Toka Që Rrit Jetën

995 0

‘Një lugë me dhé organik përmban jo më pak se 6 kultura të virusit të herpesit dhe 9 lloje të kancerit të prostatës e në të njëjtën kohë, është aq i pastër sa për t’u gëlltitur.’ – thotë një kuriozitet nga biologjia. Sa herë fjala vjen tek toka, roli dhe përmbajtja e saj, gjërat fillojnë e bëhen të paqarta. Çfarë është toka (dheu) ? Si funksionon ajo ? Cilët janë raportet mes tokës dhe njeriut në veprimtarinë e tij në kohë e hapsirë ? Pse është caktuar një ditë botërore për tokën?

Konferenca e Organizatës Botërore të Ushqimit në qershor të vitit 2013, unanimisht mbështeti Ditën Botërore të Tokave dhe kërkoi miratim zyrtar të kësaj dite në të 68-ën Asamble të Përgjithshme të OKB-së. Po atë vit, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së në mbledhjen e saj, shpalli datën 5 dhjetor si Ditën Botërore të Tokave. Dita Botërore e Tokave rikujton rolin e pazëvendësueshme të dheut si përbërës i sistemit natyror dhe si kontribues i mirëqenies njerëzore në ushqim, ujë dhe energji; si lehtësues i dëmtimit të biodiversitetit dhe ndryshimeve klimatike.

Mjafton të bëjmë pyetjen e retorike –cilat janë ushqimet më të shëndetshme dhe të sigurta sa i përket qëndrueshmërisë për njeriun? – e ndoshta do fillojmë të mendojmë seriozisht rëndësinë e dheut organik.
Toka (dheu) është një nga tre elementët natyrorë më të rëndësishëm në planetin tonë (së bashku me ajrin dhe ujin). Dheu përbëhet në masën 45% nga minerale, në masën 25% ujë, 25% ajër dhe në masën 5% nga lëndë organike. Koncepti i tij vjen nga latinishtja – solum, dhè – si një ‘medium’ natyror që nevojitej për rritjen e bimëve. Jo çdo sipërfaqe trualli në planet është dhé. Përkundrazi, për të qenë të vërtetë, dhéu merr vetëm një pjesë të vogël të sipërfaqes së planetit. Mjafton të përmend këtu që Afrika – e dyta për nga madhësia në rruzullin Tokësor – ka tokë të punueshme (pjesë e rëndësishme e dheut) në vetëm 8% të sipërfaqes së saj gjigande.

Po pse është kaq i rëndësishëm dheu? Ai është baza e ushqimit tonë, karburantit tonë energjetik, shërbimit ndaj ekosistemeve dhe mirëqenies sonë ekonomike dhe sociale. Dheu është rezervuari i çerekut të biodiversitetit të planetit. Dheu është filtrues dhe mbajtës i ujit të pastër për nevojat jetësore të gjallesave. Çdo gram dhé organik mund të mbajë deri në 8 gramë ujë, duke dhënë kështu një kontribut të jashtëzakonshëm në parandalimin e përmbytjeve masive. Dheu, konservon në përbërjen e tij 10% të sasisë së dioksidit të karbonit në nivel botëror.

Në një grusht dhé organik, ka më tepër mikroorganizma të gjallë sesa numri i përgjithshëm i njerëzve që kanë jetuar në planetin Tokë që prej fillimit të historisë! E jo vetëm që dheu është burimi i 95% të ushqimit tonë, burim i ekosistemit tonë, burim i veshjes sonë, burim i ekonomisë sonë të qëndrueshme direkt apo indirekt, por dheu është gjithashtu përbërësi natyror ideal për të luftuar ngrohjen globale si kërcënim ndaj sigurisë sonë ushqimore dhe qëndrueshmërisë klimatike. Duke qenë se dheu i shëndetshëm organik është një konservues i mirë i karbonit – nëse masa e këtij dheu, në nivel botëror do të rritej me vetëm 1% – atmosfera e planetit do të pastrohej nga karboni i hedhur në të që prej kohës së revolucionit industrial.

Pse një ditë botërore për tokat?

Problemi më i madh i njeriut të sotëm – në raport me pasuritë natyrore por edhe ato njerëzore – është se i merr ato të mirëqena. E shprehur saktë, do të thotë konsum pa feed-back të qëndrueshëm; le të përdorim terminologjinë mungesë reflektimi (e kundërta e dallon njeriun nga gjallesat e tjera). Kjo do të thotë që edhe pse sot, 2,6 miliardë njerëz varen ekonomikisht drejtë për drejtë nga bujqësia – pra nga përdorimi i dheut organik – 52% e tokave bujqësore po cënohën seriozisht nga dukuria e degradimit (33% është tashmë e degraduar). Degradimi dhe humbja e tokave pjellore sot ka kapur një normë 30 herë më të lartë se norma historike e degradimit duke sjellë – për shkak të përmbytjeve dhe shkretëzimeve – humbje të 12 milionë hektarëve dhé organik në vit. Nga kjo sipërfaqe tokash pjellore që shkatërrohet, mund të prodhoheshin 20 milionë tonë drithëra në vit, duke e rritur sasinë e ushqimit botëror me 58% nga sasia aktuale. Pse e themi këtë? E thjeshtë: ata që preken në mënyrë të pamëshirshme – në rradhë të parë nga reduktimi i sasisë së ushqimit – janë 74% e shtresës së varfër në nivel botëror.

Shkretëzimi i tokave pjellore, degradimi i tyre, nuk janë dukuri thjesht natyrore që ndodhin vetvetiu. Në to ka një dorë të fortë te aktivitetit të njeriut. Praktikat e paqëndrueshme dhe jo strategjike bujqësore e varfërojnë tokën nga elementët vitalë, duke sjellë degradim të ngadaltë të saj. Prerja e pyjeve pa kriter për hapjen e kullotave, jo vetëm e varfëron organikisht, por e bën atë vulnerabël ndaj errozionit, e më pas shplarja u jep mundësi përmbytjeve ta shkretojnë tërësisht.

Zgjerimi i zonave urbane, po kthehet në një problem serioz ndaj dheut organik të tokave. Betoni është një “vrasës” i drejtpërdrejtë – nuk duhet të harrojmë këtu që si rrjedhojë e rrjetit të elementëve organikë që mbart në vetvete, dheu është organizmi biologjik më kompleks në Tokë. Duke e marrë për të mirëqenë përjetësisht ekzistencën e kësaj pasurie, sot në Evropë, çdo orë, 11 hektarë tokë betonizohen dhe urbanizohen. Duke harruar se për t’u krijuar një shtresë dheu organik prej 5 centimetrash duhen 1000 vjetë, sot çdo vit, një sipërfaqe pyjore sa e Kosta Rikës zhduket nga harta, duke u bërë pre e shkretëzimit.

Motoja e Ditës Botërore të Tokave për këtë vit është pikërisht: “Toka një bazë e qëndrueshme për jetën.” Kjo ditë nuk është thjesht për tokat. Ajo është së pari për ne, njerëzit. Drejtori i përgjithshëm i OBU, Graziano da Silva shprehet: “Tokat janë aleatët tanë të heshtur në prodhimin e ushqimit dhe shumë roleve të tjera që ne i kalojmë pa i vënë re.” Dita Botërore e Tokave na e kujton këtë, e bashkë me këtë edhe faktin që është alogjike të rrëzosh trarët e shtëpisë, kur nuk e ke një të dytë për t’u strehuar dhe ushqyer. E bashkë me këtë Dita Botërore e Tokave na rikujton se jo çdo gjë që ka vlerë, ka patjetër një çmim për t’u konsumuar. Toka është e para.

Burimi: FAO