Shqipëria noton në ujë

275 0

Mjaftojnë pak milimetra shi dhe rrugët e Tiranës të përmbyten. Mjaftojnë vetëm 4 orë shi dhe i gjithë vendi të përmbytet. Me qindra njerëz janë evakuar gjatë dy ditëve të fundit nga shtëpitë e tyre, rrugët nacionale janë bllokuar dhe tokat bujqësore janë nën ujë. Informacioni i fundit i Ministrisë së Bujqësisë tregon se 1282 ha tokë janë prekur nga përmbytjet në Elbasan, Kukës, Krujë. Rreth 1000 ha janë nën ujë në qarkun Tiranë, 1100 ha në Lezhë, 100 ha në Fier dhe 90 ha në Dibër. Përveç tokave, ka pasur dhe dëme të konsiderueshme në bagëti: 100 krerë lopë e viça kanë ngordhur në Ndroq të Tiranës dhe 70 krerë bagëti të imëta në qarkun Durrës.

Dhe me shumë gjasa, në javët e ardhshme lumenjtë do të vijojnë të rrjedhin edhe më shumë, duke kërcënuar vendin nga përmbytjet.

Dhe kjo nuk është as hera e parë e as e fundit që Shqipëria noton në ujë. Të dhëna nga Instituti i Hidrometeorologjisë të Akademisë së Shkencave tregojnë se ky fenomen e ka shoqëruar vendin tonë prej shumë kohësh. Që në shekujt e parë të Para Erës së Re, historianët romakë kanë dhënë evidenca të përmbytjes së lumit Buna dhe Drin dhe dalja e tyre nga shtrati një herë drejt Shkodrës dhe një herë drejt Lezhës. Të dhëna interesante janë dhënë dhe nga një kronist turk mbi përmbytjet e Shkodrës nga lumi Drin, Buna, liqeni i Shkodrës dhe lumi Kiri gjatë periudhës 1854-1871.

Në pellgun ujëmbledhës të lumenjve Buna dhe Drin përmbytje të tjera janë vërejtur gjatë viteve 1937, 1952, 1960, por asnjëherë në nivelin e përmbytjeve të dimrit 1962-63 si në sipërfaqen e territorit nën ujë, kohëzgjatjen dhe dëmet e shkaktuara nga përmbytjet. Këto ngjarje kanë ndodhur jo vetëm në Shqipëri, por edhe pothuajse në të gjithë pellgun e Mesdheut dhe pjesërisht në Evropën Perëndimore. Gjatë kësaj përmbytje, argjinatura ekzistuese u dëmtua në shumë pjesë duke rezultuar në përmbytjen e rreth 100 000 ha tokë bujqësore.

Pas përmbytjeve katastrofike të vitit 1962-1963, qeveria shqiptare rindërtoi argjinaturat e dëmtuara dhe ndërtoi të reja përgjatë lumenjve të tjerë. Këto struktura ndihmuan për të reduktuar impaktin e përmbytjeve të vitit 1970-1971, por nuk ishin mjaftueshëm për të parandaluar dëmet e shkaktuara në përmbytjet e vitit 1992 e më pas duke vijuar në mënyrë sistematike pothujase çdo vit deri sot.

Në 20 vitet e fundit në Shqipëri më shumë se 690,000 njerëz janë prekur nga katastrofat natyrore me një mesatare prej 34.000 njerëzish të prekur në vit. Në raport me popullatën e vitit 2011, kjo përbën 1.2% të totalit të popullsisë (më shumë se 1 person në 100).

Duke marrë parasysh rëndësinë e zbutjes së ndikimit të përmbytjeve, ekspertët rekomandojnë një menaxhim më efektiv të burimeve ujore (sidomos për hidrocentralet), dhe implementimin e sistemit të paralajmërimit të përmbytjeve. Shqipëria mbetet një nga vendet në botë me rrisk të lartë ndaj përmbytjeve, duke rezultuar në vendin e 37 nga UNU në raportin e World Risk. Qeveria shqiptare kohët e fundit ka marrë një grant të BE-së prej 16 milion euro për të financuar ndërtimin e infrastrukturës për të parandaluar përmbytjet. Kryeministri shqiptar Edi Rama ka premtuar gjithashtu të ndajë më shumë para për masat parandaluese të përmbytjeve.

Dhe nëse jeni akoma duke pyetur, nëse do të vazhdojë të bjerë shi e të ketë përmbytje, përgjigjia është fatkeqësisht një Po. Sikur të mos mjaftonin shirat dhe përmbytjet e këtyre ditëve, në javët e ardhshme priten reshje të dendura. Në janar duket se të gjithë lumenjtë rrjedhin./AgroWeb.org/