Të Hash Sheqerin Për Mjaltë

423 0

Mjalti është mjaltë. Mund të duket si klishe’, por është vërtet kaq e thjeshtë. Ky ëmbëlsues natyral përmban vetëm substancën e prodhuar nga bletët prej nektarit të luleve. Vetëm kaq. Do të ishte rasti normal, ose më mire, ideal. Por fatkeqësisht në të gjithë botën, si edhe në Shqipëri ekzistojnë shumë mënyra për të falsifikuar mjaltin.

Duhen rreth 60 mijë bletë, të cilat së bashku bëjnë rreth 80 mijë kilometra duke u ulur në mbi 2 milion lule për të mbledhur mjaftueshëm nektar për të prodhuar gjysëm kilogram mjaltë. E prodhojnë për vete. Njeriu ia mbledh dhe e shet. Dhe shpesh njeriu, gënjen bletët duke i ushqyer me shërbet e mashtron konsumatorin duke holluar mjaltin me glukozë.

Komisioni Europian së fundmi publikoi rezultatet e planeve të kontrollit të Bashkimit Europian për të vlerësuar përhapjen e praktikave falsifikuese në tregtimin e mjaltit. Në 28 shtetet anëtare, duke shtuar dhe Norvegjinë dhe Zvicrën u kryen kontrolle nga Qershori në Nëntor të vitit 2015. Rezultatet paraprake janë publikuar, nërsa një raporti final pritet të përfundojë në Korrik të vitit 2016.

Nga vëzhgimet, 13% e kampioneve të mjaltit u klasifikuan si “të dyshimta për papajtueshmëri” në lidhje me origjinën gjeografike (2%) ose me falsifikim të mundshëm në lidhje me sheqerin e shtuar (11%). Po në Shqipëri?

Presidenti i Shoqatës së Bletërritësve të Qarkut Berat, Selami Kalaj, thotë për AgroWeb se Shqipëria ka plot bletërritës të mirë që nuk do ta fallsifikonin asnjëherë mjaltin, jo vetëm sepse nuk mund të shkelin mbi punën e palodhur që bëjnë, por edhe për arsye se biznesi i tyre do të falimentonte shumë shpejt nëse kryejnë praktika falsifikuese.

“Por sigurisht ka shumë falsifikues të mjaltit edhe në Shqipëri, thotë z.Kalaj duke treguar për AgroWeb disa nga mënyrat që këta tregtarë mashtrues përdorin.
“Ata blejnë glukozë në Maqedoni dhe përzjejnë mjaltin me glukozë në masën 50% me 50% dhe kjo vështirë se kuptohet nga konsumatori. Një mënyrë tjetër është ushqimi i bletëve me sheqer edhe në kohën e kullotës, në mënyrë që ato të prodhojnë më shumë mjaltë.

Pra mjalti i prodhuar në këtë mënyrë nuk është 100% mjaltë nga lulet edhe pse në fakt ai prodhohet nga bleta. Është shumë e lehtë që konsumatori të gënjehet me këtë lloj mjalti pasi mund ta blejë me hoje, duke menduar se nuk është i falsifikuar. Një mënyrë tjerët falsifikimi, vijon ai, është hedhja e esencave të sherebelës, akacies apo luleve të tjera në mjaltin artificial në mënyrë që ai të marrë aromë lulesh.
Zoti Kalaj thotë se ka disa mënyra për njohjen e mjaltit të mirë si; nëse një shkrepse e lyer me mjaltë digjet ose nëse mjalti nuk shpërbëhet menjeherë nëse hidhet në një gotë me ujë atëherë ky mjaltë është natyral.

I pyetur nga AgroWeb mbi sezonet më të mira për të blerë mjaltë, z Kalaj thotë se mjalti cilësor në zonat kodrinore në Shqipërinë e mesme si Berat apo Skrapar mblidhet në Qershor. Kullotat e shqopës në malet e Tomorrit dhe Shpiragut në Berat janë të shkëlqyera për bletët, e sigurisht për mjaltin e prodhuar nga to. Në Qershor mblidhet edhe mjalti i gështenjës në Bjeshkët e Veriut dhe Pogradec. Më tej rreth 15 korrikut mblidhet mjalti i lulediellit në zonën e Lushnjes.

Në korrik mblidhet kryesisht edhe mjalti në Korçë. Në zonën e Llogarase nis grumbullimi më 15 gusht deri në fund të shtatorit, mjaltë nga tri lloje bimësh; amuriq (shqopë vjeshtake), trumza dhe urdhja, bimë që kacavirret në 50-60% të pishave të kësaj zone. Në tetor deri në dhjetor mblidhet mjalti i Maresë në Shqipërinë e mesme.
Lidhur me eksportin z.Kalaj përmend si histori suksesi bletërritësit e Korçës, të cilët eksportojnë në disa vende të huaja, por mungesa e çertifikimit, paketimit, etiketimit janë pengesë për penetrimin e mjaltit shqiptar në vende të Evropës apo edhe më tej, edhe pse është shumë cilësor.

Por çfarë është mjalti industrial që shpesh shohim në supermarkete? Z.Karaj thotë se ai është një mjaltë i prodhuar në mënyrë artificiale në fabrika e që përdoret si ëmbëlsues, në gatim apo nga një masë e caktuar popullsie që nuk e përballon dot ekonomikisht mjaltin e bletës, i cili kushton shumë më tepër.
Cilat janë praktikat falsifikuese më të njohura në botë për sa i përket mjaltit?

Mjalti është një substancë natyrale e prodhuar nga bletët e mjaltit. Nuk duhet të ketë asnjë përbërës të shtuar (si sheqer, përbëres ushqimorë, aromatizues, etj) përveç mjaltit vetë. Mjalti mund të kompromentohet me shumë substanca si ujë apo sheqer, por sheqeri është më i përdoruri. Efektiviteti në vlerësimin e pranisë së shurupit mbetet çështje komplekse pavarësisht metodave të avancuara të analizimit. Skandale të shumta kanë ndodhur me mjaltin nga Kina, tregtarët e të cilës kanë arritur metoda tejet të sofistikuara për falsifikimin e mjaltit.

Mjalti mund të modifikohet lehtësisht duke i shtuar ëmbëlsues industrialë të lirë siç është shurupi i misrit ose shurupë të misrit me shumë fruktozë. Zbulimi i falsifikimeve të tilla është i vështirë pasi zëvendësuesit janë më së shumti komponentë natyralë të mjaltit dhe karakteristika e mjaltit të pakompromentuar me ate të modifikuar nuk tregojnë ndryshime të mëdha.

Në mungesë të një metode të vetme të aftë për të zbuluar të gjitha llojet e sheqereve shtues, kontrollet bazohen në analiza të shumë komponentëve duke përfshirë ekzaminime mikroskopike, matje të parametrave fiziko-kimike, përcaktimin e përmbajtjes së sheqerit me anë të kromatografisë dhe zbulimin e prezencës së përbërësve të jashtëm nëpërmjet analizave racionale izotopike. Këto metoda janë implementuar nga Bashkimi Europian.

A shkakton ushqyerja e bletëve me shurup, falsifikim të mjaltit?

Ushqyerja e bletëve me shurup sheqeri mund të jetë e nevojshme në periudha të caktuara të vitit. Kjo shpesh herë përkon me heqjen e një kulture të mjaltit me qëllim që bletët të ushqehen mjaftueshëm përgjatë dimrit. Në disa raste mund të jetë emergjente kur nuk kanë rezerva ushqimore mjaftueshëm.

Ndonjëherë bletërritësit përdorin gjithashtu “ushqyerje të stimuluar” për të shtyrë fuqizimin e popullatave të bletëve kur bletët konsumojnë shpejt rezervat ushqimore. Gjithsesi ushqyerja intensive e bletëve me shurup sheqeri përgjatë periudhës së lulëzimit të nektarit do të konfliktonte marrëdhënien me mjaltin e vërtetë.

Si me gjithçka që ju ëmbëlson, është e lehtë ta teprosh. Pavarësisht se ju shijon, cdo gjë duhet konsumuar me sasi të caktuara. Konsumi i tepruar i mjaltit përbën problem për shëndetin tuaj. Kujdes! Nëse është i falsifikuar akoma edhe më keq./AgroWeb.org/