Ullinjtë e Zinj të Shqipërisë Për Shëndet Afatgjatë

1.9k 0

Ullinjtë e zinj janë shumë të pasur me hekur dhe jo të gjithë e dimë sa i rëndësishëm është ky mineral për shëndetin e njeriut.

Shqipëria është me fat që i ka të gjitha varietetet e ullinjve, sigurisht edhe ullinjve të zinj.

Aktualisht, Shqipëria ka gjashtëdhjetë mijë hektarë ullinj dhe dhjetë milion pemë ulliri.

Prej tyre 1.3 milion ullinj janë qindra vjeçarë, ndërsa të tjerët shkojnë deri në tetëdhjetë vjeç.

Burimet gjenetike të ullishteve shqiptare janë shumë të pasura. 22 prej tyre janë varietete të kultivuara, por vetëm 6 varietete janë të rëndësishme.

“Kalinjot”, “Krypi Beratit”, “Bardhi Tiranës”, “Krypsi Elbasanit”, “Mixan” dhe “Himara” zënë  85% të prodhimit në vend dhe janë të një cilësie shumë të lartë.

Vlerat e Ullinjve të zinj për sistemin kardiovaskular

Në momentin që radikalet e lira oksidojnë kolesterolin, enët e gjakut dëmtohen rëndë dhe bllokohen nga akumulimi i yndyrnave. Kjo shkakton atakun në zemër.

Të dhënat e AgroWeb.org tregojnë se ullinjtë e zinj përmbajnë antioksidantë dhe parandalojnë oksidimin e kolesterolit, rrjedhimisht duke ndihmuar në parandalimin e sëmundjeve të zemrës.

Ullinjtë përmbajnë yndyrna por mono-të-pangopura që do të thotë se janë të shëndetshme. Këto yndyrna ulin rrezikun e formimit të aterosklerozës dhe rrisin nivelet e kolesterolit të mirë.

Parandalojnë dëmtimin e ADN-së

Ullinjtë e zinj janë një burim i shkëlqyer i vitaminës E, e cila ka një aftësi të jashtëzakonshme për të neutralizuar radikalet e lira në yndyrnat e organizmit.

Vitamina E është një bashkëpunuese e mirë me yndyrnat mono-të-pangopura që gjenden tek ullinjtë e zi dhe rrjedhimisht ofrojnë siguri në të gjitha proceset e qelizave.

Shëndeti i lëkurës dhe flokëve

Ullinjtë e zinj janë të pasur me acide yndyrore dhe antioksidantë që ushqejnë, hidratojnë dhe mbrojnë organizmin.

Kryesorja mes tyre është padyshim vitamina E e cila mbron lëkurën nga radiacioni ultravjollcë, si rrjedhojë duke parandaluar plakjen e parakohshme.

Kockat dhe indet

Yndyrnat mono-të-pangopura që munden të luftojnë inflamacionin, vitamina E dhe polifenolët që gjenden tek ullinjtë e zinj ndihmojnë kundër astmës, osteoartritit dhe reumatizmës.

Këto sëmundje shkaktohen nga nivelet në rritje të radikaleve të lira.

Ullinjtë përmbajnë një substancë që njihet si oleokanthal që ul dhimbjet. Studimet kanë treguar që kjo substancë ul inflamacionin në të njëjtën mënyrë si ibuprofeni.

Shëndeti i aparatit tretës

Një filxhan me ullinj të zinj plotëson 17% të nevojës ditore për fibër, e nevojshme për mirëfunksionimin e aparatit tretës.

Lëvizja e shëndetshme e ushqimit në këtë aparat ruan ekuilibrin ideal të mikroorganizmave që nevojiten për një sistem tretës shëndetplotë.

Shëndeti i syve

Një filxhan me ullinj të zinj plotëson 10 përqind të nevojës ditore për vitaminë A e cila është e domosdoshme për shëndetin e syve.

Vitamina A ndihmon që sytë të bëjnë më mirë dallimin mes ditës dhe natës, rrjedhimisht duke përmirësuar shikimin në errësirë.

Për më tepër, vitamina A besohet të mbrojë sytë nga sëmundje të ndryshme, disa prej të cilave janë rrjedhojë e moshës dhe plakjes./AgroWeb.org