Vala e Dytë e COVID -19, Përgatitjet e Nevojshme Për Secilin Prej Nesh

413 0

Shqiptarët po i gëzohen ngrohjes së temperaturave dhe lehtësimit të masave shtrënguese kundër përhapjes së COVID-19, ndonëse frika për rikthimin e mundshëm të pandemisë në vjeshtë është e madhe.

Pak ditë më parë, në një intervistë për A2CNN epidemiologu Ilir Alimehmeti shpalosi tre skenarët e mundshëm për hipotezën ose gjasat e rikthimit të virusit në një valë të dytë në vjeshtë.

Sipas tij, në rastin më të keq, duke marrë në konsideratë mësimet e historisë, vala e dytë mund të jetë më e fortë se e para

Skenari i dytë, sipas Alimehmetit ka të bëjë me dobësimin e virusit ndërsa skenari i mesëm mund të jetë i ngjashëm me fenomenin e tërmetit që shoqërohet me pasgoditje më të lehta.

Ndërkohë, Anthony Fauci, drejtor i Institutit Amerikan të Alergjive dhe Sëmundjeve Infektive, ka paralajmëruar se sipas mendimit të tij, rikthimi i virusit është i paevitueshëm dhe “mënyra se si ne do ta përballojmë atë do të përcaktojë fatin tonë.”  Parashikime të ngjashme janë bërë edhe nga ekspertë evropianë.

Virusi do të vazhdojë të jetë kërcënim

Lothar Wieler, president i Institutit të Shëndetit Publik Robert Koch Institute, në Gjermani mendon se virusi do të vazhdojë të jetë kërcënim deri sa 60-70% e popullësisë do të infektohet prej tij.

“Për rrjedhojë, ne e dimë me siguri të madhe se do të ketë një valë të dytë. Shumica e shkencëtarëve janë të sigurtë për këtë. Ka edhe të tjerë që mendojnë se edhe një valë e tretë është e mundur”, tha ai.

Kësisoj, duke qenë se nuk ka asgjë të sigurtë mbi gjasat e një vale të dytë apo të tretë të virusit, është e udhës që të përgatitemi.

Vetëm koha do ta tregojë nëse koronavirusi do të ketë të njëjtën mënyrë operimi si gripi i stinës që kthehet çdo vit në vjeshtë ose do të ketë ngjashmëri me virusin H1N1 që goditi në pranverë dhe u kthye në dimër dhe vjeshtë.

Vala e Dytë e COVID-19, Përgatitjet e Nevojshme Për Secilin Prej Nesh

Ekspertët thonë se duhet të vazhdojmë të jemi të përpiktë me masat e distancimit fizik dhe higjenës dhe të mbajmë nën kontroll pritshmëritë për normalitetin.

Për tu përgatitur për një skenar të tillë, ndjekja e përpiktë e standardeve të higjenës është e një rëndësie jetësore.

Informimi nga burime të sakta të informacionit është po aq i rëndësishëm.

Ekspertët këshillojnë që të shtyjmë marrjen e vendimeve të rëndësishme dhe të përgatitemi mendërisht dhe praktikisht për një valë të dytë.

Nëse do të vazhdoni të punoni nga shtëpia, investoni për një karrige të mirë për të shmangur dhimbjet e shpinës gjatë qëndrimit ulur.

Për të përballur karantinën e mundshme të ardhshme investoni në një pajisje palestre që do ju ndihmojë të kryeni aktivitet fizik.

Vazhdoni furnizohuni me medikamentet e duhura për tensionin, diabetin, temperaturën dhe dhimbjet, në varësi të problemeve shëndetësore.

Investoni në një termometër të ri, blini alkol, doreza dhe maska që t’i keni në shtëpi.

Këtu do të mësoni për termometrin e saktë që ju duhet në shtëpi

Blini shtesë ushqime që kanë një datë të largët skadence dhe tregoni kujdes financat duke mos bërë shpenzime të panevojshme.

Gjatë këtyre muajve, mund të krijoni një ‘fond karantine’ për të përballuar të papriturat e mundshme në vjeshtë.

Të qenit të ndërgjegjshëm dhe proaktivë në këtë situatë është e vështirë por të jep terrenin e duhur për të qenë të përgatitur dhe mbrojtur sa më shumë veten dhe të tjerët./AgroWeb.org