Si të krijoni kopshtin e erëzave dhe barishteve në shtëpi

424 0

Barishtet nuk konsiderohen vetëm si përbërësi kryesor i gatimeve të përditshme, por ato janë të rëndësishme në mjekësinë popullore, terapitë aromatike dhe për gjithkënd që kërkon të zbatojë një stil të shëndetshëm jetese.

Pasja e një kopshti në ditët e sotme duket e vështirë, por AgroWeb.org do t’ju mësojë se si të rrisni 8 barishte të rëndësishme brenda në shtëpinë tuaj duke përdorur vetëm ujin. Kjo është mënyra më e mirë se si të keni furnizim të vazhdueshëm me këto barishte që i vijnë në ndihmë shëndetit tuaj.

Ndiqni me përpikmëri të gjitha hapat e sugjeruar nga AgroWeb.org dhe do të keni kopshtin tuaj personal me bimët më të vyera.

Çfarë ju nevojitet?

• Zgjidhni tufat e prera të barishteve tuaja të preferuara
• Kavanoz ose shishe qelqi për secilën prej tyre. Enët e qelqit duhet të jenë në ngjyrë të errët që rrënjët e secilës prej barishteve të jenë sa më pak të ekspozuara në dritë.
• Ujë

Si t’i mbillni

1. Hiqni të gjitha gjethet e poshtme të tufave
2. Zgjidhni enë të përshtatshme me grykë jo shumë të ngushtë që t’u japë barishteve hapësirën e duhur për t’u rritur.
3. Mbushni shishet apo kavanozët me 80% ujë të freskët dhe vendosni tufat në secilën prej tyre duke u siguruar që pjesa e poshtme e barishteve të jetë e zhytur në ujë.
4. Vendosini në dritare, ose në zonën e shtëpisë suaj që preket më shumë nga dielli dhe ajroset rregullisht. Tufat e barishteve do të hedhin rrënjë pas 2-5 javësh.
5. Barishtet me kërcenj kanë nevojë që të qëndrojnë në ujë të pastër, ndaj ndërrojeni atë një herë në javë deri sa të fillojnë e të dalin rrënjët. Më pas lëreni bimën të rritet e qetë.

Kjo teknikë është e përshtatshme për shumë barishte, por të preferuarat e AgroWeb.org janë:

Sherebela – Vendoseni bimën në ujë në stinën e pranverës dhe mbajeni në një vend të ajrosur mirë.

Mendra – Kjo është një nga barishtet më të lehta për t’u rritur në ujë. Vendosni një tufë të saj në një enë qelqi dhe do të jeni dëshmitar të një procesi me të vërtetë magjik.

Borziloku– Tufat e borzilokut duhen këputur përpara se vetë bima të ketë çelur lule dhe të vendosen në një enë qelqi në një vend të ndriçuar mirë.

Nenexhiku – Konsiderohet një nga barishtet më të lehta për t’u rritur vetë në botë. Ajo mbillet dhe rritet në të njëjtën mënyrë si mendra.

Trumza – Tufat e trumzës duhen këputur në pranverë dhe zhytur në ujë të bollshm. Kur degët e trumzës të nisin të lulëzojnë sugjerohet krasitja.

Rozmarina – Kërcenjtë e rozmarinës kërkojnë më shumë kohë se të tjerat, por pas çeljes së parë rozmarina nuk do të reshtë së lulëzuari. Mjafton që ta mbani në një vend të ndriçuar mirë.

Rigoni – Tufat e rigonit të freskët duhen futur në një enë të ujitur mirë dhe kur të ketë lëshuar rrënjë mos hezitoni ta ndihmoni me duart tuaja bimën që të rritet e të shumëfishojë tufat e saj. 

Mente – Ashtu si edhe nenexhiku, mentja kërkon të njëjtat kushte për t’u rritur në kushtet e shtëpisë.

Me këtë mënyrë ju do t’i dhuroni vetes një kopsht barishtesh të shëndetshme me vlera, aroma dhe shije të pashterueshme./AgroWeb.org