Siguria ushqimore “ Shqiptarët të ngrenë zërin

164 0

Të paktën 5 telefonata dhe 3 email-e në ditë mbërrijnë nga qytetarët shqiptarë që njoftojnë për probleme me sigurinë ushqimore, në numrin që Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka vënë në dispozicion. Është një numër i gjelbër, thënë ndryshe falas 08007575, por mesa duket jo shumë i njohur për të gjithë konsumatorët.

AKU ka bërë sot analizën e punës vjetore 2015 dhe për Ministrin e Bujqësisë Panariti, sfida nuk është vetëm e AKU-së. Edhe vetë Ministri kërkon më shumë nga qytetarët, denoncimet e tyre janë thelbësore.

‘Kjo nuk është një sfidë vetëm e autoritetit, por dhe e gjithë shoqerisë shqiptare, sepse ka të bëjë edhe me ndërgjegjësimin e konsumatorit, për të rritur kërkeseat e tyre në drejtim të sigurië ushqimore, prandaj mendoj që edhe në vizionin e drejtuesve duhet të jetë rritja e ndërgjegjësimit të konsumatorit në krah edhe me masat inspektuese, monitoruese dhe parandaluese.’, tha Panariti.

I shqetësuar është shfaqur edhe vetë Drejtori i Përgjithshëm i AKU, Isuf Shehu: ‘Nuk duhet të jemi thjesht kronikanë të një ngjarje të paralajmëruar kur në fakt e gjithë veprimtaria e bizneseve të ushqimit duhet të jetë në monitorim dhe kontroll të vazhdueshëm për të parashikuar çdo risk dhe eleminuar çdo pasojë.”

Po ç’duhet të bëjë AKU-ja? Përgjigjen e ka dhënë vetë zoti Shehu:

‘Në thelb, Autoriteti është një njësi shkencore, e cila duhet të ketë për qëllim shmangien e problemeve dhe evidentimin e risqeve përpara se ato të kthehen në kërcënim.’

Por pse nuk është bërë aq sa duhet deri më tani?

‘Autoriteti ka nevojë për infrastrukturë, logjistikë dhe teknologji. Për këtë shkak duhet që Autoriteti të administrojë fondet që vijnë nga tarifat dhe gjobat që aplikohen gjatë kontrolleve dhe inspektimeve. Autoriteti duhet në çdo rast të definojë vetë buxhetin, i cili çdo vit duhet të jetë në rritje, dhe kjo rritje duhet të garantohet, tha zoti Shehu, i cili ‘pse-në’ kryesore e sheh te mungesa e fondeve.

Cilat janë shifrat?

Për produktet me origjinë jo-shtazore gjatë 2015-tës janë kryer:

• 13.705 inspektime,
• Janë bërë 1.784 paralajmërime,
• U është ndërprerë aktiviteti 54 subjekteve
• Janë asgjesuar 13.189 ton mallra
• janë vënë 126 gjoba me një vlerë prej 14.110.000 Lekë.

Për produktet me origjinë shtazore janë kryer:

• 13.841 inspektime
• 1.145 paralajmërime
• U është ndërprerë aktiviteti 63 subjekteve
• Janë asgjesuar 14996 kokrra vezë,
• Janë vendosur 99 gjoba me vlerë 13230000 Lekë

Gjatë vitit 2015, AKU ka pasur në fokus edhe gjenerimin e certifikatave të eksportit për produktet me origjinë shtazore. Sipas të dhënave janë lëshuar 1.071 certifikata veterinare për eksport të peshkut.

Ndërkohë janë 139 subjekte që kanë implementuar sistemin HACCP dhe 74 subjekte (Operatorë të Biznesit Ushqimor) që janë në proçes implementimi.

Rast për t’u veçuar

Kështu e ka cilësuar AKU çështjen e problematikës që ngriti OBSH për mishin e kuq dhe përdorimit të nitrateve në nënproduktet e mishit. Sipas Raportit Vjetor, gjatë kontrolleve për këtë çështje janë vënë re shumë mangësi si

• Evidentimi, sistemimi, dhe kushtet e ruajtjes e tyre ka nevojë për përmirësime
• Dokumentacioni dhe skedat teknike nga furnitorët ka raste që nuk janë të plota
• Ka produkte pa etiketa dhe të marra nga furnitorë klandestinë në treg
• Përgatitja, dozimi dhe përdorimi shpesh nuk janë të qarta dhe nuk janë të pasqyruara në kartelat teknologjike
• Mungojnë të dhënat progresive për realizimin e gjurmueshmërisë

Ajo që AKU pret nga Ministria e Bujqësisë dhe Qeveria, mesa duket është një autonomi më e madhe, veçanërisht financiare. Ajo që konsumatori pret nga AKU është përgjegjësi më e madhe për sigurinë e produkteve dhe shëndetin. Ajo që AKU pret nga konsumatori është ndërgjegjësim dhe reagim. Të paktën, këtë të fundit e kemi vetë në dorë. /AgroWeb.org/