Era e fortë ia shkui serrën vendit si të ishte një copë letër. Dhe jo një, dy, por tre vite rradhazi. I gjendur i pashpresë mes rrënojave të eleve dhe plastmasit, Roland Nushi, fermer nga Lushnja duket se i ishte dorëzuar fatit dhe fuqisë së erës. “Unë nuk kam fuqi mbi erën. Me një të fryrë të merr gjithë investimin dhe shpresën”, thotë ai për Agroweb.
Vërtet që mbi erën Nushi ska fuqi, por që ta sigurojë serrën e tij nga era, patjetër që ka. Ai, në fakt është një nga 757 fermerët që dje nënshkruan një marrëveshje mes Fed Invest, Sigal UNIQA Group Austria dhe IFIS Broker në fshatin Krutje të Lushnjës, e cila do t’i dëmshpërblejë ata për çdo rast dëmtimi natyror të serrave të tyre.
“Kjo është si një rreze drite për ne. Me këtë kemi hequr një problem të madh, që na kërcënonte në çdo moment”, thotë Roland Nushi për Agroweb.
Në vitet e fundit rastet e katastrofave natyrore të ndodhura shpesh në vendin tonë, janë shoqëruar me pasoja të rënda ekonomike për fermerët. Ndaj dhe ky projekt pilot, dhe zgjerimi i tij, me një numër më të konsiderueshëm të fermerëve dhe blegtorëve, u pa si një nevojë e domosdoshme për të siguruar investimet e bëra nga fermerët.
Zana Konini Drejtore Ekzekutive e ‘FED Invest’ theksoi gjatë këtij aktiviteti në Lushnje, se për këtë projekt pilot janë investuar 3 milionë lekë edhe sepse kjo skemë është një mundësi shumë e mirë që fermerët shqiptarë t’i kenë të garantuara produktet e tyre nga dëmtimi.
“Shpesh fermerëve të kredituar nga ne u janë dëmtuar prodhimet e tyre për shkak të fatkeqësive natyrore, përmbytjeve apo shirave. Ne si bord i FED Invest u mblodhëm e diskutuam dhe vendosëm të krijojmë një mundësi për fermerët dhe me një fond prej 3 milionë lekësh në bashkëpunim me SIGAL dhe IFIC Broker vendosëm të sigurojmë serat për 757 fermerë. Ata janë të siguruar me fondin e mundësuar nga ne për një vit dhe kosto për ta është zero”, tha Konini.
I pranishëm në aktivitet, ministri i Bujqësisë Edmond Panariti e quajti një moment historik përfshirjen e kompanive të sigurimeve në mbështetje të sektorit bujqësor, duke theksuar se ky sektor ka dëshmuar tashmë se është motorri i ekonomisë shqiptare.
Ministria ka përgatitur një ligj ku parashikohet se, të gjithë ata që do të investojnë në bujqësi një shumë të konsiderueshme, duhet të sigurojnë aktivitetin e tyre.
Shqipëria ka marrë mbështetje për sigurimin e bujqësisë nga BERZH.
Gjithashtu në përgjigje të një kërkese për ndihmë nga qeveria shqiptare, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përmes USAID-it, ofruan asistencë teknike dhe financiare shtesë në vlerën 750 000 dollarë për zonat bujqësore në qarkun e Fierit, të dëmtuara nga përmbytjet e mëdha të shkurtit 2015.
Përmes ndihmës së USAID në Kafaraj të Lushnjës u ndërtuan serra të reja me modelet më të përparuara që janë më të qëndrueshme ndaj dukurive klimatike dhe kanë karakteristika që nxisin prodhimin e luleshtrydheve.
Në 20 vitet e fundit me shumë se 690,000 njerëz në Shqipëri janë prekur nga katastrofat natyrore me një mesatare prej 34.000 njerëzish të prekur në vit. Në raport me popullatën e vitit 2011, kjo përbën 1.2% të totalit të popullsisë që preket çdo vit (më shumë se 1 person në 100).
Megjithë riskun e lartë të karastrofave natyrore sërish fermerët kanë hezituar të sigurojnë produktet e tyre, për shkak të mungesës së informacionit, por dhe si pasojë e tregut të sigurimeve shumë konservativ përsa i përket sektorit të bujqësisë.
“Sigurimi në bujqësi është pothuajse jo ekzistent në Shqipëri”, është shprehur pak kohë më parë në një intervistë për Agroweb, Ogert Shkrepa, Drejtor i Departamentit të Pasurive dhe Garancive i kompanisë së sigurimit, SIGAL Unica Group Austria, ndër kompanitë që ofron polica sigurimi për sektorin bujqësor dhe që është tashmë pjesë e projektit pilot të sigurimit të 757 fermerëve.
Kompanitë e sigurimit kryesisht kanë pak klientë. Ato fokusohen në gjënë e gjallë (kryesisht lopë) dhe në sigurimin e serrave në qarqet e mëdha.
“Shumë banka e kanë në politikat e tyre sigurimin e kredive. Por ka vetëm pak raste kur e kanë kërkuar”, thotë Shkrepa i SIGAL Uniqa Group Austria, duke treguar se ky sektor vijon të mbetet me risk të lartë.
Por me ndryshimet klimaterike dhe prodhimin në rritje, për fermerët lind nevoja që të shohin drejt policave të sigurimit.
Ndërkohë që edhe institucionet financiare janë më të interesuara për të kredituar fermerë që kanë të siguruar prodhimin e tyre dhe me interesa të favorshme sesa për fermerë që nuk janë të siguruar.
Edhe sepse askush nuk do të donte që imazhet që shohim çdo vit me fermerë të Fierit, Shkodrës, Lezhës, Tepelenës apo Lushnjë, dëshpëruar nga përmbytja e tokave dhe bagëtive të tyre të përsëriteshin.
Natyra nuk fal, por siguracioni ndihmon që të marrësh mbrapsh atë që të shkul vendit era e të përmbyt shiu./Agroweb.org/