Në Shqipëri, numri i personave që vuajnë nga sëmundjet e veshkave ka pësuar rritje të frikshme.
AgroWeb.org i referohet të dhënave të Shërbimit të Nefrologjisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, sipas të cilave 1 në 10 shqiptarë vuajnë nga sëmundjet e veshkave.
Mjekët flasin për një shqetësim në rritje përsa i përket problemeve tek pacientët që vuajnë nga veshkat. Problemet nisin që nga dëmtimet serioze e deri tek mosfunksionimi i veshkave.
“Kur themi probleme të veshkës e kemi fjalën jo për infeksione apo probleme të tilla, por dëmtime serioze deri mosfunksionim i veshkës. 1380 pacientë bëjnë hemodializë, 50 janë transplantuar” thotë për mediat Prof.Dr Myftar Barbullushi, shef i shërbimit të neforologjisë në QSUT.
Sipas tij, janë tre sëmundje të tjera që nxisin sëmundjen e veshkave ndërsa faktor i rëndësishëm është edhe kequshqyerja.
“Është shtuar hipertensioni, diabeti dhe problemet kardiake. Një pacient që ka diabet dhe probleme me veshkat, vdes 40 % më shpejt sesa një pacient që ka vetëm diabet”, bën të ditur Prof.Dr Barbullushi.
Këshillat më të mira për shëndetin e veshkave
Shëndeti i veshkave nuk duhet anashkaluar dhe kjo nis duke u ushqyer siç duhet.
AgroWeb.org ju sjell më poshtë një informacion të dobishëm mbi shëndetin e veshkave.
Ushqimet me kripë janë të mira për veshkat, por kripa e tepërt shkakton dëm.
Shmangni ose minimizoni sasitë e kafesë, çokollatës, sheqerit dhe stimuluesve.
Shmangni ushqimet shumë të ftohta dhe pijet me akull.
Pakësoni ose hiqni dorë nga lëngjet e pasterizuara të frutave përveç lëngut të boronicës së kuqe pa sheqer shtesë, e cila i bën mirë veshkave dhe fshikëzës.
Veshkat bëhen më të forta me lëngun e kockave të bagëtisë së ushqyer me bar.
Pini 8-10 gota ujë në ditë, ose lëngje në formën e supës, çajit ose perimeve të ziera.
Gjatë dimrit mund të rrisni pak dozën e kripës së detit dhe yndyrës.
Burimet detare ushqimore janë të rëndësishme. Mund të veçojmë kripën e detit apo peshkun e detit dhe jo atë të rezervatit.
Sigurohuni të pushoni dhe flini mjaftueshëm.
Mos e teproni me të ngrënit dhe mos hani në mbrëmje vonë.
Ruani ekuilibrat e proteinave, karbohidrateve dhe yndyrnave cilësore.
Konsumoni më shumë minerale me ushqimet nga deti dhe algat e ngrënshme.
Frika është emocioni që dëmton veshkat, ndaj përpiquni ta kapërcejeni këtë problem.
Ushqimet që u bëjnë mirë veshkave
Drithërat: Hikrra (lloj drithi) , orizi i zi dhe elbi.
Perimet: Panxhari, gjethet e panxharit, lakra e kuqe, majdanozi, rradhiqja e kuqe.
Frutat: Boronicat, manaferrat, boronica e kuqe, luleshtrydhet, manat, rrushi dhe shalqini.
Arrorët: Arrat, lajthitë, gështenjat.
Erëzat: Suzami, turshitë, kripa e detit, salca e sojës, uthulla, çaji jeshil.
Gatimet miqësore për shëndetin e veshkave: Gatimet me avull dhe fermentimi./AgroWeb.org