Skena e fermerit të kohës së shkuar që lëron tokën me parmendë, ndërkohë që i shkon djersa çurg nuk duket aspak ndjellëse, madje as në rast kur e shohim në rehatinë e shtëpisë aty nga kolltuku në ndonjë film apo dokumentar bardhë e zi. Ndoshta kjo është dhe arsye sepse të rinjtë hezitojnë që ta konsiderojnë bujqësinë si një mundësi biznesi.

Po sikur atë parmendën e drurit apo ndonjë pajisje tjetër të vjetër bujqësore ta zëvendësonim me makineri moderne, që bëjnë punën e pesë vetëve? Duket më ndryshe, apo jo? Për fat të mirë, ky është një realitet. Ditën e djeshme, gjatë çeljes së Panairit Ndërkombëtar të Mekanizmit në Bujqësi, rreth 15 fermerë patën fatin që të marrin traktorët e tyre të rinj të teknologjisë më të fundit.

Mekanizimi mund t’i ndihmojë fermerët të rrisin prodhimin dhe cilësinë e tyre

Ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti së bashku me dorëzimin e çelësave, u premtoi fermerëve se qeveria do të japë më shumë fonde në ndihmë të zhvillimit të teknologjive të mekanizimit në bujqësi. "Mekanizimi mund t’i ndihmojë fermerët të rrisin prodhimin dhe cilësinë e tyre, çka do të bëjë që edhe më shumë njerëz të inkurajohen për t’u angazhuar në bujqësi. Është e pranuar gjerësisht se një shkallë e lartë të mekanizimit në bujqësi ka një ndikim të madh në zhvillimin e vetë sektorit ", tha Panariti gjatë ceremonisë së hapjes së Panairit Ndërkombëtar.

Panairi, i cili do të qëndrojë i hapur për të gjithë fermerët përgjatë tre ditësh në Pallatin e Kongreseve, do të ketë në fokus inovacionin, financimin dhe mekanizimin në bujqësi, si e vetmja rrugë e sigurtë për të qenë të suksesshëm dhe konkurues në treg.

Shumë nga institucionet e Mikro-Financës që operojnë në Shqipëri ishin gjithashtu të pranishëm me stendat e tyre, për të mbështetur fermerët, të cilët kërkojnë financim për bizneset e tyre e që mbi të gjitha janë të hapur ndaj inovacionit, zhvillimit dhe mekanizimit.

Mekanizimi bujqësor luan një rol gjithnjë e më të rëndësishëm në prodhimin bujqësor; ai zvogëlon angaritë, rrit sigurinë dhe komoditetin e mjedisit të punës; rrit produktivitetin, intensitetin e mbjelljes së bimëve dhe të prodhimit. Ai rrit të ardhurat për punëtorët e bujqësisë dhe pastaj përmirëson barazinë sociale dhe standardet e përgjithshme të jetesës. Dhe padyshim bëhet më ndjellëse për fermerët e ardhshëm.

Duke qenë se bujqësia është konsideruar si factori kyç për zhvillimin e ekonomisë shqiptare, (statistikat tregojnë se bujqësia përbën rreth 18.24 % të Prodhimit të Brendshëm Bruto (INSTAT 2010), është shumë e rëndësishme që fermerët të jenë në një hap me teknologjinë, duke rinovuar paisjet të cilat më pas do të çojnë në rritjen e performancës dhe prodhimit në zonat rurale.