Shqipëria me nivelin më të lartë në Evropë të aflatoksinës së lejuar

327 0

Shqipëria ndër vendet me nivelin më të lartë në botë të aflatoksinës së lejuar në produktet ushqimore. E paralajmëruar, por jo e marë seriozisht. Dhe nuk është hera e parë që autoritetet shqiptare qëndrojnë indiferente përballë rreziqeve ushqimore që vijnë nga jashtë. Është rasti i kikirikëve, një produkt gjerësisht i konsumuar nga shqiptarët. Një muaj më parë ishte AgroWeb.org që lajmëroi bllokimin në Kroaci të kikirikëve kinezë, eksportuesit më të madh në botë, për shkak të nivelit të lartë të aflatoksinës. Ndërsa në datë 19 Janar ishte Britania ajo që sërish bllokoi një ngarkesë kikirikësh, po me arsyen e nivelit të lartë të aflatoksinës.

AgroWeb.org kërkoi informacion të detajuar dhe konkret nga Autoriteti përgjegjës i kontrollit, AKU për nivelin e aflatoksinës së gjetur në analizat që ky institucion bëri një muaj më parë për kikirët e ardhur nga Kina në Shqipëri.

Nga përgjigja zyrtare që AgroWeb.org mori nga Autoriteti i Kontrollit Ushqimor, rezulton se niveli i aflatoksinës së lejuar në Shqipëri është 15 mikrogramë për kg dhe se në kikirikët e tregut shqiptar ky nivel ishte më i vogël se 15 mikrogramë për kilogramë, por nuk specifikohet se sa ishte konkretisht kjo shifër.

Situata bëhet më alarmante në kushtet kur Kroacia i ka bllokuar kikirikët me vlerë totale të aflatoksinës 9,2 mikrogramë për kg dhe Britania nuk e lejoi as me nivelin 8 mikrogramë për kg.

Niveli i lejuar i aflatoksinës në Europë varion nga 4 deri në 15 mikrogramë për kg, duke e bërë Shqipërinë me nivelin më të lartë në rajon dhe një nga vetëm 8 vendet në mbarë botën që e kanë nivelin e lejuar të aflatoksinës 15 mikrogramë për kg. 

Aflatoksina me nivelin më të lartë të toksinave është ajo e tipit B1, limiti i së cilës në Shqipëri është 8,0 mikrogramë për kg, por në përgjigjen e marë nga AKU kjo vlerë përmendet vetëm si nivel maksimal i lejuar, por jo të tregojë sasinë e substancës së gjetur në analizat e kikirikëve në tregun shqiptar.

Kikirikët e bllokuara në Kroaci kishin vlerë aflatoksine B1 7,2 mikrogramë për kg, ndërsa ato në Britani 6,6 mikrogramë për kg.

Aflatoksina gjendet në shumë ushqime duke përfshirë frutat e thata, misrin apo fiqtë të cilat janë ndër produktet me nivelet më të larta të këtij elementi. Kjo substancë toksike shkakton probleme serioze në mëlçi por edhe në zemër, veshka, mushkëri dhe tru.

Aflatoksina B1 është një kancerogjen i fuqishëm i cili mund të sjelli mutacione gjenetike te kafshët dhe natyrisht prek edhe njeriun. Eksperiementet kanë treguar se injektimi i aflatoksinës në nivele të ulëta për një kohë të gjatë mund të shkaktojë kancer, heptatit kronik, verdhëz dhe cerozë.

Përballë një situate të tillë, autoritetet përgjegjëse ligjvënëse duhet të zgjedhin nëse Shqipëria do të vazhdojë të bëjë pjesë në 8 vendet ku niveli i përgjithshëm i aflatoksinës lejohet deri në masën 15 mikrogramë për kg apo do të ndjekë rrugën e fqinjëve tanë si Kroacia që bllokojnë sasi ushqimore edhe me nivele aflatoksine 9,2 mikrogramë për kilogramë./AgroWeb.org