Uthull me Lulerradhiqe, Gjallëria e Verës

593 0

AgroWeb.org ka ndarë shpesh me ju recetat më interesante të kombinimit të uthullës, këtij produkti unik të kuzhinës me barishtet dhe erëzat plot vlera për shëndetin. Në këtë artikull do të mësoni më shumë për kombinimin e uthullës me lulerradhiqen, një formulë interesante dhe po aq e dobishme për shëndetin.

Në këtë periudhë të vitit, me siguri ju kanë zënë sytë lulet e verdha të lulerradhiqes (Taraxacum officinale), të cilat janë shumë të rëndësishme dhe plot vlera. Lulerradhiqja është një barishte bujare që kushton pak dhe përdoret gjerësisht.

Të mirat e lulerradhiqes janë të pafundme. Ajo është e pasur me fibër, një substancë që ndihmon organizmin të largojë mbetjet kimike të akumuluara në organizëm.

Kjo barishte përmban vitaminat C dhe B6, por edhe thiaminë, riboflavinë, kalcium, hekur, i domosdoshëm për rigjenerimin e qelizave të kuqe të gjakut, kalium që ndihmon në rregullimin e rrahjeve të zemrës dhe tensionit të gjakut dhe mangan.

Atë e përdorim si çaj por edhe e përfshijmë në uthull, duke krijuar kështu një lëng që ndihmon me tretjen. 

Lexoni udhëzimet e AgroWeb.org dhe shfrytëzoni të mirat që vijnë prej tyre.

Uthulla me lulerradhiqe është shumë e veçantë. Atë mund ta përdorni në sallata, kryesisht ato të gjelbra për t’u dhënë më shumë shije, ngjyrë, gjallëri dhe aromë. Siç e përmendëm më lart, uthullën mund ta përgatisni në praverë dhe për këtë ju nevojiten produktet e mëposhtme:

Përbërësit:
• 1 kavanoz i madh me kapak.
• Sa më shumë lulerradhiqe (gjethe dhe rrënjë) që mund të futen në kavanoz.
• Uthull molle

Udhëzimet
1. Lajini mirë dhe me ujë të bollshëm gjethet e lulerradhiqes. Fërkojini rrënjët mirë dhe më pas prijini në copa mesatare.
2. Mbusheni kavanozin dhe hidhni sipër tyre uthullën e mollës. Barishtet duhet të mbulohen me uthull.
3. Mbylleni kapakun dhe tundeni kavanozin. Lëreni në një dollap të errët për 6 javë. Nëse dëshironi mund ta lini më gjatë, por në fund duhet ta filtroni në një kavanoz tjetër të pastër dhe sterilizuar.
4. Përdoreni sipas dëshirës në sallatat tuaja të preferuara./AgroWeb.org