Tre Mashtrimet me Cilësinë e Mjaltit

1.1k 0

 

 

Presidenti i Shoqatës së Bletërritësve të Qarkut Berat, Selami Kalaj, thotë për AgroWeb se Shqipëria ka plot bletërritës të mirë që nuk do ta fallsifikonin asnjëherë mjaltin, jo vetëm sepse nuk mund të shkelin mbi punën e palodhur që bëjnë, por edhe për arsye se biznesi i tyre do të falimentonte shumë shpejt nëse kryejnë praktika falsifikuese.

“Por sigurisht ka shumë falsifikues të mjaltit edhe në Shqipëri, thotë z.Kalaj duke treguar për AgroWeb disa nga mënyrat që këta tregtarë mashtrues përdorin. “Ata blejnë glukozë në Maqedoni dhe përzjejnë mjaltin me glukozë në masën 50% me 50% dhe kjo vështirë se kuptohet nga konsumatori.

Një mënyrë tjetër është ushqimi i bletëve me sheqer edhe në kohën e kullotës, në mënyrë që ato të prodhojnë më shumë mjaltë. Pra mjalti i prodhuar në këtë mënyrë nuk është 100% mjaltë nga lulet edhe pse në fakt ai prodhohet nga bleta. Është shumë e lehtë që konsumatori të gënjehet me këtë lloj mjalti pasi mund ta blejë me hoje, duke menduar se nuk është i falsifikuar.

Një metodë tjetër falsifikimi, vijon ai, është hedhja e esencave të sherebelës, akacies apo luleve të tjera në mjaltin artificial në mënyrë që ai të marrë aromë lulesh. Zoti Kalaj thotë se ka disa mënyra për njohjen e mjaltit të mirë si; nëse një shkrepse e lyer me mjaltë digjet ose nëse mjalti nuk shpërbëhet menjeherë nëse hidhet në një gotë me ujë atëherë ky mjaltë është natyral. 

Por çfarë është mjalti industrial që shpesh shohim në supermarkete? Z.Karaj thotë se ai është një mjaltë i prodhuar në mënyrë artificiale në fabrika e që përdoret si ëmbëlsues, në gatim apo nga një masë e caktuar popullsie që nuk e përballon dot ekonomikisht mjaltin e bletës, i cili kushton shumë më tepër./AgroWeb.org/