Në çdo klasifikim ndërkombëtar, kur bëhet fjalë për rritje të prodhimit të brendshëm bruto, luftën kundër korrupsionit, respektimin e institucioneve, Shqipëria zakonisht prenoton gjysmën fundore të listës. Eshtë e qartë se në këta sektorë ka akoma rrugë për të bërë, por ka dhe një listim, ku sa më poshtë të jesh aq më mirë është. Për fat ne kemi kapur fundin e listës. Dhe ky është emetimi i gazit serrë. Kontributi i Shqipërisë në shkarkimet e gazrave serrë është rreth katër deri në pesë herë më i ulët se nivelet mesatare ndërkombëtare, me një mesatare të llogaritur prej 9,4 milion ton/vit të gazit karbonik Co2. Kjo edhe për shkak se mbi 95 për qind e energjisë elektrike në vendin tonë prodhohet nga burime hidrike edhe sepse industritë me intensitet të lartë të energjisë kanë dalë jashtë funksionit.
Por që të bësh një inventar të mirë të emetimit të gazrave serrë (ose siç njihet ndryshe GHG) është një telash më vete. Të dhënat zyrtare shpesh kanë mungesa disa vjeçare dhe mes përqindjeve të Co2 dhe CH4, është pak e vështirë që t’i bësh shifrat të kenë kuptim, por në rastin e Shqipërisë trendet e rritjes dhe të uljes së emetimit të gazit janë të lehtësisht të lexueshme.
Burimi: CDIAC (Qendra e Informimit dhe Anazlizës pë Dioksidin e Karbonit)
Kurba merr të tatëpjetën
Emetimi i gazit serrë ka rënë në mënyrë dramatike që nga koha e komunizmit, kjo dhe për shkak të amortizimit dhe mungesës së industrinë e rëndë, në veçanti industrisë metalurgjike.
Një arsye tjetër shumë e rëndësishme është se energjia e Shqipërisë në 95% të saj prodhohet nga hidrocentrale, të cilat pothuajse nuk emetojnë fare dioksid karboni.
Në vitin 1990 përshembull energjia ka kontribuar me 33% të Co2 dhe me një rënie prej 16% në vitin 2000. Ndërkohë që proceset industriale kanë kontribuar me 2,6-4,9%, ndërsa emetimi i Co2 nga mbeturinat, tretësit dhe nga sektori i bujqësisë kanë kryesisht nivele të ulëta.
Dhe arsyeja e tretë është se konsumimi i energjisë për frymë në Shqipëri është relativisht i ulët. Emetimi i gazit karbonik për frymë në vendin tone shkon në rreth tre ton, një shifër e cila konsiderohet poshtë mesatares ( në vendet e industrializuara emetimi është gati katër herë më i madh).
Sipas të dhënave më të fundit që Ministria e Mjedisit ka vënë në dispozicion të agroweb.org, rezulton se energjia dhe transporti, të ndjekura nga bujqësia dhe sektori i mbetjeve janë kontribuesit më të rëndësishëm në emetimit e gazit serrë në Shqipëri. Respektivisht energjia-transport me (57.29%), e ndjekur nga bujqësia me (16.85%), përdorimi i tokës dhe pyjet (8.88 %) dhe në fund mbetjet me (2.31%).
Burimi i të dhënave: Ministria e Mjedisit
Shqipëria mban pak peshë përgjegjësie për shkarkimet e gazrave serrë në aspektin global, por nëse përqasja ndaj ndryshimeve klimaterike nuk do të mbështetet në politika të forta, atëherë ne do t’i gëzohemi shumë pak këtyre të dhëna mbresëlënëse. Në të ardhmen e afërt, ashtu si në të gjithë botën edhe Shqipëria do të ndikohet shumë nga ndryshimet klimaterike me temperatura të larta e me më pak reshje si dhe rritje të nivelit të detit. Ndryshimet klimaterike do të ndikojnë gjithashtu në burimet e ujit, prodhimin e energjisë, turizmit, ekosistemet, bujqësinë dhe në zonat bregdetare. Nëse këto fenomene nuk merren në konsideratë dhe nuk adresohen siç duhet, ekspertët vënë alarmin se kjo do të dëmtojë zhvillimin e vendit, duke rritur varfërinë e duke minuar në këtë mënyrë progresin.
Politikat mbi ndryshimin e klimës
Zgjidhjet ekzistojnë dhe janë të aplikueshmne nëse ndërmerren hapat e duhur nga qeveria në drejtim të ndryshimeve klimaterike, për shkak dhe të ndikimit të madh që do të kenë këto ndryshime në brezat që do të vijnë.
Për këtë arsye është e domosdoshme që të planifikohet në terma afatgjata dhe jo me piketa afatshkurtra, duke vendosur baza të forta për zhvillimin. Që do të thotë; të kesh një përdorim më të mirë të burimeve të energjisë, por akoma më shumë të transportit, i cili përbën dhe burimin kryesor të emetimit të gazit karbonik për vendin tonë.
Ulja në zero e emetimit të gazit nuk është vetëm një ëndërr me sy hapur, por absolutisht e realizueshme, siç dhe tregon një raport i publikuar së fundmi nga Banka Botërore me titull “Zhvillimi i Dekarbonizimit. Tre hapa për një të ardhme me zero karbon” sipas të cilit katër janë shtyllat kryesore ku duhet të mbështetemi:
1-Tek lëndët djegëse, si përdorim për energji elektrike; në përdorimin e energjisë së pastër që dekarbonizon energjinë elektrike.
2- Në shtimin e sasisë së energjisë së pastër, në zhvendosjen masive për elektrifikimin e cila mund të rrisë aksesin për të pastruar energjinë dhe zhvendosjen e karburanteve ndotëse.
3- Në përmirësimin e efiçencës së energjisë, e cila ndihmon në uljen e kërkesës.
4-Në mbajtjen e karbonit natyror në mënyrë të shëndetshme përmes një menaxhimi më të mirë të pyjeve dhe të tokës, e cila ndihmon në kompensimin e emetimit të karbonit përmes thithjes dhe ruajtjes së tij.
Këto hapa, në një farë mase përkojnë me ato qw Shqipëria ka marrë gjatë viteve në lidhje me ndryshimin e klimës; që nga fillimi i viteve 90, kur ajo ratifikoi edhe Konventën e Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike (UNFCCC) dhe Protokollin e saj të Kiotos në bashkëpunim të ngushtë me OKB dhe partnerë të tjerë ndërkombëtarë. Shumë nga projektet, një pjesë e të cilave po implementohen aktualisht kanë në fokus reduktimin e emetimit të gazit karbonik përmes ripyllëzimit, ndërtimit të impianteve të tjera të prodhimit të hidrocentraleve, rritjen e biodiversitetit, përmirësimin e efikasitetit të energjisë, përdorimin e materialeve të riciklueshme dhe të burimeve të rinovueshme, duke rritur përdorimin e paneleve diellore, dhe duke ulur dhe parandaluar erozionit e tokës.
Në veçanti degradimi i tokës është identifikuar si një çështje madhore për Shqipërinë që ndikon jashtëzakonisht në cilësinë e jetës së gjithë secilit nga ne dhe ato të brezave të ardhshëm. Ndryshimi i klimës nuk është një problem që zgjidhet me një ditë, por është një çështje që duhet parë në terma afatgjatë. Fakti që ne kemi një emetim të ulët të gazit nuk duhet të na pengojë që të marrim masa paraprake për çështjet e ndryshimeve klimatike, të cilat për fat tonë të mirë nuk janë ende kërcënuese për të ardhmen tonë.