Uji i Rubinetit Deklarohet i Pijshëm

440 0

A është i pijshëm uji i pijshëm? Nëse je i huaj në Shqipëri, të ndalohet. Nëse je shqiptar, të rekomandohet. Sado pa sens në dukje, vetë çështja ka më shumë sens sesa mund të mendoni. Hidhini një sy faturës së ujit që paguajmë çdo muaj. Shkruhet: Ujë i pijshëm. A e pi? Dhe sapo kemi shtruar pyetjen thelbësore të çështjes.

Përtej legjendave të Shqipërisë së lumtur të para 90-tës kur Enver Hoxha ngrinte dolli “me ujë qelibar” ujësjellësi, tashmë është fakt se sot, pak njerëz në Shqipëri dhe akoma më pak në Tiranë pijnë ujë direkt nga rubineti. Shqiptarët më së shumti i besojnë ujit në shishe, një sektor tashme shumë solid i biznesit me sipërmarrje të mëdha dhe të vogla që rezultojnë rregullisht fitimprurëse.

Po cili është autoriteti që kontrollin cilësinë e ujit? Pikërisht UKT në Tiranë dhe institucionet simotra respektive në çdo qytet të Shqipërisë. Por çfarë thonë përfaqësuesit e UKT-së? A e rekomandojnë ata konsumin e ujit të rubinetit?

Të pyetur nga AgroWeb, deklarata zyrtare nga zëdhënësja e UKT-së vjen pa ekuivok: ‘Ujësjellësi i Tiranës, garanton qytetarët se cilësia e ujit të pijshëm që shpërndahet nga rrjeti i UKT-së, është në përputhje me të gjitha standartet ligjore. Si i tillë ai mund të konsumohet normalisht nga të gjithë.’

Por ç’ndodh nëse je një qytetar britanik që udhëton për në Shqipëri? Këshilla zyrtare e Qeverisë Britanike nuk lë vend për interpretim: ‘Uji i rubinetit në Shqipëri mund të shkaktojë sëmundje – ju duhet të pini vetëm ujë në shishe.’ 

Po nëse jeni shtetas zviceran? ‘Sistemi i ujësjellësit në Shqipëri është i vjetër dhe i pastabilizuar. Ndaj duhet treguar kujdes me konsumin e ujit të rubinetit.’ 

E për të na e nxirë edhe më shumë faqen, Qendra Botërore për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve rekomandon vaksinimin për të huajt që udhëtojnë drejt vendit tonë – ‘Sepse mund të infektoheni me Hepatit A, përmes ujit dhe ushqimit të ndotur në Shqipëri, pavarësisht se në cilin qytet qëndroni.’

Sipas Bankës Botërore “Uji i pijshëm dhe infrastruktura shpërndarëse në Shqipëri është tejet e vjetëruar, e dëmtuar dhe joefikase. Rrjedhjet në rrjet janë të konsiderueshme dhe rreziku për shëndetin e popullsisë është i madh.”

Faturë Mujore Uji, UKT

UKT ka diçka për të thënë edhe për rrjetin e shpërndarjes: “Konsumatorët duhet të kenë parasysh që ujësjellësi mban përgjegjësi për cilësinë e ujit në të gjithë rrjetin e shpërndarjes deri në pikat e lidhjes. Vetë qytetarët, apo administratorët e pallateve duhet të jenë të vetëdijshëm që mirëmbajtja dhe pastrimi i rrjetit të brendshëm të shtëpive dhe depozitave personale është përgjegjësi e tyre direkte.”

Sipas Bruna Barutit, zëdhënëse e UKT-së, cilësia e ujit të rubinetit, monitorohet nga ana e UKT-së, çdo ditë në 16 pika të shpërndara në të gjithë territorin e Tiranës. Ky monitorim kryhet për pesë parametra kimikë dhe tre parametra bakteriologjik, të cilët janë dhe treguesit cilësor të ujit të pijshëm. Gjithashtu monitorohen çdo ditë 23 pika, për klorin mbetës, i cili shërben si dezinfektant dhe nuk lejon kontaminimin e ujit gjatë shpërndarjes në rrjet. Kontrolle të vazhdueshme ushtrohen dhe në depot e ujit në qytet si dhe në stacionet e pompimit për parametrat kimike dhe bakteriologjike.

Nga ana tjetër, Inspektoriati Sanitar Shtetëror (ISSH) kryen monitorim dhe kontroll ne 31 pika të qytetit si edhe në depot, vaskat e grumbullimit të stacioneve të pompave, si edhe në rezervuarët e shpërndarjes së ujit dhe vaskat e stacioneve të pompimit. Gjithashtu nga ujësjellesi analizohen edhe kampionet e ujit të sjella nga qytetarët në çdo rast ankimimi.

Parametrat e cilësisë në të cilat UKT bazohet për t’u siguruar qytetarëve se uji i rubinetit është i pijshëm janë vetitë organoleptike, turbullirat, amoniaku, nitritet, koliform totale, E. koli dhe streptokoku fekal. Të gjithë këta janë parametra, të cilat tregojnë mungesën e kontaminimit fekal në ujë. Një herë në vit analizohen 25 parametra kimike e bakteriologjike sipas përcaktimeve ligjore.

Qytetarët shqiptarë paguajnë për ujë të pijshëm rubineti. Ujë i pijshëm, do të thotë ujë i sigurt për t’u pirë apo për t’u përdorur në përgatitjen e ushqimit.

AgroWeb pyeti përfaqësuesit e UKT-së nëse ata rekomandojnë filtrimin e ujit apo është krejt e sigurt të pimë ujin direkt nga rubineti. Autoritetet e UKT-së pohojnë se ‘Është në zgjedhje të lirë të konsumatorëve të përdorin ose jo filtrues të ujit të pijshëm. Detyrë dhe përgjegjësi e jona është që uji me të cilin në furnizojmë qytetin të jetë në përputhje me të gjitha standartet.’

A mund ta themi pra se uji i rubinetit është po aq i sigurt sa uji në shishe? Besojeni ose jo, përgjigjia e UKT-së është: “Sigurisht që po!”

Madje përfaqësuesit e UKT-së shkojnë edhe më tej duke pohuar se: “Një pjesë e mirë e ujit në shishe që tregëtohet në kryeqytet mbushet pikërisht në burimet tona. Për këtë fakt UKT ka ngritur edhe nje group Task Force të cilët po luajnë një rol kyç në luftën kundër informalitetit. Kontrolle sistematike kryhen periodikisht sidomos ne subjekte te tilla të cilët kanë si element kryesor të biznesit të tyre përdorimin e ujit të pijshëm. Pra jo vetem tregëtuesit e ujit të pijshëm në shishe, por edhe prodhuesit e pijeve të tjera qoftë freskuese apo alkolike. Për më tepër kontrollet periodike që kryhen nga vetë laboratorët e UKT dhe ISSH për ujin që ne shpërndajmë në rrjetin së kryeqytetit konfirmojnë edhe një herë zyrtarisht cilësinë e ujit të pijshëm, gjë të cilën nuk jemi të bindur në mund ta themi për një pjesë të mirë të ujit të ambalazhuar që tregëtohet.”

E gjithë çështja e cilësisë së ujit të rubinetit tashmë merr një kthesë të papritur, pasi deklaratat e UKT-së shkojnë qartësisht kundër opinionit të gjerë publik se uji i shishes është shumë herë më i sigurt kundrejt ujit të rubinetit. Nëse je i huaj në Shqipëri zgjedhja për ty është e lehtë, thjesht duhet të ndjekësh këshillat e Qeverisë tënde. Nëse je shqiptar, çështja është krejt ndryshe./AgroWeb.org