T™i japësh energji bujqësisë shqiptare

176 0

Nëse do t’ju jepnin 50 mijë lekë në dorë, ku do t’i shpenzonit? Me kaq para mund të blesh shumë gjëra. Mund të blesh një Iphone dhe të mburresh gjithë ditën nëpër fshat, por mund të bësh dhe një gjë të mençur (më smart se telefoni) që të bën të kursesh para. Si përshembull të ndërtosh një turbinë ere me energji të rinovueshme që mund të lehtësojë punën dhe xhepin për vetëm 50 mijë lekë.

Për Altin Prengën, një shef i ri kuzhine, i cili erdhi në Shqipëri pas një emigrimi të gjatë në Evropë, për të hapur restorantin e tij bio, shfrytëzimi i energjisë së rinovueshme për punët në bujqësi është gjëja më e mençur për t’u bërë. Prenga po përdor jo një turbinë ere, por panele diellore për të vënë në funksion mullirin e tij, ku bluan grurin.

“Për fat të keq, unë kam në përdorim vetëm disa panele diellore, për shkak se edhe legjislacioni për të shfrytëzuar energjinë diellore nuk është miratuar ende. Por, mund të them që energjia diellore është një investim i mirë. Për mullirin tim është perfekte, pasi nuk më duhet të bluaj çdo ditë grurë dhe e përdor energjinë vetëm kur ka diell”, thotë Prenga për AgroWeb.

Në Shqipëri janë plot 2400 orë diell, me një mesatare prej 240-300 ditë me diell në vit. Prenga, ashtu si edhe shumë fermerë shqiptarë në të ardhmen do të mund t’i kthejnë sytë tek energjia e rinovueshme për t’i bërë fermat dhe agrobizneset e tyre më efiçente, edhe në zonat më të thella, ku ka mungesë të energjisë elektrike, apo ku çmimi i energjisë është i papërballueshëm për xhepat e fermerëve.

Pikërisht në këto zona të thella, energjia e pastër mund të zëvendësojë lëndët djegëse fosile në prodhimin e energjisë elektrike në të gjithë zinxhirin e vlerave të bujqësisë. Por dhe mund t’i ndihmojë fermerët që të rrisin produktivitetin, të fitojnë më shumë para, duke i shtuar në këtë mënyrë më shumë vlerë produkteve të tyre.

Një shembull konkret do të ishte blerja e një tharëse diellore për të tharë frutat, kaq të dashura dhe të kërkuara në tregun shqiptar gjatë të gjithë vitit.
Ose një një rast tjetër, do të ishte zëvendësimi i motorrit të naftës për sistemin e ujitjes me panele diellore. Dhe nafta nuk do t’ju duhej më.

Por, edhe nëse nuk do të kishit një sistem ujitje, mund ta merrni në konsideratë një të tillë me panele diellore, që do t’ju bënte të rrisnit produktivitetin e fermës suaj.
Në përputhje me nevojat e fermave dhe të agrobizneseve, gjithsecili mund të analizojnë kostot e energjisë së pastër, ndikimin tek biznesi i tyre dhe nëse në fund të ditës, ia vlen ose jo.
Energjia alternative kërkon një investim fillestar të lartë, por ky investim do të ulë ndjeshëm shpenzimet totale të fermave në një periudhë të gjatë kohore.

Për këtë arsye është shumë e rëndësishme që të hartohen plane apo strategji ndihmëse nga qeveria dhe institucionet financiare, që të kenë si fokus dhënien e granteve apo kredive me interes të ulët, për t’u ardhur në ndihmë fermerëve në hapat e parë të implementimit të teknologjive të reja ekologjike.

Por nëse nuk jeni akoma në këtë stad, mund të bëni një gjë tjetër. Ta kurseni energjinë. AgroWeb ju liston disa mënyra se si mund ta përdorni më mirë efiçencën e energjisë në fermat dhe agrobizneset tuaja.

• Mund të ulni sasinë e përdorur të energjisë për ujitje, duke shfrytëzuar motorrë elektrikë të ndërtuar në mënyrë efikase me sistem vertikal për spërkatjen, ujitjen me pika në kulturat me rreshta dhe në monitorimin e lagështisë së tokës

• Mund ta shfrytëzoni në mënyrë më efiçente sistemin e ngrohjes, duke zvogëluar humbjet në sistem

• Mund të kurseni duke implementuar efiçencën e energjisë tek makineritë motorrike në bujqësi, si traktorë dhe në sistemet e trasmetimit

• Mund të përdorni në ferma dhoma frigoriferike sipas parimit të efiçencës së energjisë

Por, për ata që janë një hap përpara dhe duan të investojnë në energjinë e rinovueshme në fermat dhe agrobizneset, ja disa nga sisteme funksionale.

• Sistemet diellore të pompimit për puset, për transferimin e ujit, për ujin që u jepni bagëtive dhe të imëtave, si edhe për sistemet e ujitjes

• Sisteme diellore të energjisë termike për proçeset ekzistuese të fermave që kërkojnë ujë të nxehtë

• Sisteme diellore për ftohjen

• Prodhim i biogazit nga mbetjet e bujqësisë (si nga vegjetimi, mbetjet e kafshëve, mbetjet e drurëve si edhe nga mbetjet që vijnë nga industria e drurit).

Kalimi tek energjia e rinovueshme mund të jetë një kthesë e madhe për fermerët shqiptarë. Duke qenë se bujqësia moderne kërkon një kontribut të energjisë në të gjitha fazat e prodhimit bujqësor; të tilla si përdorimi i drejtpërdrejtë i energjisë në makineri bujqësore, menaxhimi i ujit, ujitja, apo kultivimi dhe korrja është e rëndësishme që të bëhemi të vetëdijshëm për rëndësinë e burimeve natyrore.

Është e rëndësishme të ndërgjegjësohemi dhe të përdorim me kursim dhe në mënyrë të përgjegjshme burimet që na ka falur natyra e të mbetemi gjithmonë në kërkim të formave novatore të shfrytëzimit të energjisë, pa u treguar armiqësor me planetin dhe duke shpëtuar portofolin./AgroWeb.org/