorur në fshatra në vitin 1920 dhe prototipet e makinerive më të mëdha janë ndërtuar në vitet ’40.