Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka konstatuar dhe bllokuar një ngarkesë prej 25.3 ton miell  gruri me origjinë greke, për shkak se kishte parregullsi në vërtetësinë e dokumentacionit që shoqëronte ngarkesën, konkretisht, raportin e analizës për përqindjen e proteinës.

Të dhënat që disponon AgroWeb.org nga AKU, dokumentat shoqëruese nuk korespondonin me të dhënat në etiketë e kundra etiketë të produktit.

Trupat inspektuese në Korçë gjatë kontrollit të ushtruar në Pikën Doganore Kapshticë konstatuan se një subjekt i cili pretendonte të fuste në Shqipëri produktin “ miell gruri” nuk kishte nr. loti, datë prodhimi dhe datë skadimi të stampuar në thasët prej  letre 25kg.

Kishte vetëm një kundra etiketë të ngjitur në gjuhën shqipe e cila mund të hiqet lehtësisht.

Për më tepër këto elemente sigurie për një produkt ushqimor nuk figuronin në dokumentacionin shoqërues të ngarkesës.

Sipas njoftimit të Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, të cilit i referohet AgroWeb.org, u bë bllokimi i ngarkesës me sasi 25.3 ton duke u bazuar legjislacionit në fuqi gjithashtu do të ndjek procedurat doganore për kthimin në origjinë.

Skandali me miellin nuk është hera e parë që ndodh

Në Qershor të këtij viti Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka kallëzuar në Prokurori dy prej kompanive më të mëdha importuese të miellit në vend.

Ky kallëzim në prokurori, sipas të dhënave nga AgroWeb.org, erdhi pasi AKU ushtroikontrolle zyrtare mbi monitorimin e këtyre Operatorëve me aktivitet ekonomik “Prodhim, përpunim, ambalazhim e fabrikim i miellrave të llojeve të ndryshme, tregtim me shumicë e pakicë i tyre, import-eksport i tyre”.

Këto kompani produktin “Grurë” dhe produktin “Miell” e importonin nga vendet e tjera, kryesisht nga vend-origjina, Rusia, Serbia, Italia etj, duke i sjellë këto produkte ushqimore në territorin Shqiptar, nëpërmjet pikave të kalimit kufitar ose në mënyrë të jashtëligjshme.

Mungesat proteinike ndikojnë shumë te të gjithë, e akoma më shumë në rritjen e fëmijëve, duke qenë se kjo është periudha më vendimtare ku dhe nevojat për proteina janë më të larta.

Gjatë periudhës së shtatzënisë, marrja e pakët e proteinave nga nëna ndikon negativisht në zhvillimin e fetusit./AgroWeb.org