Të Rejat e Fundit të Erëzave Tradicionale të Karafilit

795 0

Farat e karafilit janë një nga erëzat më të dashura në kuzhinën shqiptare. Në Shqipëri e përdorim kudo, në ëmbëlsira, çaj dhe gatime të tjera. Por vlerat e karafilit shkojnë përtej asaj aromës karakteristike që i jep ushqimeve një shije të veçantë. Shkencërisht është e pranuar që farat e karafilit (që praktikisht janë gonxhe të thara të luleve të pemës së karafilit) ndihmojnë me tretjen, luftojnë mikrobet, mbrojnë kundër kancerit, mbrojnë mëlçinë, forcojnë sistemin imunitar, mbajnë diabetin nën kontroll, ruajnë elasticitetin e kockave, luftojnë sëmundjet e gojës, dhimbjen e kokës, por shërbejnë edhe si afrodiziakë.

Por të kalojmë tek vlerat e këtyre farave. Kjo erëz e veçantë dhe ndjellëse ka një vlerë jashtëzakonisht të lartë të antioksidantëve. Madje shkencëtarët e konsiderojnë atë si antioksidantin më të mirë natyral. Në të gjendet më shumë mangan se sa në çdo ushqim tjetër.

Mangani është një mineral i rëndësishëm për trupin sepse aktivizon enzima të shumëfishta që kryejnë funksione të jashtëzakonshme në trup veçanërisht në mbrojtjen e aparatit tretës. Për më tepër ky mineral është i rëndësishëm në përshpejtimin e metabolizmit dhe ruajtjen e qëndrueshmërisë së sistemit nervor. Farat e karafilit janë përdorur shpesh edhe në kura mjekësore për prishjen e dhëmbëve dhe erën e keqe të gojës.

Vlerat shëndetësore të farave të karafilit

Tretje më e mirë: Farat përmirësojnë tretjen duke stimuluar sekrecionin e enzimave të këtij proçesi. Ato janë të mira për të minimizuar irritimet gastrike, fryrjet dhe të vjellat. Për çdo shqetësim që ka të bëjë me tretjen mund të konsumoni farat e karafilit (të pjekura, pluhur) me mjaltë.

Luftë kundër baktereve: Studime të shumta kanë treguar që farat e karafilit kanë vlera të pamohueshme anti bakteriale kundër disa patogjenëve. Madje ekstrakte të këtyre farave arrijnë të mbysin bakteret. Ato janë shumë efektive në ndalimin e shpërndarjes së baktereve që përhapin sëmundjen e kolerës.

Mbrojnë nga kanceri. Komuniteti mjekësor në botë ka shprehur mjaft interes për vlerat anti-kancerogjene të këtyre farave. Studimet kanë treguar që farat e karafilit vijnë në ndihmë sa i përket mbajtjes nën kontroll të kancerit të mushkërive nëse diagnostikohet në fazat fillestare.

Mbrojnë mëlçinë. Siç e thamë edhe më lart, farat e karafilit kanë një sasi të jashtëzakonshme antioksidantësh që do të thotë se ato janë ideale për të mbrojtur organet sidomos mëlçinë nga efektet e radikaleve të lira. Metabolizmi shton prodhimin e radikaleve të lira dhe ul nivelin e antioksidantëve në mëlçi. Farat e karafilit luftojnë këto manovra të metabolizmit.

Mban diabetin nën kontroll: Farat e karafilit janë përdorur në mjekësinë tradicionale për të kuruar disa sëmundje. Një prej tyre është diabeti. Organizmi i pacientëve që vuajnë nga diabeti nuk prodhon mjaftueshëm insulinë ose aspak. Nga ana tjetër, ekstraktet e farave të karafilit imitojnë insulinën në disa mënyra dhe mbajnë nën kontroll nivelin e sheqernave në gjak.

Mbrojnë kockat. Farat e karafilit përmbajnë elementë derivate të flavonoidëve shumë të fuqishëm në ruajtjen e elasticitetit të kockave dhe nivelit të mineraleve në to.

Fuqizon sistemin imunitar. Gonxhja e thatë e lules përmban një sërë përbërësish që përmirësojnë sistemin imunitar duke rritur prodhimin e qelizave të bardha.

Shërben si anti-inflamator. Farat e karafilit janë vlera të forta anti-inflamatore dhe kundër dhimbjes. Studimet kanë treguar që farat luftojnë inflamacionin e shkaktuar nga edema dhe pushojnë dhimbjen duke stimuluar receptorët e saj.

Sëmundjet orale: Farat e karafilit mund t’i përtypni sepse ato shërojnë dhe mbrojnë nga një sërë simptomash dhe sëmundjesh të dhëmbëve. Ato mbajnë nën kontroll rritjen dhe zhvillimin e patogjenëve oralë dhe mund të përdoren edhe në rastet kur ju dhemb dhëmbi.

Farat afrodiziake. Erëza të tilla si farat e karafilit apo arrat muskat kanë vlera të larta afrodiziake. Në Kinë, përdorimi i këtyre farave si afrodiziak është shumë i lartë.

Lufton dhimbjen e kokës. Farat janë të mira edhe për dhimbjen e kokës. Shtypni disa fara bashkë me kripë guri dhe pregatisni një lloj paste. Përzijeni me një gotë qumësht dhe dhimbja e kokës mbaron./Agroweb.org/