Vlerat e Rralla të Frashërit Shqiptar

6.2k 0

Frashëri i bardhë është një pemë shtatlartë dhe mjaft e hijshme që rritet gjërësisht në Shqipëri. Në Tiranë i thërrasin ‘frasht’, në Elbasan ‘prashtën’, në Bardhaj ‘frashën i egër’, në Kosovë ‘frashën’ dhe në Divjakë ‘frashën mali’.

Frashëri i bardhë dallohet lehtësisht nga lëvorja karakteristike me ngjyrë gri të çelët, por edhe degët me nga tetë gjethe të mëdha në formën e heshtës. Frashëri i bardhë është një pemë shumë popullore, jo vetëm për shpejtësinë e rritjes, por edhe për elasticitetin dhe fortësinë e drurit që ia kalon të gjitha pemëve të tjera Evropiane.

Kjo bimë është përdorur tradicionalisht në mjekësinë popullore. Ka qenë vetë babai i mjekësisë Hipokrati që e ka përdorur frashërin e bardhë, dhe më pas vikingët e lashtë të cilët e konsideronin atë si një pemë të shenjtë.

Përdorimet terapeutike dhe vlerat e frashërit të bardhë

Në mjekësinë popullore, frashëri i bardhë përdoret në disa mënyra. Gjethet, lëvoret dhe degët përmbajnë acid fenolik, hidroksikoumarinë, taninë dhe triterpen, substanca këto të nevojshme në mjekësinë popullore.

Gjethet e frashërit të bardhë përdoren për përgatitjen e disa tonikëve, sidomos për rënien në peshë, obezitetin apo hidropozinë. Toniku i gjetheve të frashërit përdoret me verën e bardhë kundër gurëve në veshka.

Frashëri i bardhë përdoret edhe për trajtimin dhe shërimin e plagëve dhe uljen e enjtjeve. Lëvorja e frashërit të bardhë përdoret për të ulur temperaturën dhe si zëvëndësues i kuininës që përdoret kundër sëmundjeve si malarja. Lëvorja dhe gjethet janë përdorur tradicionalisht kundër diaresë.

Në lëvoren e frashërit të bardhë gjendet një substancë e njohur si fraksinë, ndërkohë që gjethet rrisin sekretimin e acidit urik dhe ndihmon kundër disa çrregullimeve shëndetësore si reumatizma, osteoartriti dhe sëmundjen inflamatore artikulare artriti reumatoid.

Lëvorja përdoret edhe për trajtimin e sëmundjeve të fshikëzës së urinës dhe veshkave, sidomos në heqjen e gurëve prej këtij organi.

Doza e rekomanduar

Ekspertët rekomandojnë dozat e mëposhtme:

Nëse frashërin e bardhë e përdorni si ekstrakt, atëherë ju nevojiten një deri në 2 lugë çaji me gjethe të shtypura dhe një filxhan me ujë të nxehtë. Lëreni lëngun për 2-3 minuta dhe më pas kullojini. Pini një deri në dy filxhanë në ditë.

Nëse e përdorni si lëng mjekësor, atëherë ju nevojitet një lugë çaji me pluhur të lëvores së frashërit të bardhë të zier në ujë dhe të kulluar pas 2 deri në 3 minuta. Pini një filxhan në ditë. Nëse nuk ju pëlqen shija, shtoni mente.

Gjethet e frashërit të bardhë duhen mbledhur në fillim të verës kur janë të veshura me një cipë të hollë. Më pas ruajini në një enë të izoluar mirë. Më e mira e mundshme është ta merrni lëvoren në fillim të pranverës, ta thani dhe ta bëni pluhur. Farat nga ana tjetër duhen mbledhur kur janë të njoma dhe në ngjyrë të gjelbër.

Deri më tani nuk janë regjistruar efekte anësore të përdorimit të frashërit të bardhë si bimë mjekësore./AgroWeb.org