Shqipëria Miraton Marrëveshjen e Parisit mbi Ndryshimet Klimatike

264 0

Shqipëria, përmes votimit në parlament të enjten, ratifikoi marrëveshjen e Parisit mbi ndryshimet klimatike me 87 vota pro, duke respektuar këtë moment historik dhe rëndësinë e kësaj marrëveshjeje ambicioze, që konsiderohet një revolucion për njerëzimin.

Burime zyrtare pranë Parlamentit të Shqipërisë konfirmuan për AgroWeb se, së paku 10 deputetë ishin parashikuar të diskutonin mbi Ratifikimin e Marrëveshjes së Parisit, me kërkesë personale të tyre. Por, teksa ndoqëm seancën plenare, askush nga ata nuk foli për këtë çështje, duke përdorur kohën e tyre të diskutimit për të folur për tema si korrupsioni apo reforma në drejtësi, sigurisht tema të nxehta, por asnjë fjalë për marrëveshjen historike për klimën dhe cilat janë detyrimet apo angazhimet konkrete të Shqipërisë.

Marrëveshja e Parisit u miratua në dhjetor të vitit 2015 dhe do të hyjë në fuqi, pra do të bëhet efektive, vetëm nëse 55 vende që prodhojnë të paktën 55% të emetimeve botërore të gazit serrë ratifikojë, pranojnë, miratojnë apo aderojnë në këtë marrëveshje.

Vendeve të zhvilluara, por edhe atyre në zhvillim u është kërkuar të ulin sasinë e gazrave që lëshojnë në atmosferë drejt niveleve më të sigurta, me një impakt në ngrohjen globale në kufizimin e rritjes së temperaturave deri në 2 gradë Celcius me synim arritjen deri në 1,5 gradë Celcius.

Marrëveshja e Parisit më tej, nisi të kalojë për nënshkrim në vendet anëtare më 22 prill të vitit 2016 në një ceremoni të nënshkrimit të nivelit të lartë të thirrur nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB në Nju Jork. Në atë ceremoni, 174 vende bashkë me përfaqësues të Bashkimit Evropian nënshkruan marrëveshjen ndërsa 15 shtete depozituan instrumentet e tyre të ratifikimit.

Deri në fund të qershorit 2016, 178 vende kanë miratuar ligjërisht Marrëveshjen e Parisit.

Ndërkohë që zyrtarisht, u ra dakord që Marrëveshja "të hyjë në fuqi dhe do të zbatohet nga viti 2020". Versionet e shumta për shkak të përkthimit në disa gjuhë do të kishin vonuar hyrjen në fuqi deri në atë datë, ndaj edhe versioni përfundimtar i Marrëveshjes nuk përmban asnjë kufizim të tillë.

Në vend të kësaj klauzole, u miratua pra që marrëveshja të hyjë në fuqi tridhjetë ditë pasi të paktën 55 vende, që përfaqësojnë të paktën 55% të emetimeve globale të gazrave serrë ta ratifikonin atë.

Për shembull, të marra së bashku, Kina dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës përbëjnë rreth 40% të emetimeve globale ndërsa bashkë me Rusinë, Indinë dhe Japonin përbëjnë 55% të emetimeve të gazeve serrë.

Kontributi i Shqipërisë në shkarkimet e gazrave serrë është rreth katër deri në pesë herë më i ulët se nivelet mesatare ndërkombëtare, me një mesatare të llogaritur prej 9,4 milion ton/vit të gazit karbonik Co2, e megjithatë venditi duhen politika të forta për çështjet klimatike, sugjerojnë ekspertët.

Sipas të dhënave më të fundit që Ministria e Mjedisit ka vënë në dispozicion të AgroWeb.org, rezulton se energjia dhe transporti, të ndjekura nga bujqësia dhe sektori i mbetjeve janë kontribuesit më të rëndësishëm në emetimit e gazit serrë në Shqipëri. Respektivisht energjia-transport me (57.29%), e ndjekur nga bujqësia me (16.85%), përdorimi i tokës dhe pyjet (8.88 %) dhe në fund mbetjet me (2.31%). Siç shihet qartë dhe nga të dhënat, kontribuesit më të mëdhenj të CO2 janë energjia dhe transporti.

Ulja e emetimit të gazit, për të cilin Shqipëria është zotur dhe në Samitin e Klimës në Paris kërkon një revolucion në energji dhe në prodhim.

Gjergji Simaku, Drejtor i Departamentit të Efiçencës dhe Energjisë së Rinovueshme në Ministrinë e Energjisë është shprehur për AgroWeb se, rolin kryesor në uljen e emetimit të gazit serrë do ta luajë pikërisht energjia e rinovueshme. Në të njëjtën kohë, çmimi i karbonit do të mundësonte një tranzicion më të lehtë ndaj lëndëve djegëse fosile duke inkurajuar investimet në risi teknologjike

5 vendimet historike mbi klimën

• Vendim për të limituar ngrohjen globale nën 2 gradë Celcius, duke synuar 1.5 gradë Celcius
• Emetimii Gazit Serrë duhet të ulet sa më shpejt të jetë e mundur, duke u ndjekur nga një reduktim të shpejtë në zero
• Vendim për të eleminuar përdorimin e qymyrit, naftës dhe gazit për energji
• Lëndët djegëse fosile të zëvendësohen me energji nga dielli dhe era.
• Vendet e zhvilluara duhet të japin 100 miliardë dollarë në vit që prej vitit 2020 për të ndihmuar vendet në

Në fund të shtatorit 2015, Shqipëria paraqiti planin e saj të ri të veprimit të klimës në Konventën e OKB-Në kuadër të Ndryshimeve Klimatike, duke u zotuar për të ruajtur të ulët emetimin e gazeve serrë nga prodhimi i energjisë elektrike dhe për ulur rritjen nga shtimii gazit serrë në sektorë të tjerë.

Kjo do të thotë ulje të emetimit të gazit serrë në 708 KT dioksidi-karboni në vitin 2030. Trajektorja e emetimit të gazit serrë bën të mundur që të ketë një kalim të butë në arritjen e 2 ton gaz serrë për frymë në vitin 2050. Duke mos pasur të dhëna të qarta, që lidhet me përdorimin e tokës dhe degradimin e saj, Shqipërisë gjithashtui rezervohet e drejta që t’i rishikojë zotimet e saj deri në vitin 2020.

Parlamenti shqiptar ratifikoi marrëveshjen për klimën, po shqiptarët?

Ratifikimii Marrëveshjes së Parisit nga Parlamenti i Shqipërisë është me rëndësi shumë të madhe por gjithsesi duket se ende shqiptarët nuk duken shumë të interësuar për çështjet e mjedisit dhe të ndryshimeve klimatike.

Sipas një raporti të publikuar së fundmi nga Pew Research Center, vendet e Ballkanit nuk janë të shqetësuara për pasojat e këtij problemi global, duke qenë në zonën e vendeve më pak të shqetësuara. Raporti,i cili eksploron opinionin global në lidhje me ndryshimet klimatike, tregon se vetëm 24 përqind e të pyeturve ishin shumë të shqetësuar që ndryshimet klimatike mund të kishin një ndikim tek ata, krahasuar kjo me 40% të mesatares globale.

15 Korrik 2016. Në Lombardi të Italisë bie dëborë. Planeti po jep shenja të forta. Koha është tani./AgroWeb.org