TVSH-ja për prodhimet bujqësore

488 0

Ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujrave, Edmond Panariti i kërkoi prodhuesve dhe tregtuesve të prodhimeve bujqësore që duke nisur nga sot, të pajisen me faturat tatimore të shitjes për çdo transaksion që bëjnë, pasi tani nuk ka më asnjë arsye pse të penalizohen. Nga 1 shatori, ka hyrë në fuqi vendimi që barazon TVSH-në në shitje dhe në blerje për prodhimet bujqësore.

Ministri i Bujqësisë Edmond Panariti, gjatë një takimi me krerët e shoqatave të prodhimeve bujqësore, deklaroi se “që nga ky moment, prodhimet bujqësore shqiptare tregtohen, eksportohen dhe grumbullohen me 14% më pak të kostos, gjë që i vendos ata në një konkurencë të lirë dhe të ndershme me prodhimet e importuara.”

Sipas ministrit, “kjo është një masë jashtëzakonisht e rëndësishme lehtësuese fiskale për prodhimet bujqësore, që u shkon direkt si përfitim prodhuesve, agropërpunuesve, grumbulluesve, shpërndarësve dhe eksportuesve”. Ai theksoi se kjo masë, heq pengesat më të mëdha ligjore dhe fiskale drejt formalizimit të prodhimit agroindustrial dhe rrit ndjeshëm aftësitë konkuruese të prodhimeve shqiptare me ato të importuara. “Kjo do të shoqërohet direkt me një prani më të madhe të tyre në tregjet e brendshme dhe natyrisht të eksporteve”, deklaroi Ministri.