Thirrja e tretë e IPARD II – Fermerët Kanë Kohë Për Aplikime Deri Në 25 Janar

511 0

Fermerët dhe sipërmarrësit që duan të investojnë në sektorin e bujqësisë dhe agropërpunimit, kanë kohë deri më datën 25 janar 2021, për të aplikuar në thirrjen e tretë të Programit IPARD II, që financon grant deri në 60% të vlerës së investimit të tyre.

Në thirrjen e tretë IPARD II financon 29.1 milionë euro në dy masa mbështetëse: Investime në fermë, për prodhimin qumështi, mishi, fruta-perime, vreshta dhe investime në përpunimin e fruta-perimeve.

IPARD II financohet nga Bashkimi Europian dhe qeveria shqiptare me rreth 94 milionë euro dhe mbështet me grante investimet në sektorin e bujqësisë.

Zyra e BE-së, në Tiranë, fton të gjithë fermerët që duan të përfitojnë nga ky program të aplikojnë në këtë thirrje të fundit të IPARD II.

Zyra e BE-së në Tiranë ka sjell shembullin e një fermeri nga Tirana, që ka përfituar mekanikë bujqësore bashkëkohore, falë mbështet së grantit nga IPARD, duke synuar kështu rritje të prodhimit nga ferma e tij, por edhe punësim të shtuar në fermat e tjera të zonës dhe më shumë të ardhura për ekonominë e tij familjare.

Halil Dedej nga fshati Zhurje i Tiranës përdor sot mjete të reja pune dhe një traktor të përfituar nga programi IPARD me të cilat ai synon të rrisë prodhimin bujqësor.

Ai ka përfituar nga granti për “Makineri Bujqësore”, me vlerë totale prej 48.700 euro.

Ambasadori i BE-së në Shqipëri, Luigi Soreca shprehet se, “IPARD ka pasur një fillim shumë të suksesshëm në Shqipëri. Që kur nisi në 2019, dy thirrjet e deritanishme për aplikime kanë tërhequr mbi 700 fermerë dhe agrobiznese. Me fermerë në gjithë vendin janë lidhur kontrata financimi më shumë se 16 milionë euro gjithsej dhe shumë kontrata do vijojnë të nënshkruhen në të ardhmen”.

Drejtoresha e AZHBR, Frida Krifca shprehet se është bërë një punë dinamike për të arritur rezultatet e pritshme nga ky program, sidomos  në përputhjen e procedurave dhe aplikimeve të fermerëve sipas standardeve që i kërkon BE./Burimi:Atsh