Ngarkesa virale – A ndikon tek infektimi nga COVID-19?

219 0

Ngarkesa virale është bërë togfjalësh i njohur gjatë periudhës së pandemisë. Por çfarë nënkupton ajo?

Shkurt, ngarkesa virale është shprehje numerike e sasisë së virusit në një volum të caktuar jetësor të marrë në shqyrtim.

A ka lidhje sasia dhe niveli i ekspozimit të një personi ndaj grimcave infektive me ndikimin e mundshëm në shëndet? Në çfarë mase ndikon ngarkesa virale te lehtësia, vështirësia e infektimit, përhapjes së virusit?

Lidhja e ngarkesës virale me infektimin e njerëzve

Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se coronavirus-i mund të përhapet nga një person i infektuar përmes spërklave që ai lëshon kur kollitet, teshtin, flet me zë të lartë apo këndon. Të dhëna aktuale tregojnë se mënyra kryesore me të cilën shpërhapet virusi është përmes pikëzave të lëshuara gjatë frymëmarrjes mes dy personave në distancë të afërt me njëri tjetrin.

“Është lojë numrash,” – thotë për Euronews Stuart Neil, drejtues i Departamentit të Sëmundjeve Infektive në King’s College të Londrës.

“Nëse ti merr me frymëmarrje 1 milion grimca virusesh dhe jo 100 mijë, atëherë me shumë gjasa ke 10 herë më shumë mundësi të infektohesh,” – shton më tej Nail, – “Sa më shumë qeliza të infektuara ke, aq më shumë dëme bën virusi, sa më shumë inflamacion të jetë përgjigja e trupit, aq më i sëmurë do të ndihesh.”

Sidoqoftë profesori i sëmundjeve infektive rend të theksojë se ky nuk është një rrjedhim kaq i thjeshtë dhe i përgjithshëm, pasi faktorë të tjerë si për shembull fakti se jo të gjitha qelizat e virusit janë aq ngjitëse sa të tjerat, mund ta bëjë këtë përllogaritje më të ndërlikuar.

Nëse për shembull ekspozohesh ndaj virusit me prekje duke kapur me dorë një objekt, i cili i mbart qelizat e virusit dhe më pas prek fytyrën, ekspozimi ndaj virusit është më i vogël krahasuar me një rast kur dikush që është i infektuar të teshtin përballë në distancë të afërt.

Nail thotë se njohuritë kryesore të ekspertëve të shëndetësisë rreth sjelljes së virusit janë kryesisht prej të dhënave laboratorike. Sidoqoftë këto të dhëna nuk janë tërësisht të ngjashme me sjelljen që virusi ka në mjedise jo-laboratorike.

A e bën një të sëmurë me COVID-19 që të ketë simptoma më të rënda ngarkesa më e lartë virale?

Studime dhe artikuj të ndryshëm shkencorë e kanë lidhur ngarkesën virale me vdekshmërinë, mirëpo profesor Neil nuk mendon se ka lidhje “kaq direkte” me simptomat.

“Nuk ka lidhje domethënëse mes sasisë së virusit që has dhe se sa sëmuresh,” – thotë Nail, – “Ka plot shembuj të njerëzve që kanë ngarkesë të lartë virale dhe janë relativisht pa simptoma”.

“Nuk ka një linjë të qartë në mënyrë që të thuhet se nëse merr kaq sasi të virusit, do të sëmuresh, nuk funksionon kështu,” – shtoi më tej profesori nga Londra.

Sidoqoftë profesori Stuart Neil vijoi më tej duke thënë se nëse një person preket në sasi më të mëdha qelizash të virusit, ai ka gjasa që të sëmuret, pasi kjo i atribuohet shpejtësisë me të cilën virusi mund të riprodhohet kur sulmon qelizat e shëndetshme të njeriut bartës.

Çfarë mund të bëhet për të reduktuar sasinë e qelizave të virusit ndaj të cilave mund të jesh i ekzpozuar?

“Çfarëdolloj barriere sado të vogël që ti i vendos përpara [qelizave të virusit] mund të bëjë diçka në këtë pikë,” – shpjegon Neil duke iu referuar maskave, larjes së duarve dhe distancimit fizik.

Profesori thotë se duke iu ulur pas dikujt dhe jo në krah apo përballë dhe duke hapur shpesh dritaret për ajrosje mundet që qelizat e virusit të shpërhapen dhe ngarkesa virale që ti mund të marrësh nga një i infektuar të jetë më e ulët.

Sidoqoftë, asgjë nuk është aq efektive sa shmangia e kontakteve fizike me një të prekur nga COVID-19, pa këto masa nuk mundet që të reduktohen në zero shanset e infektimit, shpjegon më tej profesori.

Neil thotë se edhe vaksinat që kanë nisur të shpërndahen në Evropë nuk janë të mjaftueshme për ta ndaluar përhapjen e infeksionit, pasi “nuk dihet ende se sa mundet t’u ulin të qenit infektues dhe me gjasa kjo mund të mos dihet për njëfarë kohe”.

“Personat që janë vaksinuar, sidomos ata që kanë marrë vetëm një dozë [nga dy doza të nevojshme], nuk duhet ta konsiderojë veten tërësisht të sigurt ndaj të tjerëve,” – shtoi më tej profesor Neil./Burimi:Euronews