Tri Ditë Përvëluese Brenda Javës me Temperatura mbi 40 Gradë

300 0

Duke nisur nga e mërkura dhe deri të premten, Shqipëria do të pushtohet nga moti i nxehtë ku temperaturat do të jenë ekstremisht të larta.

Sipas Intitutit Meteorologjik, Meteoalb, të cilit i referohet AgroWeb.org moti i nxehtë do të mbizotërojë edhe gjatë fundjavës e më pas do të pasohet nga një rënie e lehtë e temperaturave.

“Vijojnë temperaturat e larta edhe në fundjavë por kulmi i nxehtësisë shënohet nga e mërkura në të premten ku maksimumet sipas zonave pritet të luhaten nga 31 në 36°C zonat malore (maksimumi në Kukës) dhe nga 36 – 38°C në zonat e ulëta dhe bregdetare.

Në zona specifike të Shqipërisë, maksimumi do të ngjitet mbi 39°C, vlera që priten në Veriperëndim të vendit (Koplik, Zadrimë) dhe Jug (Kucovë, Këlcyrë).

Pas fundjavës parashikohet një rënie graduale e temperaturave, e cila vijon për 5 – 6 ditë ndërsa sërisht ditët e fundit të gushtit sjellin një rritje të lehtë të vlerave termike” thuhet në njoftimin e Meteoalb.

Sipas të dhënave të AgroWeb.org masat më të larta të të nxehtit përgjatë muajit gusht do të mbulojnë në Gadishullin Ballkanik.

Drobitja nga Vapa dhe Trajtimet E Domosdoshme

Nëse vini re shenja të drobitjes nga vapa ose goditjes nga dielli duhet të merrni menjëherë hapat e mëposhtëm:

Zhvendosuni menjëherë në hije;

Mos qëndroni më në diell;

Ndizni kondicionerin ose freskuese;

Lajeni trupin me ujë të vakët;

Pini ujë ose lëngje të tjera.

Në raste ekstreme mund të përdorni kompresa akulli në zonën e qafës, sqetullave dhe ijeve.

Parandalimi i Problemeve

Me rritjen e temperaturave është e rëndësishme që njeriu të parandalojë problemet që vijnë prej tyre.

Mbajeni trupin të freskët nëpërmjet këtyre strategjive të listuara më poshtë nga AgroWeb.org:

Qëndroni në ambiente të brendshme gjatë pikut të vapës;

Kur jeni në ambiente të jashtme, mundohuni të qëndroni në hije;

Pini 2-4 gota me ujë tepër çdo orë kur jeni të ekspozuar ndaj vapës;

Vishni rroba të lehta prej pambuku;

Lahuni me ujë të vakët;

Mbani kapele;

Shmangni pije dehidratuese me alkol dhe kafeinë;

Kaloni një pjesë të ditës në një ambient me ajër të kondicionuar.

Të qënit të informuar për simptomat e drobitjes nga vapa dhe goditjes nga dielli është një hap i rëndësishëm drejt sigurisë dhe shëndetit./AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.