LuleRradhiqja e Vërtetë Mesdhetare e Shqipërisë

349 0

Lulerradhiqja është një nga barishtet më të kërkuara në ushqimin e njeriut. Të gjitha pjesët e kësaj barishteje, kërcelli, gjethet, lulet, dhe rrënjët mund të përdoren në gatim ose në mjekësinë popullore.
Barishtja është e shpërndarë në shumë vende dhe rajone siç është edhe Mesdheu dhe sidomos në Shqipëri, ku ka shtëpinë mijëravjeçare. Në ka një fjalë që e përshkruan këtë barishte është trimëria. Kjo bimë e paepur rritet me kryeneçësi kudo, në fusha, lëndina e kullota. Rrënjët e saj të guximshme përhapen bashkë me gjethet e gjata ngjyrë jeshile të errët në sipërfaqen e tokës me krenari.

Në fund të pranverës deri në fillim të vjeshtës, barishtja çel lule ngjyrë ari të mbushura me nektar të ëmbël që marrosin të gjitha bletët. Lulet çelin që nga rrënja ndërkohë bima e plotë e rritur arrin në 45 centimetra.

Përzgjedhja dhe ruajtja e lulerradhiqes

Lulerradhiqet mblidhen zakonisht nëpër fusha duke qenë se konsiderohen një barishte e egër. Megjithatë është më mirë që t’i përzgjidhni nga burime më të sigurta në tregun e fshatarëve. Në shumë zona të Mesdheut, lulerradhiqja kultivohet nga fermerët ose rritet lirshëm nëpër kopështet e shtëpive private.

Në treg kërkoni për lulerradhiqe të freskëta me gjethe të buta me ngjyrë të ndezur. Gjethet kanë një shije dhe aromë superiore për shkak të vitaminave dhe antioksidantëve si karoteni, vitamina C dhe folati. Lulerradhiqen mund ta ruani në qese plastike dhe ta ruani në zonën e perimeve si në rastin e spinaqit, lulelakrës, e të tjerave.

Përgatitja dhe servirja

Lulet dhe gjethet janë përdorur në gatim që në lashtësi. Zakonisht lulerradhiqja pastrohet në ujë të valuar për një minutë dhe pastaj ftohur menjëherë në ujë të ftohtë akull. Ky proçes largon edhe shijen e hidhur të saj.

Lulerradhiqja përdoret në sallata dhe panine. Ajo mund të kombinohet së bashku me barishte të tjera dhe perime si lakra, sallata jeshile dhe qepët e njoma. Ato përdoren në supa, lëngje, apo perime të gatuara.

Gjethet e thata dhe lulet përdoren për prodhimin e pijeve tonifikuese dhe çajrave mjekësorë që i japin organizmit energji dhe stimulojnë oreksin. Lulet përdoren gjithashtu për përgatitjen e verës dhe të petullave.

Vlerat e lulerradhiqes

Një sërë përbërësish kimikë në gjethet, rrënjët dhe lulet e këtyre barishteve kanë antioksidantë që parandalojnë sëmundjet dhe promovojnë shëndetin e mirë.

Gjethet e freskëta kanë shumë pak kalori, vetëm 45 kalori për 100 gramë. Vetë barishtja e plotë është e pasur me fibër (në 100 gramë gjeni 9 përqind të dozës së rekomanduar ditore.) Për më tepër, lulerradhiqja ka veti laksative si dhe ndihmon në rënien në peshë dhe mbajtjen nën kontroll të kolesterolit në gjak.

100 gramë të gjetheve e freskëta të lulerradhiqes përmbajnë 338 përqind të dozës së rekomanduar ditore të vitaminës A, që e bën këtë barishte si një prej burimeve më të pasura të vitaminës A mes simotrave të tjera. Vitamina A është antioksidant që mban lëkurën dhe shikimin të shëndetshme.

Gjethet e lulerradhiqes janë të mbushura plot me flavonoidë si karoteni, luteina, kripto ksanthina dhe zea ksanthina. Barishtja është një burim i pasur i mineraleve si kalium, kalcium, mangan, hekur dhe magnez. Kaliumi është një përbërës i rëndësishëm i qelizave dhe lëngjeve trupore që ndirhmon në rregullimin e rrahjeve të zemrës dhe tensionit të gjakut.

Hekuri është thelbësor për prodhimin e qelizave të kuqe të gjakut. Mangani përdoret nga organizmit si një bashkë-faktor për enzimat dhe antioksidantëve. Lulerradhiqet janë të pasura me shumë vitamina të rëndëishme si acidi folik, riboflavin, pyridoksina, niacin, vitamina E, vitamina C e të tjerë që janë thelbësore për një shëndet të mirë.

Vitamina C është një antioksidant i fuqishëm natyral. Lulerradhiqet japin 58% të dozës së rekomanduar ditore të vitaminës C. Lulerradhiqet janë ndoshta burimet më të pasura të vitaminës K duke ofruar 650% të dozës së rekomanduar ditore. Vitamina K luan një rol të rëndësishëm në forcimin e kockave. Ka gjithashtu rëndësi në trajtimin e pacientëve që vuajnë nga sëmundja e Alzheimer duke limituar dëmtimet e neuroneve në tru./AgroWeb.org