Pas Sanksioneve Amerikane, Turqit Hedhin Coca-Cola Dhe Zgjedhin Dhallën

365 0

Turqia nuk po gëzon aspak një periudhë mjalti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Pas deklaratave që dënojnë sanksionet e qeverisë së SHBA kundër mallrave dhe zyrtarëve turq, një sërë grupesh profesionale janë bashkuar me thirrjen e Presidentit Rexhep Tajip Erdogan për të bojkotuar produktet amerikane.

Para pak ditësh Federata Turistike e Restoranteve dhe Fabrikave të bukës i kërkoi dhjetëra-mijëra anëtarëve të vet të bojkotojnë, të mos blejnë dhe të mos konsumojnë asnjë produkt me origjinë nga SHBA.

Aykut Yenice, kryetari i federatës u bëri thirrje anëtarëve, por edhe konsumatorëve për t’u bashkuar me bojkotin duke njoftuar synimin e tyre për të ndaluar shitjen e të gjitha pijeve të gazuara, produkteve të pastrimit dhe ushqimeve amerikane.

“Një direktivë që përcakton politikën e re u dërgua tek të gjithë anëtarët”, tha Yenice për mediat turke të cilave u referohet AgroWeb.org.

Kryetari i një nga shoqatat profesionale më të mëdha në Turqi shtoi se thirrja për të miratuar një politikë të tillë kishte ardhur nga vetë anëtarët.

Çfarë përfshin bojkoti i mallrave amerikane?

“Ne i kemi bërë thirrje të gjithë anëtarëve për t’u bashkuar me rezistencën kundër politikave të SHBA-së. Ne sugjerojmë konsumimin e pijeve të gazuara turke, kos, dhallë, ajran dhe shalgam në vend të pijeve të gazuara të prodhuara nga Shtetet e Bashkuara si Coca-Cola, etj”.

Ajran është një pije e bërë nga kosi e ngjashme me dhallën, ndërsa shalgam bëhet nga shtrydhja e rrepave të kuqe.

“Ne të gjithë e dimë se produktet e SHBA shkaktojnë dhjamosje. Ne duam që kombi ynë të zbatojë standardet e shëndetshme të gatimit turk”, shtoi ai.

Anëtarët e federatës do të vënë njoftime tek bizneset e tyre që shkruajnë: “Ky biznes nuk shet produktet e SHBA”.

Përtej tensioneve politike të momentit midis dy shteteve anëtare të Nato-s, është e çuditshme se si turqit zbulojnë efekte negative tek produktet e palës tjetër vetëm në kohë krize marrëdhëniesh shtetërore.

SHBA dhe Turqia po shkëmbejnë sanksione tregtare dhe politike si pasojë e gjykimit të një shtetasi amerikan që akuzohet për vepra të paligjshme ndaj shtetit turk./AgroWeb.org

Burimi i informacionit: Hurriyet Daily News dhe Yeni Safah

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.