Supa Me Perime Dhe Mish Pule Kundër Gripit dhe Virozave

2.1k 0

Kemi hyrë zyrtarisht në stinën e virozave të cilat po sëmurin gjithnjë e më shumë njerëz.

Në këtë stinë, sistemi imunitar i njeriut është më i brishtë për të luftuar plotësisht gripin dhe të ftohurën.

Mënyra më e mirë për t’i ardhur në ndihmë organizmit dhe imunitetit është që të ushqehemi shëndetshëm me fruta, perime e drithëra.

Një nga ushqimet më të mira, për të cilin ekspertët bien njëzëri dakord, është supa me mish pule dhe perime.

Kjo supë jo vetëm e hidraton organizmin por edhe e ushqen me vitamina, minerale dhe antioksidantë që janë kaq të nevojshëm në këtë periudhë,

Në këtë artikull të AgroWeb.org do të mësoni një recetë të supës anti-grip e cila do ju ngrohë shpirtin e trupin.

Supa Me Perime Dhe Mish Pule Kundër Gripit

Përbërësit:

1 lugë gjelle vaj ulliri

1 qepë e grirë hollë,

1 presh i prerë hollë dhe i larë

2 karrota të qëruara dhe të prera në copa të vogla,

2 kërcenj selinoje të prerë hollë,

1 lugë gjelle xhenxhefil të grirë

1 thelbi hudhër të shtypur

1 lugë çaji shafran Indie

2 koncentrate pule

Gjysëm filxhani kuskus

500 gramë fileto pule

Gjysëm filxhan çaji majdanoz të grirë

2 lugë gjelle lëng limoni

Përgatitja:

Vendoseni tenxheren në zjarr dhe më pas hidhni pak vaj ulliri.

Kur të jetë ngrohur, shtoni qepët dhe preshin.

Kavërdisini për rreth 6 minuta në zjarr të ulët duke i përzier herë pas here.

Më pas, shtoni karrotat, selinonë, xhenxhefilin, hudhrën dhe shafranin.

Kavërdisini për dy minuta të tjera dhe shtoni kuskusin.

Shtoni koncentratin e pulës, dy litra ujë të ngrohtë dhe mishin e pulës.

Mbylleni kapakun dhe lërini të ziejnë për 15 minuta.

Hiqeni tenxheren nga zjarri dhe më pas mishin e pulës.

Lëreni të ftohet pak dhe më pas copëtojeni me duar.

Hidhini copat e imëta të mishit të pulës në tenxhere dhe lëreni supën të valojë për 2 deri në 3 minuta.

Më pas shtoni majdanozin, lëngun e limonit, kripën dhe piperin dhe servireni./AgroWeb.org