Stina e zjarrtë e perimeve të ballkonit

532 0

I dua shumë qershorin dhe korrikun, vetëm për një arsye domethënëse. Në këto muaj, të gjitha përpjekjet e mia për të pasur një copë kopshti në ballkon japin frytet e para. Dhe pa gënjeshtra, por kam marrë prodhim çdo javë me speca, kunguj të vegjël, barbunja e tranguj, ndërsa ajo që dua më shumë janë domatet që kanë nisur të skuqen dhe i kanë dhënë zjarr ballkonit. Në fakt këtu dua të ndalem dhe është një këshillë që duhet marrë si bazë, duke qenë se vetë fotografitë tregojnë atë që ndodh.

Shpesh themi se kemi një treg të ngopur me fruta-perime dhe domate kemi në çdo stinë, por po kaq shumë ankohemi për domate të kuqe nga jashtë e jeshile nga brenda, si ato që vetë unë i kam blerë, fotografuar e shpërndarë në rrjetet sociale. Në fakt, domatet e mbjella në natyrë, me rrezet e nevojshme të diellit, të pjekura në mënyrë natyrale mund të jenë gati vetëm në fund të qershorit. Domatet e serave, ato që japin prodhim duke nisur nga Marsi, gjithashtu janë të shëndetshme, por mbjellja e domateve në tokë jep rezultat vetëm në këtë sezon. E teksa 8 fidanë specash që kam unë në ballkon, çdo javë prodhojnë e janë gati për konsumim, domatet duan më shumë kohë të rriten e të piqen. Tani, domatet e mia flakërojnë. Koha perfekte e konsumimit të domates është periudha qershor-shtator, e në këto tri muaj, ju do gjeni në treg perime të pjekura nga mbjellja në tokë në mënyrë natyrale ose me më pak stimulantë pjekës, sepse këto muaj dielli është magjik. Ndaj, kjo është këshilla ime për t’u kujdesur për vehten e familjen.

'Kam marrë prodhim çdo javë me speca, kunguj të vegjël, barbunja e tranguj' rrëfen Rezarta, Foto: AgroWeb

Ndërkaq, të kesh një kopsht organik në ballkon apo shtëpi, me të cilin nënkuptoj rritje e pjekje pa hormone ka edhe kosto, jo aq financiare se sa zhgënjim. Që prej dy ditësh po e përjetoj një të tillë, pasi një nga patllixhanët të cilët i mbolla para disa ditësh, dy kunguj dhe një trangull, më janë sëmurë. Në mes të gjetheve të reja kanë zënë disa fije si rrjeta merimange. Për dy ditë bimët nisën të zverdhen e të thahen. Provova me disa metoda por asgjë, ndërsa shkova në një farmaci bujqësore afër Selvisë e nxitur dhe nga shitësi i fidanëve, i cili më tha se e spërkatura me ilaç nuk e prish cilësinë e fryteve të ballkonit tim. I tregova farmacistit bujqësor problemin dhe ai më dha një shiringë me ilaçin për merimangë bime, me të cilin do e lyej një herë në ditë për një javë. Shitësi tha se pas spërkatjes, bima duhet të rrijë qetë 7-10 ditë pastaj t’i shfrytëzosh frytet e saj, me qëllim që ilaçi të mos ketë asnjë ndikim në shëndet. Sipas tij, ky është rrisku i mospërdorimit të ilaceve bujqësore, sikur vetëm një bimë të jetë e sëmurë, t’i merr të gjitha të tjerat. Kështu kam nisur t’i spërkas me ilaçin të cilin e treta në dy litra ujë. Shpresoj t’i rifitoj ato bimë, në mos, kam vendosur që vazot bosh t’i mbjell me domate të vogla të quajtura domate-qershi. Nuk e di pse, por më duken shumë të shijshme dhe mesa kam lexuar, të lehta për t’u kultivuar e mirëmbajtur.

Ah se harrova t’ju jap dhe një lajm juve që keni kthyer ballkonin në kopsht. Në treg ka vetëm fidanë specash, domatesh, preshi e lakre. Bamjet e barbunjat janë zhdukur nga qarkullimi, ose ka qenë një sasi shumë e vogël fidanësh të tillë. Por unë do duroj dhe pak, mbase nga gushti apo shtatori do mbjell presh e qepë të njoma, sepse tani për tani dua ta shfrytëzoj ballkonin me perimet e verës. /AgroWeb.org



*Rezarta Delisula është zëvendës-kryeredaktore e Gazetës Shqiptare dhe punon si gazetare që prej vitit 1998. Përgjatë karrierës profesionale 17 vjeçare, shkrimet e saj kanë prekur më së shumti çështjet sociale dhe problematikat mjedisore. E apasionuar pas produkteve organike dhe kultivimit të tyre, Rezarta është veçanërisht e interesuar për jetesën e gjelbër. Ky artikull është shkruar ekskluzivisht për AgroWeb.org.