Vaji më i mirë shqiptar ekstra i virgjër

648 0

Edhe pse i mbytur në djersë, me vapën që duket se të merr frymën, ai sërish flet gjithë energji. Temperatura që i ka kaluar të 35 gradët, duket se nuk e bezdis aspak, madje e bën akoma më të gojës, ndërsa diskuton gjithë pasion për vajin e ullirit.

Vasef Musai, është një njeri modest, por me shumë suksese dhe çmime kombëtare e ndërkombëtare mbi supe dhe dje, nën diellin e nxehtë të Tiranës, ai mori një tjetër çmim të rëndësishëm. Vaji i Ullirit Musai u vlerësua me çmimin e parë si vaji më i mirë ekstra i virgjër në Shqipëri për vitin 2016.

Ky vlerësim erdhi pas një përzgjedhje për cilësinë nga Insitituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinare i cili analizoi 19 kampionë nga vajrat më cilësorë shqiptarë. Nga këto vajra, Instituti përzgjodhi 16 si më cilësorët. Më pas, paneli i ekspertëve kombëtarë të vajit të ullirit vlerësoi me çmimin e parë Vajin Musai, bazuar në cilësi e shije.

“Ne kemi prodhuar vaj ulliri të cilësisë së lartë për më shumë se 16 vjet. Ne eksportojmë në New York, Hong Kong dhe Zvicër”, thotë Musai për AgroWeb, si për të ritheksuar cilësinë e lartë të vajit të tij.

Pikërisht garantimi dhe ruajtja e cilësisë së lartë të prodhimit, e ka bërë Musain të renditet si një nga prodhuesit më të mire të vajit të ullirit. “Jemi krenarë për çfarë kemi arritur, por natyrisht të mobilizuar për të ecur përpara”, thotë ai.

Vendi i dytë i shkoi Shpresa Shkallës prodhuese e vajit Shkalla nga Lundra e Tiranës, ndërsa vendi i tretë Rakip Iliazit, të vajit Iljazi nga Delvina. Çmimet ishin pjesë e aktivitetin për Ditën Kombëtare të Vajit të Ullirit të organizuar nga USAID, Bashkia Tiranë, Shoqata Kombëtare e Vajit të Ullirit dhe AAC-Lushnja.

Ky është edicioni i 12-të që Shqipëria vlerëson prodhuesit e saj më të mirë të vajit. Këtë vit konkuruan 20 prodhues, çka tregon edhe për rritjen e ndërgjegjësimit për vlerësimin e cilësisë.

Kjo cilësi, sipas Drejtorit të USAID për Shqipërinë, Marcus Johnson, prezent në ndarjen e çmimeve tregon për punën e jashtëzakonshme të fermerëve shqiptarë, përpunuesve dhe konsumatorëve.

“USAID, për më shumë se një dekadë i ka ndihmuar prodhuesit e vajit që të kenë njohjen e duhur për të prodhuar vaj ulliri të cilësisë së lartë në përputhje me cilësinë ndërkombëtare dhe standardet e sigurisë ushqimore. Në partneritet me AAC-Lushnja, USAID do të vazhdojë t’i ndihmojë prodhuesit e vajit të ullirit që të identifikojnë dhe të hyjnë në tregje të mëdha, duke punuar me fermerët për rritur produktivitetin, cilësinë e lëndës së parë dhe duke krijuar një network prodhuesish që të ndihmojnë në sigurimin e integritetit të vajit të ullirit”, u shpreh Marcus Johnson gjatë fjalës së tij në dhënien e çmimeve.

Shqipëria ka gjashtëdhjetë mijë hektarë ullinj dhe dhjetë milion pemë ulliri dhe prej tyre 1.3 milion ullinj janë qindra vjeçarë, ndërsa të tjerët shkojnë deri në tetëdhjetë vjeç. Burimet gjenetike të ullishteve shqiptare janë shumë të pasura, ku 22 prej tyre janë varietete të kultivuara, por vetëm 6 varietete janë të rëndësishme: "Kalinjot", "Krypi Beratit", "Bardhi Tiranës", "Krypsi Elbasanit", "Mixan" dhe "Himara", të cilat zënë dhe 85% të prodhimit në vend dhe janë të një cilësie shumë të lartë, siç pohoi dhe eksperti amerikan i ullirit dhe vajit Paul Vaussen, i cili gjatë një trajnimi të fermerëve shqiptarë për degustimin e vajit, i ngriti elozhe vajit tonë për cilësinë e tij të lartë ushqyese.

Ullinjtë janë ndër kulturat më të rëndësishme pemë frutore që rriten në Shqipëri, duke mbuluar përafërsisht 8% të tokës së punueshme.

Eksportet shqiptare të vajit të ullirit janë shumë inkurajuese, duke qenë se industria në vetvetë është maturuar duke marrë të gjitha atributet e nevojshme për cilësinë e vajit të ullirit.

“Shqiptarët mund të krenohet me arritjet e tyre. Këto arritje, në fakt tregojnë për një bashkëpunim të ngushtë mes fermerëve dhe komuniteteve të tyre, institucioneve qeveritare dhe Ministrisë, institucioneve të kërkimit dhe edukimit dhe sektorit privat”, vuri në dukje drejtori i USAID për Shqipërinë, Marcus Johnson.

Shqipëria ka vaj ulliri të një cilësie shumë të lartë dhe me një përmirësim teknologjik të industrisë së përpunimit, ai mund të konkurojë lehtësisht në tregun ndërkombëtar, duke arritur madje edhe majat e vajrave më të mirë në Evropë./Agroweb.org/