Sot Dita Botërore e Tokës

586 0

Dita e Tokës, sot mbush 45 vjeç dhe është një nga ngjarjet botërore që përfshin jo vetëm aktivizimin mjedisor, por është dhe një moment për të ngritur pyetje e për të dhënë përgjigje, madje edhe në politikë. Politikat më të mira për të mbështetur dhe ruajtur planetin parashtrohen sot në të gjithë botën, me qëllimin që ne të gjithë të jetojmë në një planet më të shëndetshëm. Por, siç na tregon dhe Google me Doodle e saj të ditës, është gjithashtu një ditë për të menduar rreth bukurisë së vendit dhe llojet e kafshëve që kanë shoqëruar Tokën gjatë të gjithë evolucionit të saj.

Dhe nëse ndjeshmëria juaj ndaj tokës nuk shkon shumë larg, Google ka gjetur një mënyrë interesante për të treguar se sa shumë po humbet nga planeti me një pyetësor interaktiv: Dita e Tokës, çfare kafshe je ti? Janë pak pyetje, por shumë kurioze dhe të shënjestruara mirë, që të tregojnë nëse ti je një mamuth i leshtë, që është zhdukur shumë kohë më parë, apo je një koral i bukur, që zakonisht është për ata të cilët janë ende në dilemë nëse korali është një kafshë apo një bimë.

Por, le ta lemë mënjanë pyetësorin, Dita e Tokës sot bën 45 vjet që festohet dhe është një moment reflektimi për më shumë se 190 vende, për ruajtjen dhe sigurinë e planetit tonë: çështjet e shumta mjedisore nuk do të lihen pa u diskutuar as sot, por është e sigurtë se ndërgjegjësimi është rritur shumë krahasuar me vitet 70, kur dhe është krijuar Dita e Tokës gjatë një manifestimi më 22 Prill 1970, ku me miliona amerikanë nga bota e Akademisë, por dhe e shoqatave të ndryshme krijuan Rrjetin e Ditës së Tokës. Një ngjarje, e cila më vonë u bë edhe pjesë e takimeve vjetore të Kombeve të Bashkuara.

Sot, në vendin tonë, ashtu si në të gjithë botën, do të zhvillohen evente të ndryshme për mbjelljen e pemëve, forume të hapura, nënshkrime peticionesh, në mënyrë që të bëjmë zgjedhje më të mençura në lidhje me konsumimin dhe të mësojmë të ruajmë tokën. Evente, të cilat padyshim do të publikohen, komentohen dhe ndahen me miqtë në rrjetet e shumta sociale, si një mënyrë e duhur për të na treguar të gjithëve ne, se toka duhet respektuar dhe ruajtur çdo ditë.