Trika – bima e lashtë mjekësore e trojeve ilire

2.3k 0

Nga të gjitha barishtet e mrekullueshme që rriten në fushat dhe lëndinat shqiptare, trika ose bari i etheve, konsiderohet si një prej më të mirave sa i përket efikasitetit në trajtimin e disa problemeve shëndetësore. Kjo barishte, sidomos varieteti që çel lule të purpurta ose të kuqe mbart vlera të fuqishme medicinale.

Trika i përket familjes botanike Gentian, që ka marrë emrin nga Mbreti Gent i Ilirisë. Ekspertët janë të mendimit që kjo barishte dhe të gjitha varietetet e egra të saj kanë zbukuruar tokat Ilire që në lashtësi. Bima me kërcell katërkëndor dhe luleza të shumta me ngjyrë të çelët trëndafili është efikase në mjekësinë popullore.

Në ditët e sotme, ajo gjendet në lëndinat dhe shpatet e veriut të vendit. Qytetërime të lashta i dhanë trikës emërtimin “Tëmthi i Tokës”. Ajo është një bimë që rritet pranë pemëve, shkëmbinjve por edhe në kopshte.

Trika është një bimë me rrënjë ngjyrë të verdhë. Ajo rritet gjatë gjithë vitit dhe arrin deri në 30 centimetra. Lulet çelin kur moti është i mirë dhe vetëm pas mesditës. Ato e duan shumë dritën, ndaj çelin kur dielli ka lindur plotësisht dhe mbyllin petalet në mbrëmje. Trika e kuqe mblidhet e plotë në momentin kur çelin lulet dhe më pas thahet. Aroma e saj e lehtë zhduket plotësisht kur thahet.

 

Përdorimet në mjekësinë popullore

Kjo bimë është aromatike, e hidhur por shërben si tonik fantastik me një rol të rëndësishëm në mëlçi dhe veshka. Ajo pastron gjakun dhe jo vetëm kaq. Historikisht , trika është përdorur kundër parazitëve intestinalë dhe hidropizisë apo për të qetësuar nervat, shëruar pickimet e gjarprit, plagët dhe njollat.

Ajo përmirëson prodhimin e sekrecioneve gastrike, duke stimuluar oreksin dhe tretjen. Përdorimet afatgjatë të kësaj barishteje janë të nevojshme për të përmirësuar performancën e stomakut.

Tretësira e përgatitur nga trika është shumë efikase kundër etheve, për uljen e temperaturës, apo zbutjen e ngërçeve muskulare. Kjo i përshtatet edhe përshkrimit që shqiptarët i kanë dhënë trikës duke e quajtur “bari i etheve.”

Një nga vlerat më të rëndësishme shëndetësore të trikës është ai në ndihmë të stomakut dhe tretjes së mirë. Ky bar jetësor arrin të largojë edhe substancat e rrezikshme nga tëmthi dhe mëlçia, duke minimizuar rrezikun e disa sëmundjeve si verdhëza apo hepatiti. Bari i etheve përdoret edhe kundër humbjes së oreksit, anoreksisë, urthit dhe problemeve me stomakun.

 

Bari i thatë mund të përdoret për tretësirë, si çaj ose pluhur. Mjaftojnë 30 gramë bar të thatë në 500 ml ujë dhe mund të konsumohet menjëherë, sidomos pas problemeve me stomakun që ndodhin pas ngrënies. Në rastet e humbjes së oreksit sugjerohet të pini tretësirën e barit të etheve tre deri në katër herë në ditë, gjysmë ore përpara çdo vakti. E njëjta sasi mund të merret edhe në rastet e reumatizmës muskulare. Nëse dëshironi të parandaloni urthin, atëherë pini një gotë gjysëm ore përpara çdo vakti.

Deri më tani, nuk ka patur të dhëna që provojnë nivelin toksik të barit të etheve. Megjithëse nuk ka studime që provojnë ndikimin e barit të etheve gjatë shtatzanisë, sugjerohet të shmanget përdorimi i trikës gjatë kësaj periudhe delikate./AgroWeb.org