Të gjithë lumenjtë nuk do të rrjedhin

702 0

Kur mendon për Ballkanin zakonisht mendja të shkon në shumë gjëra: që nga pushimet në bregdet tek luftrat e mëparshme, por jo tek lumenjtë. Pak kush e di që zemra blu e Evropës rreh pikërisht në Ballkan. Aty ku gjenden lumenj të hazdisur, përrenj të kthjellët si kristali, ujëvara spektakolare, kanione që të lenë me frymën pezull, pyje ujore dhe lumenj që ngjajnë si liqene.

Por ajo çka është më e rëndësishme është se këta lumenj përbëjnë një nga habitatet më të rëndësishme të biodiversitetit Evropian të ujërave të ëmbla. A e dinit përshembull se Ballkan jetojnë 69 lloje peshqish, që nuk gjenden në asnjë vend tjetër të botës. Po që mbi 40% e të gjitha midhjeve të rrezikuara të ujërave të ëmbla dhe kërmijtë e Evropës mund të gjenden në këto sisteme të ujërave të ëmbla?

Me shumë gjasa që askush nuk e di. Dhe me siguri nuk e dini as që ky thesar i panjohur është nën një kërcënim serioz. Lumenjtë e Ballkanit po kthehen në pellgje. Në vitet e ardhshme parashikohet ndërtimi i 2,683 hidrocentraleve.

Vetëm Shqipëria parashikon të ndërtojë 337 hidrocentrale (me 24 që ndërkohë janë në ndërtim) duke shënuar fatin e shumë lumenjve të cilët nuk do t’i zerë më as shtrati aq shumë do të tkurren.

Ekspertë të mjedisit janë të shqetësuar për qindra lejet e ndërtimit të hidrocentraleve (në total 499, siç pohohet edhe nga Agjencia e Burimeve Natyrore) të cilat nuk respektojne kriteret ligjore, duke bërë që të dëmtohen ekosistemet e lumenjve në të gjithë vendin, siç pohojnë dhe specialistët e kësaj agjencie.

Por përveç hidrocentraleve një tjetër armik i lumenjve që do t’ia marrë edhe rrjedhën e fundit janë ndryshimet klimaterike. Sipas ekspertëve të Bankës Botërore, burimet ujore natyrore pritet të ulen me 14% deri në fund të shekullit XXI. Temperaturat e larta pritet të shkaktojnë thatësira në lumenj, duke pasur pasoja në mjedis dhe në ekonomi duke e bërë tejet të vështirë prodhimin e energjisë së rinovueshme.

Ndryshimet klimaterike, ndryshojnë lumenjtë

Shqipëria është e bekuar me burime të pasura ujore, por e vërteta është që Shqipëria është dhe mes vendeve të Mesdheut, që ka nivelin më të lartë të erozionit. Çdo vit në Shqipëri gërryhen afro 54 milionë ton materiale të ngurta, ndërkohë që shtresa e erozionit arrin në 2-3 mm në vit. Këto të dhëna janë shumë shqetësuese, pasi tregojnë për rrezikun që na kanoset nga erozioni, degradimi, shpyllëzimi dhe tharja e lumenjve.

Shqipëria vërtet nuk është një tokë e tharë me diell zhuritës dhe duna rëre, por mund të thahet po aq shpejt, nëse askush nuk i druhet shkretëtirës.
Në vitin 2025 parashikohet një rënie e reshjeve nga 6.3 në 9.1%. Ndërkohë që në vitin 2100 pritet një rritje akoma më e madhe. Për shkak të uljes së rrjedhjes së lumenjve, pjesa perëndimore e Shqipërisë do të vuajë nga mungesa e ujit, që do të çojë në ulje të burimeve ujore.

Pasojat e tjera të ngrohjes që pritet të përfshijnë jo vetëm ndryshimet në sasinë dhe nivelet e ujit, por edhe erozionin e shtretërve të lumenjve.
Zvogëlimi i mundshëm i burimeve ujore do të çojë në pakësimin e rrjedhjes së lumenjve. Kjo mund të çojë në cilësinë e degraduar të ujit apo rritjen e investimeve në trajtimin e ujërave të zeza, sidomos për në vitin 2100, ku ulja e rrjedhës së lumenjve do të jetë shumë e lartë.

Cilësia e ujit pritet të degradojë në Shqipëri, jo vetëm për shkak të ndryshimeve të pritshme të klimës, por edhe për shkak të zhvillimeve të reja industriale dhe mbi 400 hidrocentraleve të cilat po i përpijnë lumenjtë shqiptarë, duke i kthyer në pellgje./AgroWeb.org/